A nuk është koha që të bëhesh musliman!?

A nuk është koha që të bëhesh musliman!?

A nuk është koha që të bëhesh musliman!?
ألم يأن لك أن تكون مسلما باللغة الألبانية

 

Dr. Abd Ar-Rahmân bin Abd Al-Kareem Ash-Sheha
د. عبد الرحمن بن عبد الكريم الشيحة


Përktheu:
EUROPEAN ISLAMIC RESEARCH CENTER (EIRC)
المركز الأوروبي للدراسات الإسلامية
& Arben Ahmetaj
Redaktori: Llokman Hoxha
Lektori: Agim Abazi

 
www.islamland.com

 

 


Me emrin e Allahut, Ar-Rahmân (të Gjithëmëshirshmit), Ar-Raheem (Mëshiruesit)

Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut. Salavatet dhe përshëndetjet tona i takojnë Muhamedit, të Dërguarit të Allahut, familjes dhe shokëve të tij.

Lexues i nderuar!
Jam munduar që në këtë broshurë të përmend, shkurtimisht, disa prej veçorive të Islamit, që të jenë çelës hulumtimi dhe analize për ata që e kërkojnë të vërtetën. E vërtetë kjo, e cila sikur të njihej sa duhet nga jomuslimanët e paanshëm (objektiv), do të ishte shkak për hyrjen e tyre në fenë islame. E tërë kjo nëse plotësohen kushtet e kërkuara, e që disa prej tyre janë:
● Qëllimi në kërkimin e të vërtetës të jetë i pastër; të njihet dhe të pasohet ajo, e jo të hulumtohet për gabime dhe të meta. Allahu i Lartmadhëruar ka garantuar që, kërkuesin e të vërtetës ta udhëzojë në rrugët që shpien deri te ajo, nëpërmjet kënaqësisë dhe lumturisë që e ndien si dhe duke ia lehtësuar atij arritjen deri te ato rrugë. Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia zgjeron zemrën për (të pranuar) Islamin. Atë që dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngushtë sikur të ngjitej në qiell. Kështu Allahu lëshon dënimin mbi ata që nuk besojnë”. (El-En’am: 125)
● Lutja e sinqertë dhe e vazhdueshme drejtuar Allahut për të kuptuar dhe për të pasur rrugën e drejtë. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën, për t’i gjykuar njerëzit në çështjet për të cilat nuk pajtoheshin. Mirëpo, njerëzit u grindën midis tyre, pasi u erdhën shenjat e qarta, nga zilia që kishin për njëri-tjetrin. Atëherë, me vullnetin e Vet, Allahu i udhëzoi besimtarët që ta kuptonin të vërtetën, lidhur me çështjet për të cilat të tjerët nuk pajtoheshin. Allahu shpie në udhë të drejtë kë të dojë.” (El-Bekare: 213)
● Largimi nga fanatizmi fetar dhe pasimi i verbër i fesë së paraardhësve duke mos pasur për atë gjë dije e as argument. Pastaj duhet lexuar literaturë që prezanton Islamin, me një lexim studiues dhe logjik, e jo duke qenë i ndikuar nga animet fetare dhe drejtimet ideologjike të trashëguara. Allahu i Lartmadhërishëm, thotë: “E kur u thuhet atyre (idhujtarëve): “Pranoni atë që Allahu e shpalli!” Ata thonë: “Jo, ne ndjekim atë rrugë në të cilën i gjetëm prindërit tanë!” Edhe sikur prindërit e tyre të mos kenë kuptuar asgjë dhe të mos jenë udhëzuar në rrugën e drejtë (ata do t’i pasonin)?” (El-Bekare: 170)
Çdo jomusliman duhet ta dijë se feja islame nuk është vetëm e arabëve, por është e të gjithëve. Në Islam nuk ka dallime racore. Kush beson dhe e praktikon fenë, ai është musliman edhe nëse është nga vendet më të largëta, i zi qoftë ai apo i bardhë. E kush nuk beson dhe nuk e praktikon fenë, nuk është musliman, edhe nëse është nga familja e Profetit të Islamit, Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të. Prandaj, Bilal ibn Rebahu, kënaqësia e Allahut qoftë me të, muezini i të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ishte rob nga Etiopia, Suhejbi ishte romak, kurse Selmani ishte persian. Gjithashtu, Islami nuk kufizohet vetëm në Mekë, Medine apo në Gadishullin Arabik, por çdo shtet që e pranon Islamin si fe të tij, është shtet islam, edhe nëse është në xhungla afrikane.
● Islamin, si metodologji dhe legjislacion, duhet vlerësuar në formë të tërësishme, e jo në bazë të veprimeve individuale apo veprimeve të shteteve të caktuara të papërgjegjshme. Ka grupe dhe shtete që thirren në Islam, (e që veprimet e tyre s’kanë të bëjnë asgjë me Islamin), të cilat kishin rol të madh në prishjen e imazhit të Islamit të vërtetë, largimin dhe pengimin e jomuslimanëve nga hyrja në të për shkak të besimeve dhe veprimeve të cilat mendja e shëndoshë, natyrshmëria e pastër dhe shoqëria moderne nuk i pranon, e të cilat i mvishen Islamit. Prandaj, le të dihet së çdo besim apo veprim që bie ndesh me natyrshmërinë e pastër, mendjen e shëndoshë, nuk e pranon shija normale dhe muslimanët nuk janë pajtuar rreth saj, nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin. Islami është teuhid (njësim i Allahut) që nuk përzihet me shirk (t’i përshkruhet dikujt tjetër pos Allahut diçka që është e veçantë për Allahun), adhurim që nuk përzihet me syfaqësi, moral që nuk përzihet me imoralitet, sistem i jetës që nuk ka defekt, është i qartë dhe nuk ka në të kurrfarë mjegullina, mirëpo muslimanët dallojnë në mes vete për nga sasia e asaj që marrin prej tij. Allahu i Lartësuar e ka sqaruar këtë në Kur’an duke thënë: “Pastaj Ne u lamë në trashëgim librin robërve Tanë që Ne i kemi zgjedhur; e prej tyre ka që janë dëmtues të vetvetes, ka që janë mesatarë, e ka prej tyre që janë, me ndihmën e Allahut, të parë në punë të mira, e kjo është ajo mirësia e madhe”. (Fatir: 32)
● Informatat për Islamin duhet marrë nga hulumtimet dhe analizat e vërteta, e jo nga persona apo mjete të informimit të njëanshme dhe armiqësore ndaj Islamit. Prandaj, kush dëshiron ta njohë Islamin duhet të njoftohet me të nëpërmjet referencave dhe burimeve të vërteta të tij, e që janë: Kur’ani fisnik dhe Tradita autentike e Lajmëtarit të Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, e pastaj edhe ixhmai (konsensusi) i umetit islam. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të ka thënë: “Ju kam lënë juve dy gjëra, nëse kapeni për to dhe iu përmbaheni atyre nuk do të devijoni asnjëherë, librin e Allahut dhe sunetin tim”. Hadithi, sipas Albanit, është hasen (i mirë).
● Çdo njeri, sipas natyrshmërisë në të cilën e ka krijuar Allahu i Lartësuar, kërkon për veten e tij atë që është më e mira dhe më e plota në të gjitha aspektet jetësore. Ai këtë e arrin duke krahasuar në mes gjërave që i ka para vetes. Prej tij kërkohet që, gjithashtu, të kërkojë fenë më të mirë dhe më të plotë. Fe, kjo, që i siguron kënaqësi dhe qetësi shpirtërore, ia ruan atij trupin, mendjen, nderin dhe pasurinë. Kjo arrihet me anë të leximit të qetë, krahasimit të saktë, si dhe mosnxitimit në vlerësim dhe në marrje të vendimit. Prandaj, vendimi është në dorën tënde.
● Duhet ditur se po bëhet fjalë për diçka të përhershme, e që është jeta pas vdekjes. Pra, ose do të shkosh në Xhenet (parajsë), gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe tokës, dhe është përgatitur për të devotshmit, ose në Xhehenem (ferr), zjarri i të cilit është i ndezur fort, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin melekë (engjëj) të rreptë e të ashpër që nuk e kundërshtojnë Allahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar. Allahu i Lartësuar thotë: “Prandaj, Ne të shpallëm ty Kur’an arabisht që ta këshillosh kryefshatin (Mekën) dhe atë përreth saj, dhe t’u tërheqësh vërejtjen për Ditën e Tubimit (Kijametit), për të cilën nuk ka dyshim. Një grup për Xhenet, kurse një grup për zjarr”. (Esh-Shura: 7)
E lus Allahun që, të gjithë ata që e lexojnë këtë libër, t’u japë sukses dhe mbarësi, t’i forcojë dhe t’ua hapë gjokset për pranimin e të vërtetës dhe pasimin e saj.


Çka është Islami?

 Islami është nënshtrim i plotë ndaj Allahut, në pajtueshmëri me atë që e dëshiron Ai; duke adhuruar vetëm Atë dhe duke u larguar nga idhujtaria. Duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Islami është lidhje e përhershme në mes të muslimanit dhe Zotit të tij. Kjo bëhet përmes faljes së pesë kohëve të namazit dhe namazeve tjera vullnetare dhe duke e lutur dhe përmendur Atë vazhdimisht gjatë jetës së përditshme.
Këto gjëra e forcojnë këtë lidhje çdo herë e më shumë, duke e përmendur Allahun gjithnjë në kohë dhe situata të ndryshme; para dhe pas ushqimit, para hyrjes dhe pas daljes nga nevojtorja, gjatë hyrjes dhe daljes nga shtëpia, para fjetjes dhe pas zgjimit nga gjumi, para dhe pas marrjes së abdesit, para kryerjes së marrëdhënieve intime, gjatë hipjes në mjetin udhëtues, si dhe në shumë situata tjera. Pra, e tërë jeta e muslimanit është për Zotin dhe e lidhur me Të. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Namazi im, flijimi im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve”. (El-En’am: 162)

Disa veçori të Islamit:

Meqenëse Islami është feja e fundit e zbritur dhe feja e vetme e pranuar tek Allahu, ashtu siç e ka përmendur Ai vet në Kur’an: “E, kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit”. (Ali Imran: 85), duhet patjetër të ketë veçori dalluese nga fetë tjera, për të qenë fe e vlefshme për çdo vend dhe çdo kohë deri në Ditën e Kijametit. Disa prej këtyre veçorive janë:
1) Islami fe e natyrshmërisë:
Islami është fe e natyrshmërisë së shëndoshë në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit, nëpërmjet të cilës njeriu e kupton se ka krijues, madje duke medituar rreth begative të Allahut dhe duke medituar rreth gjithësisë. E tërë kjo e shpien njeriun te Krijuesi i tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë”. (Er-Rrum: 30)
Kjo është natyrshmëria në të cilën janë krijuar krijesat. Mirëpo, kjo natyrshmëri mund të ndryshojë te njerëzit si pasojë e ndikimeve të jashtme dhe të devijojë nga rruga e drejtë, e që mund të shpie deri te shirku, adhurimi i dikujt tjetër e jo Allahun, apo edhe deri te mohimi i ekzistimit të Allahut. Lajmëtari i Allahut lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të ka thënë: “Çdo foshnje lind në natyrshmërinë e tij, e prindërit e tij pastaj e bëjnë atë jahudi, të krishterë apo zjarrputist”. (Buhariu dhe Muslimi)

2) Islami fe monoteiste:
Islami është fe e teuhidit (njësimit të Allahut) dhe sinqeritetit, që ka urdhëruar adhurimin e Allahut dhe askënd tjetër. Islami ka vendosur lidhje të drejtpërdrejtë në mes të Allahut dhe robërve të Tij. Kjo lidhje ndërtohet mbi besim të plotë në Allahun, kërkim të ndihmës nga Ai dhe kërkim të faljes direkt dhe pa ndërmjetësues. Islami ka refuzuar çdo ndërmjetësim në mes Allahut dhe robërve të Tij dhe për këtë janë qortuar politeistët e Mekës, ashtu siç përmendet në ajetin vijues: “Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun! Ndërsa ata që në vend të Tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë (ndërmjetësojnë) sa më afër Allahut…”. (Ez-Zumer: 3)
Pra, fjala e teuhidit: “La ilahe il-lAllah” do të thotë: Nuk ka të adhuruar me meritë përveç Allahut. Kjo fjalë është çelësi i hyrjes në Islam, për të janë krijuar krijesat dhe për të janë krijuar Xheneti dhe Xhehenemi. Thirrja në të është thirrje e të gjithë lajmëtarëve të Allahut, prej Nuhut e deri te i fundit Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me ta. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: nuk meriton askush të adhurohet përveç Meje, pra më adhuroni!” (El-Enbija: 25)
Fjala e teuhidit ngërthen në vete:
1. Njësimin e Allahut në adhurim ndaj Tij. Kjo nënkupton mohimin e adhurimit ndaj çdokujt tjetër dhe pohimin e adhurimit ndaj Allahut të Vetëm, pra mosbërja shirk. Allahu i Lartësuar thotë: “Ky është Allahu, Zoti juaj, nuk ka të adhuruar me meritë përveç Tij, Krijues i çdo sendi, pra adhuronie Atë; është mbikëqyrës ndaj çdo sendi”. (El-En’am: 102)
2. Njësimin e Allahut në krijim, sundim dhe rregullim të çdo gjëje. Ky njësim nënkupton besimin se Allahu është Zot dhe posedues i çdo gjëje, krijues dhe furnizues i krijesave, u jep jetë atyre, i bënë të vdesin dhe i ringjallë përsëri në ditën për të cilën nuk ka dyshim (Dita e Kijametit). Prandaj, nuk ka krijues, posedues dhe veprues me pushtet të plotë në këtë gjithësi përveç Allahut. Nuk ka ligjvënës në adhurime dhe në raportet ndërnjerëzore (qofshin ato në sferën individuale apo grupore), si dhe nuk e ka të drejtën për të vlerësuar diçka hallall (të lejuar) apo haram (të ndaluar) askush përveç Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “Ai është i përjetshmi, nuk meriton të adhurohet askush përveç Tij, pra adhuronie Atë me adhurim të sinqertë ndaj Tij, falënderimi i qoftë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë”. (El-Gafir: 65)
3. Njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij. Kjo nënkupton se vetëm Allahut i përkasin të gjitha cilësitë absolute. Ai nuk ka asnjë të metë apo mangësi dhe se askush nuk ka cilësi të njëjta apo të përafërta me Të. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është krijues i qiejve e i tokës. Ai nga lloji juaj krijoi për ju bashkëshorte, edhe nga kafshët krijoi çifte, ashtu që t’ju shumojë. Asnjë send nuk është si Ai; Ai është dëgjuesi, shikuesi”. (Esh-Shura: 11)

3) Islami fe e adhurimit:
Qëllimi i krijimit të njerëzve është adhurimi i Allahut, ashtu siç ka treguar Ai vetë në Kur’anin fisnik: “Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë”. (Edh-Dharijat: 56)
Nevoja e njerëzimit për adhurim është e natyrshme; ashtu siç ka nevojë trupi për ushqim dhe pije që të jetojë, ashtu ka nevojë shpirti për adhurim që të gjejë prehje dhe rehati. Kjo vërehet qartë te të gjithë njerëzit pa përjashtim. Ata i drejtohen të adhuruarit të tyre duke i kërkuar ndihmë dhe në këtë ata ndjejnë qetësi dhe prehje. Që nga koha e Ademit, paqja e Allahut qoftë me të e deri te koha e Nuhut, paqja e Allahut qoftë me të, njerëzit adhuronin vetëm Allahun. Pastaj populli i tij filluan të bënin shirk duke adhuruar idhuj dhe ky ishte fillimi i shfaqjes së shirkut-politeizmit.
Dikur politeizmi u bë i llojllojshëm; kishte të atillë që adhuronin gurin, drurin, kafshët dhe të tjerë që adhuronin natyrën. Prandaj u dërguan të dërguarit që t’i kthejnë ata njerëz në besimin e pastër dhe në njësim të vërtetë të Allahut. Edhe ateisti i cili nuk beson në ekzistimin e Allahut - Allahu na ruajttë nga kjo bindje - e ka të adhuruarin e vet; ai e adhuron epshin dhe djallin e tij, dhe i nënshtrohet atyre. Kjo është padrejtësia më e madhe që ai i bënë vetes së tij dhe të tjerëve, vetes së tij, sepse jeton pa qëllim të caktuar, ka zbrazëti shpirtërore dhe ngushtim te gjoksit, kurse në botën tjetër përfundon në zjarr të ndezur fort, në të cilin nuk hyn tjetër, pos atij që është më i prishuri, i cili përgënjeshtroi dhe u zmbraps.
Ndërsa bënë padrejtësi ndaj të tjerëve sepse nuk i frenon epshet dhe dëshirat e veta edhe nëse janë në dëm të tjetërkujt, nuk ka parime që i respekton, nuk ka besim që e ndalon dhe nuk i bëhet dert për hallallet dhe haramet. Kjo vërtetohet edhe në ajetin vijues: “Kush, përveç Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri, që dëshirat e veta i ka bërë zot; atë njeri, të cilin Allahu, duke e njohur për të tillë, e ka shpënë në humbje, duke ia vulosur dëgjimin dhe zemrën e duke i vënë perde para syve të tij?! A nuk po merrni vesh?” (El-Xhathije: 23)
Në botë mund të gjesh të tillë që bëjnë shirk (adhurojnë, së bashku me Allahun, edhe dikë tjetër), të tjerët adhurojnë diçka tjetër e nuk e adhurojnë Allahun fare. Kjo nuk ndodh te muslimanët me besim të drejtë, të cilët adhurimet ia dedikojnë Allahut dhe askujt tjetër. Jahuditë devijuan dhe pretenduan se Uzejri është bir i Allahut, kurse të krishterët devijuan duke pretenduar se Mesihu është bir i Allahut. E mos të flasim për popuj tjerë të cilët adhurojnë gjëra që mendjet dhe zemrat e shëndosha, si dhe natyrshmëria e pastër i refuzojnë adhurimet e tilla, siç është adhurimi i idhujve, kafshëve dhe yjeve.
Të vërtetën e ka thënë Allahu i Madhëruar në Kur’anin fisnik kur tha: “S’ka dyshim se ata që po i adhuroni ju pos Allahut, janë të krijuar sikur ju (njerëzit janë më të përsosur). Thirrni pra ata, e le t’ju përgjigjen juve nëse thoni të vërtetën”. (El-A’raf: 194)

4) Islami fe e logjikshme:
Islami është fe që e respekton mendjen dhe të menduarit. Shumica e ajeteve kur’anore kanë bërë thirrje dhe kanë nxitur për të menduar dhe për të medituar, siç janë shprehjet vijuese: “A nuk logjikojnë, a nuk meditojnë, a nuk mendojnë, a nuk e dinë, a nuk shikojnë, etj.”. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, në qiej dhe në Tokë ka shenja për ata që besojnë. Edhe në krijimin tuaj dhe të kafshëve të shpërndara nëpër Tokë, ka shenja për besimtarët e bindur. Edhe në ndërrimin e natës dhe të ditës, edhe në ujin që Allahu e zbret nga qielli, duke gjallëruar nëpërmjet tij tokën e shkretuar, edhe në ndërrimin e erërave, ka shenja për njerëzit që mendojnë”. (El-Xhathije: 3-5)
Megjithatë, përdorimi i logjikës dhe të menduarit bëhet në ato gjëra që mund të njihen me anë të shqisave (si p.sh: të dëgjuarit dhe të pamurit), kurse gjërat e gajbit (të fshehtat) nuk mund të njihen nëpërmjet shqisave, prandaj përdorimi i mendjes për të arritur deri te njohja e tyre është shpenzim energjie dhe mund pa ndonjë dobi. Njeriu nuk mund të dijë asgjë për këto gjëra, përveç asaj që lajmërohet nga ana e pejgamberëve. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është që e di të fshehtën, por fshehtësinë e vet nuk ia zbulon askujt”. (El-Xhin: 26)
Mendjet e shëndosha dhe të ndritura dëshmojnë se të gjitha mësimet islame janë të vërteta, të vlefshme kurdoherë dhe të dobishme për njerëzimin. Urdhrat dhe ndalesat e tij janë të drejta dhe në to nuk ka padrejtësi. Nuk ka urdhëruar për diçka, vetëm se e tëra apo shumica prej saj është e dobishme, dhe nuk ka ndaluar nga diçka, vetëm se e tëra apo shumica prej saj është e dëmshme.
E tëra kjo është e qartë për atë që mediton rreth Kur’anit fisnik dhe rreth haditheve autentike të lajmëtarit të Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të.

5) Islami fe hyjnore:
Mësimet dhe dispozitat islame, qofshin ato në besim, adhurime, moral apo që kanë të bëjnë me të drejtat, janë nga Allahu dhe janë të qëndrueshme e nuk ndryshojnë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Është i zbritur prej Zotit të botëve”. (El-Uakia: 80)
Këto mësime nuk burojnë nga njeriu e që të mund të ketë në to mangësi, gabime apo të ndikohen nga rrethanat e jashtme, si kultura, traditat dhe rrethi ku jeton. Allahu i Lartësuar ka thënë: “A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që bindshëm beson, a ka gjykim më i mirë se ai i Allahut?” (El-Maide: 50)
Islami është feja e vetme që nuk ka pësuar ndryshime apo shtrembërime, tekstet e saj janë të plota nuk ka mangësi e as shtesa të panevojshme.
Burimet kryesore të legjislacionit islam janë:
1. Kur’ani fisnik, i cili prej kur i është shpallur Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, e deri me sot është i njëjti; me shkronjat, ajetet dhe suret e tij. Ai nuk ka pësuar ndryshim e as shtrembërim, si dhe në të nuk ka mangësi e as shtesa. Ai është transmetuar me transmetim “muteuatir” (transmetim autentik të një grupi të madh njerëzish nga një grup tjetër gjithashtu të madh, gjeneratë pas gjenerate e që zakonisht është e pamundur marrëveshja në mes të gjithë atyre për të gënjyer dhe që transmetimin e tyre e mbështesin në shqisa), duke u ruajtur në formë të shkruar dhe po ashtu në gjokset e muslimanëve (duke e mësuar përmendësh).
Muslimanët ishin shumë të kujdesshëm ndaj Librit të Allahut. Ata shpejtuan për ta mësuar atë dhe për t’ua mësuar tjerëve, duke synuar të mirat e premtuara për këtë gjë në thënien e të Dërguarit të Allahut lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të që thotë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson atë të tjerëve”. (Buhariu) E meqë leximi dhe mësimi i tij përmendësh është adhurim, Lajmëtarit i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të ka thënë: “Kush e lexon një shkronjë nga libri i Allahut, e ka shpërblim një të mirë. Ajo e mirë është e barasvlershme (shpërblehet) me dhjetë të mira. Nuk po them se “elif-lamë-mimë” është një shkronjë, por: “elif” është një shkronjë, “lamë” është një shkronjë dhe “mimë” është një shkronjë (d.m.th.: janë tri shkronja dhe sjellin tridhjetë shpërblime)”. (Tirmidhiu)
2. Trashëgimia profetike, e cila është burimi i dytë i Sheriatit-legjislacionit islam dhe sqarues i shumë prej dispozitave që gjinden në Kur’an. Trashëgimia profetike – Suneti - është mbrojtur nga nëpërkëmbja, gënjeshtra dhe futja në të ajo që nuk është prej saj. Allahu i Lartësuar e ka ruajtur atë duke sjellë njerëz të drejtë dhe të besueshëm, që tërë jetën e tyre ia kanë kushtuar studimit të haditheve – thënieve - të Profetit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të; duke studiuar senedin e tyre (zinxhirin e transmetuesve, se a janë të besueshëm dhe të përpiktë apo jo), tekstet e tyre dhe se a janë ato hadithe të sakta apo të pasakta. Ata studiuan kështu të gjitha hadithet e transmetuara nga Profeti, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, dhe nuk pranuan prej tyre vetëm se ato që ishin të sakta, e të cilat u përcollën deri te ne të klasifikuara dhe të mbrojtura nga transmetimet e rreme dhe të shpifura.

6) Islami fe universale:
Islami është fe universale, e ardhur për të gjithë njerëzit pa përjashtim; për të bardhët dhe të zinjtë, për arabët dhe joarabët, si dhe është për çdo kohë dhe çdo vend. Islami i trajton dhe i bashkon njerëzit në bazë të besimit të qartë dhe të qëndrueshëm, e jo në bazë të ngjyrës, gjuhës, rajonit, prejardhjes, apo në bazë të një kohe apo vendi të caktuar. Çdokush që e beson Allahun për Zot, Islamin për fe, Muhamedin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, për profet, ai ka hyrë në fe dhe është rreshtuar rreth flamurit islam, në çfarëdo kohe apo të jetë. Kurse fetë e mëparshme (fetë qiellore), edhe pse përputheshin me Islamin në bazat e tyre, ato kishin ardhur për popuj dhe kohëra të caktuara dhe dispozitat e tyre ishin të veçanta për ata popuj dhe ato kohëra, siç ishte Musai, paqja e Allahut qoftë me të, i cili ishte dërguar enkas te Beni Israilët. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne i dhamë Musait Librin dhe e bëmë atë udhërrëfyes për bijtë e Izraelit (duke u thënë): “Mos merrni mbrojtës tjetër, përveç Meje!” (El-Isra: 2)
Pas një kohe nga vdekja e Musait, Benu Israilët devijuan nga rruga e Zotit të cilën ua kishte trasuar Musai, paqja e Allahut qoftë me të, prandaj Allahu dërgoi te ta Isain, paqja e Allahut qoftë me të, që t’i udhëzojë dhe kthejë ata në rrugë të drejtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut.” (El-Maide: 46)
Pastaj, pas kalimit të një kohe duke mos pasur pejgamber, Allahu e dërgoi te dy llojet e krijesave; xhinët dhe njerëzit, Muhamedin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, dhe me të u mbyll dera e profetësisë. Allahu i Lartësuar thotë: “I lartësuar qoftë Ai që i ka zbritur Dalluesin (Kur’anin) robit të Vet, që të jetë paralajmërues për botët”. (El-Furkan: 1)
Islami, edhe pse është fe universale, nuk i detyron njerëzit që te futen në të, por i lë të lirë në zgjedhje; ta pranojnë apo ta refuzojnë, mirëpo Ai, në ajetin vijues, ka sqaruar përfundimin e atyre që e refuzojnë atë: “Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë” Ne kemi përgatitur për mohuesit keqbërës një zjarr, që do t’i rrethojë nga të gjitha anët (si çadra). Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)!” (El-Kehf: 29)

7) Islami fe mesatare dhe reale:
Prej gjërave që ndikuan në shpërndarjen e Islamit janë edhe të qenurit e tij mesatar, i drejtë, i lehtë për tu kuptuar, me dispozita të lehta dhe tolerante. Pejgamberi lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, e ka shpjeguar këtë në një hadith duke thënë: “Feja më e dashur tek Allahu është feja e drejtë (me besim të pastër, monotesiste) dhe e lehtë (e që është feja islame)”. (Buhariu)
Islami nuk i ngarkon njerëzit me atë që nuk mund ta bartin, qofshin ato fjalë apo vepra. Si mos të jetë kështu kur feja islame është fe që është në përputhje me natyrshmërinë njerëzore dhe nuk e kundërshton assesi atë. Feja ia lejon njeriut që t’i kryej adhurimet sipas mundësive të tij dhe sipas situatave në të cilat gjendet. Allahu i Lartësuar ka thënë: “… dhe nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi…” (El-Haxh: 78)
Kjo vërehet në lehtësinë e dispozitave dhe adhurimeve në Islam dhe në largimin e çdo vështirësie të papërballueshme gjatë praktikimit të fesë, me qëllim që t’i mundësohet të gjithëve praktikimi i saj. Të gjitha ritualet dhe urdhrat fetarë janë në përputhje me mundësitë njerëzore dhe nuk i tejkalojnë ato, dhe nëse njeriu gjendet në situata të jashtëzakonshme, atëherë bien ato obligime dhe vijnë në shprehje dispozitat e veçanta për ato situata.
Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë, Allahu ju ka ndaluar të hani kafshën e ngordhur, gjakun e derdhur, mishin e derrit dhe mishin që nuk është therur në emër të Allahut. Por kushdo që detyrohet nga nevoja të hajë ndonjë gjë prej këtyre, pa dashur të bëjë gjynah dhe pa e kaluar kufirin, nuk do të fajësohet. Vërtet, Allahu është Falës i madh dhe Mëshirëplotë”. (El-Bekare: 173)
Kjo është kështu, sepse dispozitat kanë zbritur për njerëz e të cilët kanë mangësi dhe kanë mundësi të kufizuara, prandaj, Sheriati, duke qenë në përputhje të plotë me natyrën njerëzore në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit, e kishte parasysh këtë. Allahu i Lartësuar e ka përmendur këtë në ajetin vijues: “Allahu dëshiron t’ju lehtësojë (dispozitat), e megjithatë njeriu është i dobët.” (En-Nisa: 28)
Pra, urdhëresat islame janë të ndërtuara mbi këtë metodologji të ardhur nga Zoti, e cila është përmendur në ajetin vijues: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon.” (El-Bekare: 286)
Këtë gjë e ka vërtetuar Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, duke thënë: “Atë që jua kam ndaluar, largohuni prej saj, kurse atë që ju kam urdhëruar me të, kryeni prej saj aq sa mundeni. Me të vërtetë popujt para jush i kanë shkatërruar pyetjet e shumta dhe mospajtimet e tyre rreth të dërguarve të tyre”. (Muslimi)
Mirëpo duhet ditur se këto lehtësime nuk bënë që të përdoren në kundërshtim me qëllimet e Sheriatit dhe të fesë. Pra, nuk pranohet lehtësimi që bënë haramin hallall, e as shtrëngimi që bënë hallallin haram. Nuk pranohet gjithashtu as pakujdesia gjatë praktikimit të dispozitave fetare apo mospërfillja e koncepteve dhe e rregullave të përgjithshme edukative.
Ajo që kërkohet është lehtësimi dhe jo vështirësimi, duke iu shmangur mëkatimit. Aisheja, Allahu qoftë i kënaqur me të, gruaja e Lajmëtarit të Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Çdoherë kur kishte mundësi të zgjedhte Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, në mes të dy gjërave, e zgjidhte më të lehtën prej tyre, nëse në të nuk kishte mëkat. E nëse kishte në të mëkat ishte njeriu që më së shumti largohej prej tij”.

8) Islami fe e kompletuar (koherente):
Islami është fe e plotë. Me të Allahu i plotësoi sheriatet - legjislacionet paraprake. Allahu e zgjodhi Islamin si fe për njerëzit dhe nëpërmjet tij e plotësoi begatinë e Tij ndaj tyre. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe.” (El-Maide: 3)
Duke qenë i tillë, Islami ka abroguar fetë paraprake dhe Allahu nuk pranon adhurim sipas ndonjë feje tjetër. Legjislacionet para Islamit kishin baza shpirtërore që i drejtoheshin shpirtit dhe e pastronin atë, por nuk përfshinin të gjitha aspektet jetësore siç bëri Islami i cili rregulloi të gjitha aspektet fetare dhe jetësore.
Profeti i Islamit, Muhamedi, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka shpjeguar në një hadith se tek Allahu është vetëm një fe, Ai dërgoi profetë që ta plotësojë njëri-tjetrin, duke filluar nga Nuhu, paqja e Allahut qoftë me të, dhe duke përfunduar me Muhamedin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, me të cilin është vulosur feja dhe është plotësuar Sheriati, duke thënë:
“Me të vërtetë shembulli im dhe shembulli i profetëve para meje është sikurse shembulli i një njeriu që ka ndërtuar një shtëpi, e rregulloi dhe e zbukuroi atë, por kishte lënë, në një skaj të saj, një hapësirë dhe nuk e kishte vendosur një tullë të vetme. Njerëzit silleshin rreth shtëpisë dhe u pëlqente ajo, por thoshin: ah sikur të plotësohej kjo zbrazëti me një tullë. Profeti, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, tha: Unë jam plotësimi i asaj zbrazëtie (plotësimi i profetësisë) dhe unë jam vula e profetëve”.(Buhariu dhe Muslimi)
Duke qenë Islami kështu i plotë, Allahu premtoi që ta ruajë atë deri në Ditën e Kijametit, gjë që nuk kishte premtuar të njëjtën gjë për fetë tjera, sepse ato ishin për kohë të caktuara dhe popuj të caktuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne me madhërinë tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”. (El-Hixhr: 9)

9) Islami fe e qartë:
Islami është fe e qartë dhe në të nuk ka pështjellime apo paqartësi. Kështu është cilësuar edhe burimi i parë i legjislacionit islam, Kur’ani. Ai është libër i qartë, udhërrëfyes për njerëzit dhe argument i qartë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Juve ju erdhi nga Allahu dritë, dhe libër i qartë”. (El-Maide: 15)
Çdo njeri ka të drejtë të pyes për atë që i intereson e që nuk e di. Në Islam nuk ka gjëra për të cilat nuk bënë të pyesësh (nuk ka: beso e mos pyet). Mirëpo, përgjigjet në pyetjet fetare nuk i ka lënë për të gjithë, por për ata që kanë dije fetare, janë specialistë në këtë lami dhe jetët e tyre i kanë dedikuar për studim dhe hulumtim rreth mësimeve fetare. Prandaj, njohuritë rreth mjekësisë kërkohen te mjekët, ato të inxhinierisë tek inxhinierët, e ato të fesë te dijetarët fetarë (hoxhallarët). Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne as para teje nuk dërguam tjetër, përveç burra, të cilëve u dhamë shpallje. Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini”. (En-Nahl: 43)
Nuk ka në Islam çështje të mjegulluara që duhet besuar e nuk bënë të pyesim për to, përveç atyre që janë gajb (të fshehta) e të cilat Allahu nuk na ka treguar dhe mendja e njeriut nuk mund t’i kuptojë. Këtu vjen në shprehje vlera e besimit në gajb, e që Allahu ka lavdëruar ata që besojnë në të. Besimi në gajb është provim për njerëzit dhe me të bëhet dallimi në mes të besimtarëve dhe të jobesimtarëve. Prandaj, Allahu i Madhëruar ka thënë: “Elif, Lamë, Mimë. Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zekatë, sadaka etj.). Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t’u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme) botën tjetër (ahiretin)”. (El-Bekare: 1-5)

10) Islami fe pozitive:
Natyra e Sheriatit islam është pozitive, nuk është i mbyllur në vetvete e as i ndarë nga shoqëria, e gjithashtu nuk është negativ me krijesat. Islami është fe e hapur, urdhëron për shpërndarjen e mirësisë dhe për të dashur të mirën për të tjerët. Nuk mjafton që muslimani vetëm të jetë i mirë në veten e tij, por duhet të jetë edhe përmirësues i të tjerëve, interaktiv në shoqërinë në të cilën jeton dhe shpërndarës i të mirës në të; e mëson injorantin, e udhëzon të devijuarin, urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja, thërret në adhurimin e Allahut dhe në njësimin e Tij. Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillë janë ata të shpëtuarit”. (Ali Imran: 104)
Jo vetëm kaq, por feja islame e ka bërë mirësinë ndaj njerëzve dhe të dëshiruarit e të mirës për ta, prej gjërave plotësuese të adhurimit, siç e ka përmendur Profeti, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, në këtë hadith: “Duaje për njerëzit atë që e do për vete, do të jesh musliman”. (Tirmidhiu dhe Ibn Maxheh, Albani e ka vlerësuar si të saktë)
Për ta nxitur dhe aktivizuar këtë ndjenjë, Islami e ka vlerësuar shumë lartë shpërndarësin e të mirës, ku Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Kush thërret në udhëzim, do të ketë shpërblim të njëjtë me shpërblimin e atyre që e pasojnë atë, duke mos ju mangësuar nga shpërblimi i tyre asgjë. E kush thërret në devijim, do të ketë mëkat të njëjtë me mëkatin e atyre që e pasojnë atë, duke mos ju mangësuar nga mëkati i tyre asgjë”.

11) Islami fe e qëndrueshme dhe përparimtare:
Islami është fe e vlefshme për çdo kohë dhe çdo vend. Ai ka ardhur me parime, baza dhe rregulla të përgjithshme, shumëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ato nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohës apo vendit, qofshin ato në sferën e besimit apo të adhurimit, siç janë: namazi, sa rekate i ka apo kur është koha e tij; zekati, sa dhe prej çfarë pasurie duhet dhënë atë, agjërimi dhe koha e tij; haxhi, forma dhe koha e tij, ndëshkimet e caktuara juridike, etj. Gjërat e reja, inovacionet i paraqiten Kur’anit fisnik dhe haditheve autentike të Profetit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të; nëse gjinden në to pranohen, nëse jo atëherë dijetarët e vërtetë, në çdo kohë dhe çdo vend, i studiojnë ato dhe shikojnë se a i përmbushin nevojat e kohës dhe a janë në dobi të përgjithshme të shoqërisë.
Ata e bëjnë këtë nëpërmjet studimit të kuptimeve më të gjëra të ajeteve kur’anore dhe haditheve profetike, si dhe duke shikuar mundësinë e përfshirjes së atyre të rejave në rregullat e përgjithshme të përfituara nga Kur’ani dhe suneti. Nëse përgjigjja është pozitive, atëherë pranohen ato gjëra të reja. E tërë kjo duke kërkuar atë që është e dobishme për njerëzit, e që nuk është në kundërshtim me ndonjë citat sheriatik. Kështu Islami mbetet i vlefshëm për çdo kohë dhe është në përputhje më kërkesat e çdo shoqërie.

12) Islami fe e baraspeshimit:
Islami i plotëson nevojat shpirtërore dhe trupore të njeriut me një baraspeshë të shkëlqyer, duke mos lejuar padrejtësinë e një aspekti ndaj tjetrit. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe me atë që të ka dhënë Allahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos le mangët atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë Allahu ty, e mos bën të këqija në tokë, se Allahu nuk i do çrregulluesit”. (El-Kasas: 77)
Sipas Islamit, Allahu e ka krijuar shpirtin njerëzor dhe e ka bërë atë mëkëmbës në tokë, që ta adhurojë Allahun dhe ta praktikojë fenë e Tij. Këtij shpirti, Allahu i krijoi një trup të integruar dhe të bashkërenduar, që nëpërmjet tij shpirti ta realizojë atë që e ka urdhëruar Allahu, siç janë adhurimet, realizimi i të drejtave të ndryshme dhe zhvillimi i jetës në tokë. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Ai është që ju bëri sundues (zëvendësues) në tokë (pas shkatërrimit të atyre që ishin më parë) dhe lartësoi në një shkallë më të lartë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju sprovuar në atë që ju dha. Allahu është ndëshkues i shpejtë, është që falë e Mëshirues”. (El-En’am: 165)
Në Islam nuk ka murgëri, vetmim të plotë për adhurim dhe izolim i tërësishëm nga kjo botë, e as nuk pranohet largimi i tërësishëm nga kënaqësitë e kësaj bote të cilat Allahu i ka lejuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robtë e vet? Thuaj: Ato janë në këtë botë për ata që besuan, e në Ditën e Kijametit janë të posaçme për ta. Kështu i sqarojmë argumentet një populli që kupton.” (El-A’raf: 32)
Edhe në të kundërtën, Islami nuk është fe që lejon dhënien pas kësaj bote dhe zhytjen në kënaqësitë dhe epshet e saj pa kurrfarë kriteri. Islami është i drejtë dhe mesatar. Ai ka bashkuar në mes të fesë dhe të dunjasë, duke mos dominuar njëra ndaj tjetrës. Ai ka urdhëruar për baraspeshim dhe drejtësi në mes të shpirtit dhe trupit. Prandaj, muslimani është urdhëruar që, kur të zhytet në gjërat e kësaj bote, t’i kujtojë nevojat e tij shpirtërore, duke kryer adhurimet që ia ka obliguar Allahu Fuqiplotë. Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, nxitoni për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, falnie namazin), e lëreni shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini”. (El-Xhuma: 9)
Gjithashtu, është kërkuar prej muslimanit që kur të jepet tërësisht pas adhurimit t’i kujtojë nevojat e tij materiale, siç janë puna dhe kërkimi i rizkut (furnizimit). Allahu Fuqiplotë ka thënë: “E, kur të kryhet namazi, atëherë shpërndahuni në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut, por edhe përmendnie shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim”. (El-Xhuma: 10)
Islami e ka lavdëruar atë që bashkon në mes të këtyre dy aspekteve (shpirtërores dhe trupores), prandaj Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Ata janë burra që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zekatin, ata i frikësohen një dite kur do të tronditen zemrat dhe shikimet”. (Nurë: 37)
Islami, nëpërmjet një legjislacioni hyjnor, në të cilin nuk ka tejkalim të masës e as pakësim nga e duhura, ka ruajtur të drejtat e shpirtit dhe trupit. Muslimani, ashtu siç kërkohet nga ai që ta kontrollojë dhe llogarisë veten e tij për veprat dhe sjelljet e tij, duke vepruar sipas fjalës së Allahut: “E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë”. (Ez-Zelzele: 7-8) Nga ai gjithashtu kërkohet që ta ruajë trupin e tij duke i shfrytëzuar mirësitë dhe begatitë e Allahut, siç janë ushqimi, pija, veshmbathja dhe martesa. Mirëpo, shfrytëzimi i tyre duhet të jetë me masë, e të mos ketë tejkalime, sepse ato janë të dëmshme. Allahu i Lartësuar ka thënë: “…hani dhe pini e mos teproni”. (El-A’raf: 31)
Gjithashtu, Islami e ka llogaritur privimin nga këto të mira prej gjërave të ndaluara fetarisht. Enes ibn Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Erdhën tre persona te shtëpitë e grave të Profetit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, dhe pyetën për ibadetin e tij. Kur u informuan, sikur iu duk i pakët, thanë: Ku jemi ne në krahasim me Profetin, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, kur dihet se Allahu atij ia ka falur të gjitha mëkatet; të kaluarat dhe të ardhshmet. Atëherë njëri prej tyre tha: Unë do të falem tërë natën. Tjetri tha: Unë do të agjëroj për çdo ditë pandërprerë. Kurse i treti tha: Unë do të largohem nga gratë dhe kurrë nuk do të martohem. Kur erdhi Profeti, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, u tha: A ju keni thënë kështu dhe kështu? Pasha Allahun, unë më së shumti i frikësohem Allahut dhe jam më i devotshmi ndër ju, por agjëroj dhe ha, falem dhe fle por edhe martohem. Prandaj, kushdo që largohet nga suneti im, nuk është prej meje”. (Buhariu)

13) Islami fe e përhershme:
Meqenëse Islami është feja e fundit qiellore dhe vula e tyre, duke përmbajtur në vete mësimet e fundit hyjnore, të vlefshme për çdo kohë dhe vend, Allahu e ka bërë atë që të ekzistojë deri në Ditën e Kijametit dhe e ka mbrojtur nga çdo ndryshim apo shtrembërim, e që nuk ishte e njëjta gjë edhe me fetë (sheriatet) tjera.
Prandaj, Kur’ani fisnik është burimi i parë i Sheriatit dhe Allahu ka garantuar që atij nuk mund t’i shtohet diç që nuk është prej tij apo të hiqet gjë prej tij. Ai është mrekulli e përhershme e Profetit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, përkundër mrekullive të profetëve para tij që përfundonin me kalimin e kohës së atyre profetëve, e që dëshmonin për vërtetësinë e tyre dhe që besonin në to vetëm ata që i shihnin. Kurse Kur’ani është mrekulli që lexohet deri në Ditën e Gjykimit dhe dëshmon për vërtetësinë e shpalljes së Muhamedit lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne vërtetë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij”. (El-Hixhr: 9)
Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Nuk do të pushojë së ekzistuari një grup nga umeti im që janë të kapur për të vërtetën dhe të ndihmuar me të. Ata nuk do t’i dëmtojnë ata që i braktisin (tradhtojnë), e as ata që i kundërshtojnë, deri në Ditën e Kijametit”. (Muslimi)
E tërë kjo vërehet me futjen e shumë prej pjesëtarëve të feve tjera në Islam, edhe përkundër mundësive të pakta materiale për shpërndarjen e tij krahas mbështetjes së pakufizuar njerëzore dhe materiale nga ana e armiqve të tij për ta luftuar, stopuar dhe për ta prishur imazhin e tij. Këtë e dëshmon edhe fakti se ata që dalin nga Islami, pasi të kanë hyrë në të, janë shumë të paktë.

14) Islami fe gjithëpërfshirëse:
Feja islame ka përfshirë me mësimet e saj të gjitha aspektet jetësore; ka sjellë rregulla dhe norma që ndërtojnë një shoqëri të mirë dhe të kompletuar. Nuk ka lënë aspekt jetësor, me të gjitha sferat e tij: shpirtërore apo trupore, fetare apo të kësaj bote, personale apo shoqërore vetëm se për to ka vendosur rregullat më të mira. Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Ne ty të shpallëm librin sqarim për çdo send, udhëzim e mëshirë dhe myzhde për muslimanët”. (En-Nahl: 89)
Ligjet (dispozitat dhe normat) islame kanë rregulluar raportet e muslimanit me Zotin e tij, me shoqërinë dhe botën që e rrethon.
Ajo që e dëshmon gjithëpërfshirjen e Islamit është edhe interesimi (vlerësimi) i tij ndaj sjelljes më të thjeshtë që ka lidhje me jetën e njeriut, siç e ka përmendur Profeti, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, në hadithin vijues që e përcjell Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të: “Imani (besimi) ka shtatëdhjetë e ca, apo gjashtëdhjetë e ca degë, më e vlefshmja (në një transmetim: më e larta) është thënia “la ilahe il-lAllah”, ndërsa më e ulëta është heqja e pengesës nga rruga. Gjithashtu edhe turpi është degë e imanit”. (Buhariu dhe Muslimi)
Prandaj, në bazë të kësaj gjithëpërfshierje, Islamin e dallojnë edhe aspektet vijuese:
1. Nderimin ndaj njeriut, të cilin Allahu e ka dalluar nga krijesat tjera dhe ato ia ka vënë në dispozicion atij. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ne, vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur, në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam”. (El-Isra: 70)
2. Njohja ndërmjet vete duke nxitur për ndërtimin e raporteve të mira me shoqërinë islame dhe shoqëritë tjera që e rrethojnë besimtarin, duke pasur komshillëk të mirë, duke u bërë mirë dhe duke ua dashur të mirën atyre si dhe duke shkëmbyer të mirat që i posedojnë. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat) e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat: 13)
3. Realizimi i sigurisë dhe solidaritetit shoqëror duke e obliguar muslimanin që të interesohet për gjendjen e vëllezërve të tij muslimanë në përgjithësi. Profeti, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “I sheh besimtarët që, në mëshirën, dashurinë dhe solidaritetin e tyre ndërmjet vete, janë si një trup i vetëm; nëse një gjymtyrë e tij ankohet, i tërë trupi e bashkëndjen atë duke pasur dhimbje (temperaturë) dhe duke mbetur pa gjumë (s’ka rehati)”. (Buhariu dhe Muslimi)
4. Liria sipas kritereve fetare që e dallon atë nga liria e shthurur (shtazarake). Në bazë të kësaj lirie, çdokush ka të drejtë që të ketë:
a) Lirinë e të menduarit dhe të shprehjes së mendimit të tij sipas kritereve përkatëse. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju besimtarë, druajuni Allahut dhe thoni fjalë të drejta”. (El-Ahzab: 70)
b) Lirinë e posedimit të pasurisë dhe të fitimit në rrugë të lejuara. Allahu Fuqiplotë ka thënë: “Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato”. (En-Nisa: 32)
c) Lirinë e dijes dhe të mësuarit. Profeti, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Kërkimi i dijes është obligim për çdo musliman”. (Hadith i vërtetë që e transmeton Ibn Maxhe)
ç) Liria e përfitimit nga të mirat që Allahu i ka krijuar dhe i ka vendosur në këtë gjithësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj, ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, vetëm te Ai është e ardhmja”. (El-Mulk: 15)
5. Realizimi i sigurisë së përgjithshme, e që përfshinë:
a) Sigurinë e fesë, duke mos bërë shirk dhe duke thirrur për ibadet (adhurim) ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë”. (El-Bekare: 190)
b) Sigurinë e jetës. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush e mbyt një besimtar me qëllim, dënimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh”. (En-Nisa: 93)
c) Sigurinë e pasurisë. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të palejuar, e as mos u paraqitni me te (me ryshfet) te gjykatësit për të grabitur në mënyrë të padrejtë një pjesë të pasurisë së njerëzve, kur ju e dini (se pa të drejtë po e hani atë)”. (El-Bekare: 188)
ç) Sigurinë e nderit. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe”. (El-Isra: 32)
d) Sigurinë e mendjes nga gjërat që e dëmtojnë, si alkooli dhe droga. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (El-Maide: 90)
6. Garantimi i të drejtave. Islami ka vendosur disa të drejta dhe ka obliguar respektimin e tyre nga njerëzit, pa marrë parasysh dallimet ndërmjet tyre, me qëllim të bashkëjetesës, afërsisë dhe mbarëvajtjes së jetës fetare dhe shoqërore. Këto të drejta janë dy lloje:
a) Të drejta të veçanta. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Adhurone Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send, sillnu mirë ndaj prindërve, ndaj të afërmve, ndaj jetimëve, ndaj të varfërve, ndaj fqinjit të afërt, ndaj fqinjit të largët, ndaj shokut pranë vetes, ndaj udhëtarit të largët dhe ndaj robërve. Allahu nuk e do atë që është kryelartë dhe atë që lavdërohet”. (En-Nisa: 36)
b) Të drejta të përgjithshme. Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Mos kini zili ndërmjet vete, mos bëni dredhi në shitblerje, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos të ndërhyjë ndokush në shitblerjen e tjetrit, por bëhuni robër të Zotit dhe vëllezër. Muslimani është vëlla i muslimanit, nuk i bën padrejtësi atij, nuk e tradhton dhe nuk e nënçmon atë. Devotshmëria është këtu (duke bërë me shenjë në gjoks tri herë). I mjafton një njeriu për sherr (mëkat) ta nënçmojë vëllain e tij. Gjaku, pasuria dhe nderi i çdo muslimani janë të shenjta për muslimanin tjetër”. (Muslimi)
7. Mëshira e cila i përshinë të gjitha krijesat. Prej llojeve të saj janë:
a) Mëshira ndaj njerëzve. Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Të mëshirshmit i mëshiron i Gjithëmëshirshmi. Mëshironi banorët e tokës, do t’ju mëshirojnë banorët e qiellit. Farefisi (akraballëku) është lidhja jonë me Allahun; kush i ruan lidhjet me të afërmit e tij, Allahu i ruan lidhjet me të, e kush i ndërpret lidhjet me ta, Allahu i ndërpret lidhjet me të”. (Ahmedi, Albani e ka vlerësuar si të saktë)
b) Mëshira ndaj kafshëve, duke e bërë mëshirën ndaj tyre shkak për falje të mëkateve dhe për hyrje në Xhenet. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Një njeri, derisa ishte duke ecur, e kaploi etje e madhe. E gjeti një pus, zbriti tek uji i tij dhe piu ujë. Kur doli nga aty, e pa një qen që nxirrte gjuhën dhe merrte frymë me zor, si dhe hante dheun nga etja. Njeriu tha: E paska kapluar etja këtë qen ashtu siç më kishte kapluar mua më parë. Zbriti përsëri tek uji, e mbushi të mbathurën e tij me ujë dhe i dha qenit të pijë. Allahu e falënderoi për këtë dhe ia fali mëkatet e tij. Të pranishmit thanë: O i Dërguar i Allahut! A do të shpërblehemi për kafshët (nëse kujdesemi dhe ju bëjmë mirë atyre)? Ai tha: Po, për mirësi ndaj çdo gjallese ka shpërblim”. (Buhariu dhe Muslimi)
8. Këshillimi dhe konsultimi. Islami ka urdhëruar pasuesit e tij që këshillimin dhe konsultimin ta kenë metodologji jetësore për të gjitha çështjet: fetare apo të kësaj bote, të brendshme apo të jashtme. Allahu i Lartmadhëruar ka thënë: “Ti ishe i butë ndaj tyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do të shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet, e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që i mbështeten”. (Ali Imran: 159)
9. Barazia në mes të gjithë njerëzve sa i përket esencës së krijimit dhe zhvillimit; s’ka dallim në mes të mashkullit dhe femrës, në mes të bardhit dhe të ziut, e as në mes të arabit dhe joarabit në diçka tjetër përveç se në devotshmëri. Allahu i Lartësuar ka thënë: “O ju njerëz! Kinie frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një veteje (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra. Dhe kinie frikë Allahun në emrin e të Cilit përbetoheni, ruajeni farefisin (akraballëkun), se Allahu është mbikëqyrës mbi ju”. (En-Nisa:1)
10. Drejtësia në kuptimin e saj të gjerë, e që përfshinë drejtësinë me veten tonë dhe me njerëzit në përgjithësi. Allahu Fuqiplotë thotë: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim”. (En-Nahl: 90)
11. Paqja e përgjithshme; e brendshme dhe e jashtme. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “A doni t’ju tregoj për besimtarin e vërtetë? Është ai që njerëzit i besojnë për pasurinë dhe jetët e tyre. Musliman i vërtetë është ai që njerëzit janë të shpëtuar nga gjuha dhe dora e tij. Muxhahid (luftëtar në rrugë të Allahut) është ai që angazhohet në edukimin e vetes së tij në nënshtrim ndaj Allahut. Muhaxhir (emigrant) i vërtetë është ai që emigron (largohet) nga gabimet dhe mëkatet”. (Ahmedi, Albani e cilëson të saktë)
12. Nxitja për punë dhe fitim të mirë e të lejuar (hallall). Profeti i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Më mirë është që ndonjëri prej jush ta marrë litarin e tij, të shkojë të mbledhë dru, ta sjellë një deng mbi shpinën e tij e ta shesë, e me këtë Allahu t’ia ruajë fytyrën e tij, se sa të kërkojë lëmoshë nga njerëzit e të presë nga ta; i japin apo jo”. (Buhariu)
13. Pastërtia. Mësimet islame nxisin dhe urdhërojnë për pastërti, dhe atë me anë të praktikimit të gjërave vijuese:
a) Pastrimi i gojës dhe dhëmbëve pas ushqimit duke përdorur misvakun (mjet pastrues për gojë dhe dhëmbë). Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Sikur mos ta rëndoja umetin tim, do tu obligoja përdorimin e misvakut para çdo namazi”. (Muslimi)
b) Pastrimi i vendeve në të cilat mund të mblidhen mikrobet dhe papastërtitë. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Pesë gjëra janë nga fitreja (natyrshmëria): Synetia, rruajtja e qimeve nga pjesët e turpshme, shkulja e qimeve nga nënsqetullat, shkurtimi i mustaqeve dhe prerja e thonjve”. (Buhariu dhe Muslimi)
c) Pastrimi pas kryerjes së nevojës fiziologjike. Selmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Profeti, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, na ka ndaluar që të drejtohemi kah kibla kur ta kryejmë nevojën, të pastrohemi (marrim taharet) me dorën e djathtë, të pastrohemi me më pak se tre gurë (pastrim më pak se tre herë), si dhe të pastrohemi me bajgë apo asht”. (Muslimi)
ç) Kujdesi që rrobat të jenë të bukura dhe të pastra, kurse era të jetë e mirë. Allahu i Lartësuar thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni bukur për çdo namaz”. (El-A’raf: 31)
d) Pastrimi nga i cili varen shumë prej adhurimeve, e që është dy llojesh: Fizik (trupor) dhe kuptimor (shpirtëror, moral).
1. Pastrimi fizik është pastrimi i trupit nga papastërtia lëndore dhe ajo kuptimore (gjendje e trupit në të cilën nuk mund të kryhen disa adhurime, si p.sh. namazi, e që duhet marrë abdes apo gusël). Ky pastrim është kusht për të qenë disa adhurime të sakta dhe të pranuara, siç është kushtëzimi i vërtetësisë së namazit, të cilin besimtari e kryen pesë herë brenda njëzet e katër orëve, me marrje të abdesit. Pejgamberi i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Allahu nuk e pranon namazin pa pastrim, e as sadakanë nga pasuria haram”. (Muslimi)
Islami ka obliguar pastrimin e tërë trupit me ujë (guslin) pas xhunubllëkut, me anë të ajetit vijues: “Nëse jeni xhunubë, atëherë pastrohuni (lahuni)”. (El-Maide: 6) Gjithashtu e ka preferuar guslin gjatë kryerjes së disa riteve fetare, siç janë: namazi i xhumasë dhe i dy bajrameve, si dhe haxhi dhe umreja.
2. Pastrimi kuptimor, duke e pastruar shpirtin nga:
- Shirku. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Adhurone Allahun e mos i shoqëroni Atij asnjë send”. (En-Nisa: 36)
- Syfaqësia. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Pra shkatërrim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm. Ata që vetëm shtiren (sa për sy e faqe). Dhe nuk japin as sendin më të vogël (as hua)”. (El-Maun: 4-7)
- Vetëpëlqimi. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe mos shtrembëro fytyrën tënde prej njerëzve, mos ec nëpër tokë kryelartë, se Allahu nuk e do asnjë mendjemadh e që shumë lavdërohet”. (Lukman: 18)
- Mendjemadhësia. Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet ai që në zemrën e tij ka sadopak mendjemadhësi. Një njeri tha: O i Dërguar i Allahut, njeriu ka dëshirë që rrobat dhe këpucët e tij të jenë të mira (a llogaritet kjo mendjemadhësi). I Dërguari tha: Me të vërtetë Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve”. (Muslimi)

15) Islami fe e moralit:
Islami është fe e sjelljeve më të mira dhe më të larta morale. Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Me të vërtetë jam dërguar që t’i plotësoj sjelljet më të mira morale (në një transmetim: Kam ardhur ta plotësoj moralin e mirë)”. (Ahmedi, kurse Albani e ka vlerësuar si të saktë)
Prandaj, nuk ka sjellje dhe moral të mirë e që të mos ketë urdhëruar dhe nxitur për të dhe nuk ka sjellje apo moral të keq e që të mos ketë ndaluar dhe tërhequr vërejtjen nga ai. Gjithashtu ka sqaruar metodologjinë mbi të cilën muslimani i ndërton raportet me shoqërinë rreth tij dhe me njerëzit në përgjithësi. Kjo vërehet edhe në hadithin vijues: “Ke kujdes nga gjërat e ndaluara (largohu prej harameve) do të jesh adhuruesi (ibadetçiu) më i madh (prej më të mëdhenjve). Kënaqu me atë që ta ka caktuar Allahu, do të jesh njeriu më i pasur. Bëji mirë fqinjit, do të jesh besimtar i vërtetë. Duaje për njerëzit atë që e do për veti, do të jesh musliman i vërtetë. Mos e tepro me të qeshur, sepse të qeshurit e tepërt e vdes zemrën”. (Trimidhiu dhe Ahmedi)
I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, me qëllim të kalitjes së besimtarëve në këtë metodologji të pastër morale, ka treguar se si do të jetë fundi i atij që devijon nga kjo rrugë, duke thënë: “A e dini kush është i falimentuari? Ata thanë: I falimentuar tek ne është ai që nuk ka as para e as mall (nuk posedon gjë). Ai tha: I falimentuari i vërtetë nga umeti im është ai që vjen Ditën e Kijametit me namaz, zekat dhe agjërim, por vjen dhe ndërkohë ka sharë këtë, e ka akuzuar atë, e ka derdhur gjakun e tjetrit dhe ka rrahur tjetrin. Këtyre njerëzve do tu jepen nga të mirat e tij, e nëse përfundojnë të mirat e tij para se t’i shpaguajë këto padrejtësi, merren nga mëkatet e atyre që ju është bërë padrejtësi dhe i ngarkohen këtij, e më pas hidhet në zjarr”. (Muslimi)
 Nëpërmjet kësaj metodologjie, Islami synon ndërtimin e një shoqërie të bashkuar dhe të mëshirshme, të ndërtuar mbi dashuri dhe mirësi ndërmjet vete.
Pra, Islami është fe e moralit dhe edukatës në kuptimin e tyre të gjerë; karshi Allahut, pejgamberëve dhe njerëzve në përgjithësi. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull më një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër, e as gratë me gratë tjera, sepse mund të ndodhë që gratë e tjera të jenë më të mira se ato që përqeshin (duke nënçmuar njëri-tjetrin) dhe mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq. E ata që nuk pendohen, janë mizorë. O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgojoni njëri-tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin”. (El-Huxhurat: 11-12)
Islami është fe e besnikërisë (amanetit) në kuptimin e saj të gjerë; besnikëri ndërmjet muslimanit dhe Zotit të tij, në mes të muslimanit dhe njerëzve në përgjithësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. Allahu dëgjon dhe sheh si veproni”. (En-Nisa: 58)
Islami është fe e sinqeritetit. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Ta keni frikë Allahun dhe të jeni me ata të sinqertit”. (Et-Teube: 119)
Islami është fe e mbajtjes dhe realizimit të premtimeve dhe kontratave. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet)”. (El-Maide: 1)
Islami është fe e butësisë dhe mirësisë. Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Nuk gjendet butësia në një gjë vetëm se e zbukuron atë dhe nuk largohet (hiqet) nga një gjë vetëm se e shëmton atë”. (Muslimi)
Islami është fe e dashurisë, bashkimit dhe afërsisë. Profeti i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Nuk ka besuar askush prej jush (plotësisht) përderisa nuk e do për vëllain e vet atë që e do për vete”. (Buhariu dhe Muslimi)
 Sheriati islam e promovon këtë moral dhe edukatë në shoqëri nëpërmjet gjërave vijuese:
1. Urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja. Allahu Fuqiplotë thotë: “Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni Allahun.” (Ali Imran: 110)
2. Këshillimit të sinqertë ndërmjet vete. Allahu i Lartmadhëruar thotë: “Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm”. (El-Asr: 1-3)


Lexues i çmuar:

Pasimi dhe praktikimi i Islamit është dhuratë hyjnore të cilën e pranon dhe e shfrytëzon ai të cilit Allahu i Madhërishëm ia mundëson një gjë të tillë. Prandaj, kujdesu që të jesh prej të tillëve dhe ta pasosh këtë fe të vërtetë, e që Allahu nuk pranon adhurimin ndaj Tij vetëm se sipas mësimeve të saj. Mos u mjafto me kaq, por ftoi të tjerët në të. Duke hyrë në këtë fe, të bëhet e detyrueshme përcjellja e saj deri te ata që nuk u ka arritur shpjegimi i saj në formë të drejtë dhe të saktë. Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Transmetoni (përcillni) nga unë qoftë edhe një ajet të vetëm”. (Buhariu)
Besoj që veçoritë e Islamit, të përmendura në këtë libër, janë të mjaftueshme që ta nxisin kureshtjen tënde, ta lëvizin dhe provokojnë natyrshmërinë tënde të pastër dhe të shëndoshë për njohjen e kësaj feje, si dhe për largimin e paragjykimeve dhe akuzave që mediat devijuese ia bëjnë Islamit. Ti nuk ke parë dhe nuk kë dëgjuar për Islamin vetëm se atë që ato media ta kanë ofruar; se Islami është fe e prapambetur dhe fe e terrorizmit apo ke parë sjelljet e papërgjegjshme të disa muslimanëve, të cilët nga Islami dinë vetëm emrin e tij, e që me të vërtetë janë bërë shkak për paragjykimet dhe urrejtjen e jomuslimanëve ndaj fesë islame. Unë bëj lutje të sinqertë që Allahu ta ndriçojë mendjen dhe zemrën, që ta mundësojë që të vërtetën ta shohësh si të tillë dhe ta pasosh atë, kurse të kotën ta shohësh si të tillë dhe të largohesh nga ajo.


Përgëzim:

Lexues i çmuar! Prej mirësive të fesë islame është se kush hyn në të nga jomuslimanët, do të kenë shpërblim të dyfishtë; për besimin në Profetin e tij para hyrjes në Islam dhe për besimin e tij në Muhamedin, Lajmëtari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të. Allahu i Lartësuar ka thënë: “E atyre që Ne u dhamë librin përpara këtij, disa prej tyre i besojnë këtij (Kur’anit). Dhe kur u lexohet atyre, thonë: Ne i kemi besuar atij, ajo është vepër prej Zotit tonë, ne edhe para tij kemi qenë muslimanë. Atyre u jepet shpërblim i dyfishtë për arsye se bënë durim, dhe ata të keqen e largojnë me të mirën, e nga ajo që Ne i furnizuam, ata japin”. (El-Kasas: 52-54)
 Prano nga unë edhe një përgëzim tjetër: Faktin se Allahu i fshinë të gjitha gabimet dhe mëkatet që i ke bërë para hyrjes në Islam. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, ka thënë: “Islami i fshinë të gjitha mëkatet e bëra para hyrjes në të”. (Muslimi)
 Prano edhe përgëzimin e tretë: Allahu, pas hyrjes tënde në Islam, të këqijat dhe mëkatet tua të mëparshme i shndërron në vepra të mira. Kjo është mirësi nga Allahu, që Ai ia jep kujt të dojë. Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Përveç atij që është penduar dhe ka bërë vepër të mirë, të tillëve Allahu të këqijat ua shndërron në të mira. Allahu është mëshirues, ndaj Ai falë shumë”. (El-Furkan: 68-70)
 Këto janë mundësi të mira dhe i lumtur do të jetë ai që i shfrytëzon ato. Ke kujdes nga vonimi i pendimit. Dije se i zgjuar është ai që e kontrollon dhe llogaritë veten e tij, si dhe punon atë që i bën dobi pas vdekjes, kurse i dobët e injorant është ai që pason epshet e veta dhe megjithatë shpreson në faljen e Allahut (shpresë e pa mbështetur në pendim e as në punë të mira).
 
 Përshëndetjet dhe salavatet tona ia dërgojmë Pejgamberit tonë, Muhamedit, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të, familjes dhe shokëve të tij.
 Lavdërimet dhe falënderimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve.

 

 
www.islamland.com