Toleranca në Islam

Toleranca në Islam
سماحة الإسلام باللغة الألبانية

 

Dr. Abd Ar-Rahmân bin Abd Al-Kareem Ash-Sheha
د. عبد الرحمن بن عبد الكريم الشيحة


Përktheu:
EUROPEAN ISLAMIC RESEARCH CENTER (EIRC)
المركز الأوروبي للدراسات الإسلامية
& Rasim Haxha
Redaktori: Llokman Hoxha
Lektori: Agim Abazi

 
www.islamland.com

 


بسم الله الرحمن الرحيم
Toleranca në Islam

Të gjitha falënderimet i takojnë vetëm Allahut, ndërsa paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e fundit Muhamedin, mbi familjen dhe shokët e tij.
Ajo që e veçon Islamin nga fetë e tjera, njëherit është edhe ndër faktorët kryesorë që ndikuan në përhapjen e tij te jomuslimanët, sepse ai është i thjeshtë për ta kuptuar, përmban mësime të lehta, promovon tolerancë në raport me të tjetër dhe nuk bie ndesh me natyrshmërinë e pastër njerëzore. Madje Islami haptas e shpreh përputhshmërinë e tij me këtë natyrshmëri dhe mosndeshjen me të. Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë thotë:
“Përqendrohu në vetveten tënde sinqerisht në fenë, i larguar prej çdo të kote, (e ajo fe), feja e Allahut në të cilën i krijoi njerëzit, s’ka ndryshim (mos ndryshoni) të asaj natyrshmërie të krijuar nga Allahu, ajo është feja e drejtë por shumica e njerëzve nuk e dinë”. (Er-Rrum: 30)
Për ta qartësuar këtë, do të sjellim shembullin e instinktit seksual. Islami atë nuk e konsideroi të fëlliqur, as nuk e ndaloi, madje porositi që përmbushja e këtij instinkti të bëhet sa më parë që është e mundur. Në lidhje me këtë thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe martoni të pamartuarat (të pamartuarit) edhe robërit e robëreshat tuaja që janë të ndershëm e të ndershme. Nëse janë të varfër, Allahu i begaton nga mirësitë e Tij, Allahu është Bujar i madh, i Gjithëdijshëm”. (En-Nur: 32)
Gjithashtu edhe i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, i motivoi besimtarët në përmbushjen e kësaj nevoje (instinkti seksual), ku thotë: “O ju të rinj! Kush ka mundësi nga ju për t’u martuar, le të martohet, ngase martesa atij do të ia ruajë syrin (nga shikimi haram) dhe organet gjenitale (nga prostitucioni). E kush nuk ka mundësi, lë të agjërojë, ngase agjërimi do të jetë mburojë për të”. (Buhariu dhe Muslimi)
Në anën tjetër, përmbushjen e nevojës seksuale megjithëse e lejoi, caktoi për të kushte dhe rregulla, e rregulloi atë dhe tregoi rrugën e saktë për përmbushjen e saj. Ajo rrugë është martesa legjitime.
Përmes martesës arrihet prehja të cilën e synon secili prej nesh. Përmes saj formohet dashuria, e cila participon në ruajtjen dhe kultivimin e jetës bashkëshortore. Sikur që përmes saj arrihen pasardhësit, gjë që shkakton te secili nga bashkëshortët një lloj sigurie në këta pasardhës, të cilët janë rezultat i martesës legjitime dhe lidhjes së shenjtë, për të cilën Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje te ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë”. (Er-Rrum: 21)
Çdo rrugë tjetër, përmes së cilës mund të përmbushet motivi seksual, Islami e ndaloi, sepse përmes atyre rrugëve ndodhin shumë gjëra të liga si: përhapja e sëmundjeve të ndryshme, ndërprerja e lindshmërisë dhe vazhdimit të llojit njerëzor, lindja e fëmijëve të jashtëligjshëm (kopil), të cilët nuk do të gjejnë asnjëherë rehati shpirtërore dhe gjithnjë do të mbajnë mllef për shoqëritë ku jetojnë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë e keqe”. (El-Isra: 32)
     Edhe pse Islami caktoi martesën, ai nuk e bëri me pamundësi ndarjeje, përkundrazi, nëse të dy bashkëshortët nuk mund të vazhdojnë jetën e tyre bashkëshortore, atëherë Islami caktoi shkurorëzimin sipas rregullave të caktuara, të cilat ia ruajnë të drejtat secilit bashkëshort duke u kujdesur edhe për anën emocionale të tyre.
E tërë kjo për faktin se Islami synon formimin e familjes së shëndoshë, e cila do të jetë pjesë e shoqërisë, prej ku pastaj çdo individ do të jetë në gjendje që me komoditet të kryejë funksionet e tij fetare e jetësore. Në këtë formë ai do të jetë aktiv dhe produktiv.
Në të gjitha çështjet e natyrshmërisë njerëzore, Islami e ndjek rrugën e lehtësisë dhe mosngarkesës me atë që njeriu nuk mund ta kryejë; qofshin ato fjalë apo dhe vepra. Kjo metodë me plot meritë e bën Islamin fe e cila shfuqizoi të gjitha fetë e mëhershme, fe të cilën Allahu i Lartësuar e zgjodhi për gjithë njerëzimin, kush e përqafon atë do ta arrijë lumturinë e kësaj bote; qetësinë shpirtërore, të cilën nuk e kupton veç ai që e ka përjetuar kënaqësinë e besimit në zemrën e vet, sikur që e pret lumturia e botës tjetër, lumturi e cila realizohet në qëndrim të përhershëm në Xhenet, hapësira e të cilit është sa hapësira e tokës dhe qiejve dhe është përgatitur për njerëzit e devotshëm.
Ndërsa ai që me drejtësinë dhe urtësinë e Allahut privohet nga ky Islam, edhe pse nga jashtë mund të shtiret se është i lumtur, do të jetojë me gjoks të ngushtuar e të ngurtësuar në këtë botë, ndërsa ajo që e pret në Botën e Përhershme është edhe me e keqe dhe më e rëndë, Allahu na ruajttë prej saj!
Meqë njeriu me natyrshmërinë që ka, nuk mund t’i shmanget mangësive e lëshimeve, atëherë edhe Islami është feja më tolerante, sidomos në raport me Allahun, ngase obligimet ndaj Allahut janë të ngritura mbi bazën e faljes dhe të tolerancës.
Falja dhe toleranca përfshijnë të gjitha obligimet e njeriut ndaj Allahut, përveç një, e ai është obligimi i besimit dhe njësimit të Allahut, i Cili në asnjë formë nuk pranon që Atij t’i përshkruhet ortak, sikur që nuk pranon që ndonjë formë e adhurimit t’i dedikohet dikujt tjetër pos Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt të do”. (En-Nisa: 48)
Islami i ofroi muslimanit rrugëdalje nga çdo gabim apo mëkat që mund ta bëjë. Ai i drejtohet logjikës së tij duke e kuruar anën shpirtërore të tij përmes hapjes së mundësisë së pendimit, që në këtë mënyrë të largohet nga mëkati, sikur që bëri që vendosmëria e mëkatarit për moskthim në mëkat përsëri ta fshijë mëkatin e bërë.
Allahu i Lartësuar që është më Bujari dhe më Fisniku, bëri që karshi faljes së mëkatit, ky pendestar të arrijë edhe shpërblim nga Allahu, ngase ai hoqi dorë nga mëkati nga frika prej Allahut dhe njëherit duke shpresuar në arritjen e shpërblimit tek Ai.
A ka bamirësi më të madhe se kjo?
Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues”! (Ez-Zumer: 53)
Allahu i Lartësuar rrugën e pendimit e bëri të lehtë, nuk ka lodhje e mundim në të.
Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën ndonjë të keqe apo ngarkon veten, pastaj kërkon falje te Allahu, ai e gjen Allahun falës dhe Mëshirues”. (En-Nisa: 110)
Gjithashtu thotë: “Ai është që pranon pendimin e robërve të vet dhe shlyen të këqijat dhe e di çka punoni”. (Esh-Shura: 25)
Kujdesi i veçantë i Islamit ndaj mëkatarit shprehet edhe përmes ndërlidhjes së faljes së mëkateve me pendim prej tyre, sado që ato përsëriten. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Djalli tha: Pasha krenarinë Tënde, o Zoti im, unë vazhdimisht do të orvatem t’i devijoj robërit e Tu përderisa të jenë gjallë. Allahu i tha: Pasha madhërinë dhe krenarinë Time, edhe unë vazhdimisht do t’i fali përderisa ata kërkojnë falje”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
Islami po ashtu nuk ia llogarit për mëkat robit, të gjitha ato mëkate që bëhen si rezultat i detyrimit, harresës apo gabimit, duke mos pasur qëllim rënien në to. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu i Lartësuar nuk do t’i llogarisë robërit e Tij për mëkatet që bëhen gabimisht (pa qëllim), që bëhen nga harresa dhe nën presionin e detyrimit”. (Ibën Maxhe, e saktësoi Albani)
Në Islam dera e pendimit vazhdimisht është e hapur, në çdo kohë dhe në çdo situatë, deri në momentin e fundit të jetës së njeriut në këtë botë, pra, nuk ka kohë apo vend të caktuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Pendim i pranueshëm te Allahu është vetëm ai i atyre që kur bëjnë të keqen me mosdije shpejt pendohen; të tillëve Allahu ju pranon pendimin, se Allahu është më i Dijshmi, më i Urti. Nuk është pendim (i pranueshëm) i atyre që vazhdimisht bëjnë punë të këqija dhe vetëm atëherë kur t’i vjen vdekja ndonjërit prej tyre, të thotë: “Unë tash u pendova!” e as i atyre që vdesin duke qenë jobesimtarë. Ndaj tyre kemi përgatit dënim të ashpër”. (En-Nisa: 17-18)
Gjithashtu i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu ia pranon pendimit çdonjërit përderisa nuk arrijnë momentin e dorëzimit të shpirtit”. (Ahmedi, Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
Në Islam nuk ka vend dëshpërimi dhe humbja e shpresës nga mëshira dhe falja e Allahut. Këtë derë Islami e mbylli me kohë dhe tregoi se këto cilësi janë të atyre që e mohojnë Allahun. Allahu i Lartësuar thotë: “... e mos e humbni shpresën nga mëshira e Allahut, pse vetëm populli jobesimtarë e humb shpresën në Allahun”. (Jusuf: 87)
Kjo për faktin që falja e mëkateve realizohet me pendim dhe kërkim falje, sikur që tregon i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është jeta ime, sikur ju të mos bënit mëkate, Allahu do t’ju zhdukte nga sipërfaqja e tokës, e në vend tuajin do të sillte njerëz të cilët bëjnë mëkate, pastaj do të kërkonin falje dhe Allahu do t’i falte”. (Muslimi)
Islami e hapi derën e shpresës duke e cilësuar pendimin nga veprat të cilat i do Allahu, gëzohet dhe kënaqet me to, gjë kjo e cila e inkurajon besimtarin për pendim. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu i gëzohet pendimit të besimtarit më tepër se njeriu i cili me kafshën në të cilën ka ushqimin dhe ujin, udhëton nëpër shkretëtirë vrasëse. Për një moment zbret nga kafsha dhe e zë gjumi. Kur zgjohet sheh se kafsha ka ikur. Duke e kërkuar atë, e kaplon etja, dhe në vete thotë: të kthehem në vendin ku isha, të fle aty derisa të më arrijë vdekja. E vendosi kokën mbi krah që të fle deri në vdekje. Kur u zgjua, para vetes pa kafshën e cila bashkë me ushqimin dhe ujin ishte kthyer. Me të vërtetë Allahu i gëzohet pendimit të besimtarit më tepër sesa ky njeri që i gëzohet kafshës dhe furnizimit që është me të”. (Muslimi)
Gjatë leximit të këtij libërthi, do të kuptosh qartë tolerancën dhe lehtësinë e dispozitave të fesë dhe të jetës së përditshme, të cilën e përmban Islami në të gjitha fushat jetësore, si në rrafshin individual ashtu edhe në atë kolektiv.
Ndaj pak nga koha jote për t’u njohur me Islamin. Assesi mos prano që të gjykosh Islamin në saje të sjelljeve individuale të cilat i hasim tek disa muslimanë injorantë apo mendjelehtë. Nëse bindesh në to, atëherë kjo është një dhunti me të cilën të begatoi Allahu i Lartësuar, e nëse jo, atëherë së paku e rrit diapazonin e njohurive tua me informacione të sakta për Islamin, duke krijuar perceptim të drejtë për Islamin larg nga tentimi për devijimin e realitetit dhe njollosjes së tij, që po mundohen ta bëjnë ata që e armiqësojnë këtë fe.
Bindu se çdo gjë që e bie ndesh me natyrshmërinë e pastër dhe logjikën e shëndoshë njerëzore, në asnjë mënyrë nuk i përket Islamit. Është për t’u habitur me njerëzit të cilët duke kërkuar lumturinë gjithandej, përqafojnë besime e ideologji që bien ndesh me natyrshmërinë e pastër, me mendjen dhe zemrën e shëndoshë, duke e harruar fenë e vërtetë (Islamin).
Një veprim i tillë është inspirim nga djalli, i cili mundohet t’i mashtrojë njerëzit dhe t’i ndalojë ata nga feja e drejtë, ngase ai është i bindur se me përqafimin e kësaj feje, ata do ta arrijnë lumturinë e kësaj bote dhe botës së amshuar.
Njëherit ky është edhe zotimi i djallit të cilin e bëri ditën që u largua nga mëshira e Allahut. Allahu thotë: “Ai tha: “Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë. Përveç atyre që janë të sinqertë nga robërit e Tu!”. (Sad: 82-83)
Binduni se përqafimi i Islamit është dhunti dhe sukses hyjnor, Allahu me të e begaton atë që do prej robërve të Tij.
Allahu ia lehtëson rrugën e Islamit të gjithë atyre që janë të sinqertë, atyre që seriozisht hulumtojnë dhe me dëshirë të flaktë të vërtetën e kërkojnë.
Atëherë mundohu që të jesh nga të tillët. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të shprehin ty mirënjohësi (ta përmendin) që u bënë myslimanë. Thuaj: “Pranimin tuaj të fesë islame mos ma njihni (mos ma përmendni) mua, por nëse jeni të sinqertë Allahu juve ju bëri mirë, kur ju udhëzoi për besim”. (El-Huxhurat: 17)

Dr. Abd Ar-Rahmân bin Abd Al-Kareem Ash-Sheha
 
www.islamland.com

 


Feja e vetme e pranuar tek Allahu është Islami
Islami është feja me të cilën Allahu i Lartësuar dërgoi të gjithë pejgamberët që nga Ademi, paqja e Allahut qoftë mbi të. Është feja e vetme me të cilën Ai është i kënaqur që të jetë fe për njerëzit dhe xhinët deri në përfundimin e kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim feja e vetme e pranuar te Allahu është Islami”. (Ali Imran: 19)
Islami erdhi me thirrjen për njësimin e Allahut, adhurimin me sinqeritet vetëm të Tij, që nuk ka ortak. Kjo është thirrja (feja) e të gjithë pejgamberëve. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ai u përcaktoi juve fe atë që i pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të...” (Esh-Shura: 13)
Të dërguarit që ishin para Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dërgoheshin vetëm tek popujt e tyre dhe në periudha të caktuara kohore. Pasi që vdiste i Dërguari dhe kalonte kohë e gjatë, dhe kur njerëzit devijonin nga e vërteta e tek ta përhapej idhujtaria, tirania e padrejtësia, Allahu i Lartësuar dërgonte tjetër pejgamber që t’i ngjallte mësimet e harruara nga shpallja hyjnore dhe ta përtërinte thirrjen për njësimin e Allahut dhe mos përshkrimit ortak Atij. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largohuni nga adhurimi i tjetërkujt pos Allahut”. (En-Nahl: 36)
Pas një ndërprerje të dërgimit të pejgamberëve, dërgohet Muhamedi paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, vulë e të gjithë të dërguarve, si dhe shpallja e tij (Kur’ani) është përmbyllje e të gjitha librave të shpallur para tij. U dërgua përgëzues dhe qortues për të gjitha botët; njerëzit dhe xhinët, për arabët dhe joarabët, për të bardhët dhe të zinjtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk të dërguam ty (o Muhamed) ndryshe vetëm se për të gjithë njerëzit, myzhdedhënës dhe tërheqës i vërejtjes...”. (Sebe’: 28)
Prandaj, detyrimisht kjo shpallje dhe ky legjislacion gëzon specifika të cilat e dallojnë (lartësojnë) nga të gjitha shpalljet para saj, në mënyrë që të ecë krahë përkrah me zhvillimet në shoqëri. Që të jetë në gjendje t’i drejtohet të gjithë njerëzve pa dallim race a etnie. Pra, nga specifikat e kësaj feje është se ajo është fe internacionale, e mëshirshme për mbarë njerëzimin, sikur që tregon Allahu i Lartësuar: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat”. (El-Enbija: 107)
Në të njëjtën kohë Islami, me dispozitat që përmban, të cilat e rregullojnë në mënyrën më të mirë statusin e individit dhe shoqërisë, i rregullojnë raportet me shoqëritë e tjera përreth është i kompletuar dhe gjithëpërfshirës. Në këtë mënyrë ai e gëzon kontinuitetin dhe përjetësinë të cilën ia garantoi Allahu i Lartësuar dhe mbetet valid për çdo vend dhe për çdo kohë deri në përfundim të kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë: “... Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe...”. (El-Maide: 3)
Meqë toleranca dhe lehtësia nxisin në përqafimin e bindjeve, atëherë edhe Islami është i ndërlidhur ngushtë me tolerancën. Kjo tolerancë konkretizohet në thjeshtësinë e dispozitave, lehtësinë në adhurime si dhe në hapësirën e mjaftueshme dhe lehtësinë me të cilat karakterizohen të gjitha dispozitat e Islamit, që të ketë mundësi çdonjëri sipas mundësisë së tij të përmbush këto dispozita në çdo vend dhe në çdo kohë mbi sipërfaqe të tokës, në përputhshmëri me rregullën e përgjithshme kur’anore: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta...”. (El-Bekare: 283)
Gjithashtu edhe në pajtim me fjalën e të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Mjaftohuni me ato dispozita që ua komunikoj (mos pyesni shumë për detaje), ngase ajo që i shkatërroi popujt që ishin para jush ishte pikërisht pyetjet e shumta dhe kundërshtimi i pejgamberëve të tyre. Kështu që, nëse ju ndaloj prej ndonjë gjëje, largohuni (plotësisht) nga ajo, e nëse ju urdhëroj me diçka, atëherë kryeni atë sipas mundësisë që keni”. (Buhariu)
Toleranca është rregulla themelore mbi të cilën është ndërtuar i tërë legjislacioni islam, duke filluar nga gjërat më të larta që janë dispozitat e bindjeve (besimit) e deri te ato më të ulëtat, duke i ikur shtrëngimit me të cilin do të ndaloheshin gjërat e lejuara, por edhe liberales me të cilin do të lejoheshin gjërat e ndaluara.
Meqë këto dispozita janë të caktuara për njerëzit, të cilët me natyrshmërinë që kanë, nuk mund t’i shmangen mangësive e lëshimeve, sikur që ata kanë ndjenja dhe emocione, por edhe mundësi të kufizuara, atëherë vjen në shprehje toleranca e fesë islame, e cila është në përputhshmëri të plotë me këtë natyrshmëri njerëzore, duke i pasur në konsideratë mangësitë dhe mundësitë e kufizuara të njeriut. Në këtë mënyrë, Islami secilit sipas mundësive dhe rrethanave ia mundëson përmbushjen e dispozitave që ai i caktoi. Thotë Allahu i Lartësuar: “(Allahu) nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi...”. (El-Haxh: 78)
Toleranca i përfshin të gjitha dispozitat e Islamit, për faktin që ato janë të lehta, nuk ka vështirësi të mëdha në to. Ato janë të dashura për të gjitha kategoritë e njerëzve në shoqërinë islame, të cilët më kënaqësi i përmbushin dhe i jetësojnë ato. Këtë e dëshmuan edhe shumë jomuslimanë objektiv.
Dispozitat e Islamit kujdesen për të pasurin sikur që kujdesen për të varfrin. Ato kanë në konsideratë të shëndoshin, por edhe të sëmurin, të rriturit dhe fëmijët, mashkullin dhe femrën, prijësin dhe popullatën, kujdeset edhe për rrethanat kohore e vendore.
Njerëzimi nuk njeh legjislacion mesatar të ndërtuar mbi tolerancë e lehtësi siç është Islami, ngase ky legjislacion korrespondon plotësisht me dobësitë e natyrës njerëzore, për të cilën thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu dëshiron t’ju lehtësoj (dispozitat), e megjithatë njeriu në esencën e krijimit është i dobët (për t’ju përballuar epsheve)”. (En-Nisa: 28)
Toleranca dhe lehtësia e Islamit nuk kufizohet vetëm me pjesëtarët e tij, përkundrazi që nga dërgimi i Muhamedit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, me këto karakteristika Islami i joshi besimtarët e feve të tjera, të cilët gjenin shumë vështirësi e mundime në fetë e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që pasojnë të Dërguarin (Muhamedin), që nuk shkruan as nuk lexon, të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar me virtytet e tij), tek ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e rëndë dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë atë, i besojnë asaj që erdhi me të dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që u zbrit me të, të tillët janë të shpëtuarit”. (El-A’raf: 157)
Tolerancën islame e hasim edhe në aprovimin e përgjigjeve të bazuara në dituri të fesë për çështje të caktuara, siç veproi i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kur e dërgoi Muadh bin Xhebelin për t’ua mësuar Islamin banorëve të Jemenit, të cilit i tha: “Si do të veprosh? Do të veproj sipas mësimeve të Kur’anit. E nëse nuk gjen aty përgjigje (për ndonjë ndodhi)? Do të shikoj në Sunetin (fjalët veprat dhe miratimet) e të Dërguarit. E nëse edhe aty nuk gjen? Do të veproj sipas mendimit tim (të cilin do ta ndërtoj mbi mësimet e përgjithshme të Kur’anit dhe Sunetit). Pas kësaj i Dërguari ia vendosi dorën në gjoks dhe tha: Falënderimi i takon Allahut i Cili bëri që i dërguari i të Dërguarit të Allahut të veprojë saktë”. (Ebu Davudi, e saktësoi Ahmed Shakiri)
Kjo e bën Islamin fe që pranon zhvillimin dhe është valide për çdo kohë dhe çdo vend.
Islami ka parime, rregulla dhe dispozita gjenerale, të cilat nuk ndryshojnë me ndryshimin e vendit apo kohës, siç janë: besimi, namazi; numri i rekateve dhe kohët e tij, sasia dhe llojet e pasurisë që jepet zekati për to, agjërimi dhe koha e tij, haxhi forma dhe koha e tij.
Ndërkohë që për të nxjerrë dispozitë për çështje të reja, fillimisht hulumtojmë në Kur’an, nëse aty gjejmë dispozitë për to, atëherë veprojmë sipas tij dhe nuk shikojmë diku tjetër. Nëse në Kur’an nuk e gjejmë, atëherë shikojmë nga Suneti i saktë i të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Nëse e gjejmë aty, veprojmë sipas tij, e nëse nuk e gjejmë, atëherë këtu vjen në shprehje mundi dhe angazhimi i dijetarëve të mirëfilltë për të dhënë mendimin e tyre për ato ndodhi, sepse kështu vepruan dijetarët përgjatë historisë.
Në këtë mënyrë realizohet dobia e përgjithshme, sikur që realizohet përputhshmëria e Islamit me rrethanat dhe situatën e shoqërive nëpër kohë të ndryshme. Gjithashtu duke i trajtuar këto ndodhi mbi rregullat e përgjithshme të Islamit të cilat burojnë nga Kur’ani dhe Suneti si:
-    Në esencë gjërat janë të lejuara,
-    Ruajtja e dobisë (interesit) së përgjithshme,
-    Ndërtimi i dispozitave mbi bazën e lehtësisë dhe shmangies së vështirësisë së madhe
-    Largimi i gjërave të dëmshme,
-    Në situata të jashtëzakonshme lejohen (disa nga) gjërat e ndaluara,
-    Situatat e jashtëzakonshme duhet të vlerësohen drejtë,
-    Largimi i dëmit ka përparësi në raport me realizimin e dobisë (kur këto dyja ndeshen në mes vete),
-    Veprohet dëmi i vogël për t’i ikur dëmit të madh,
-    Dëmi nuk (bën të) largohet me dëm
-    Veprohet dëmi që ndërlidhet me individin për t’i ikur dëmit që ndërlidhet me shoqërinë. Dhe shumë parime e rregulla të tjera të ngjashme.
Veprimi sipas mendimit të dijetarëve, nuk është për qëllim mendimi i ndërtuar mbi qejfe e epshe, por mendimi përmes të cilit realizohet dobia për shoqërinë dhe që nuk ndeshet me tekstet e Kur’anit dhe të Sunetit. E tërë kjo, për t’i siguruar Islamit qëndrueshmëri dhe validitet për çdo kohë dhe çdo vend. Kjo nuk është diçka pabazë, përkundrazi ai që shfleton tekstet e Kur’anit dhe të Sunetit, e sheh qartë thirrjen e Islamit në tolerancë dhe lehtësi.


Metodologjia e tolerancës në Islam
Të flasësh për tolerancën në Islam nënkupton të flasësh për tërë Islamin dhe jo vetëm për një pjesë të tij. Kjo, ngase toleranca përfshinë çdo segment të Islamit, siç thotë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Më i kapuri nga ju për fe është ai që vepron në bazë të lehtësisë (pa tejkaluar kufijtë)”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
Gjithashtu thotë: “Mënyra më e dashur tek Allahu e praktikimit të fesë, është ajo që nuk i tejkalon kufijtë dhe është e lehtë”. (Buhariu)
Islami është metodologji e kompletuar e tolerancës, ai është fe mesatare (pa teprim dhe pa neglizhin). Thotë Allahu i Lartësuar: “Derisa ashtu (sikur ju udhëzuam në fenë islame) Ne ju bëmë juve një popull të drejtë (një mes të zgjedhur) për të qenë ju dëshmitarë (në Ditën e Gjykimit) ndaj njerëzve, dhe për të qenë i Dërguari dëshmitar ndaj jush”. (El-Bekare: 143)
1.    Islami promovon tolerancë në fushën e politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Thotë Allahu i Lartësuar: ”Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë”. (El-Mumtehine: 8)
2.    Promovon tolerancë në fushën sociale. Thotë Allahu i Lartësuar: “O ju njerëz, vërtetë Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se te Allahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur e Allahu është i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë”. (El-Huxhurat: 13)
3.    Tolerant në fushën e moralit dhe etikës. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ti (Muhamed) merre të lehtën, urdhëro për të mirë dhe hiqu prej të padijshmëve”. (El-A’raf: 199)
Gjithashtu thotë: “Të cilët japin kur janë në mirëqenie edhe kur janë në vështirësi dhe që e frenojnë mllefin, që i falin njerëzit, e Allahu i do bamirësit”. (Ali Imran: 134)
Gjithashtu thotë: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj, (të keqen) ktheje me mirësi, se atëherë ai, mes teje dhe të cilit ka armiqësi, do të bëhet (si) mik i afërt”. (Fusilet: 34)
4.    Tolerant në fushën e adhurimeve. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, e Ne as që obligojmë ndokënd çka nuk ka mundësi (të veprojë), të tillët janë banues të Xhenetit dhe në të janë përgjithmonë”. (El-A’raf: 42)
5.    Tolerant në fushën e ekonomisë. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ata që e hanë kamatën nuk ngrehen ndryshe pos siç ngrehet i çmenduri nga të prekurit e djallit. (Bëjnë) kështu ngase thanë: shitblerja nuk është pos kamatë! e Allahu ka lejuar shitblerjen, ndërsa ka ndaluar kamatën. Atij që i ka ardhur këshillë (udhëzim) prej Zotit të tij dhe është ndalur (prej kamatës) i ka takuar e kaluara dhe çështja e saj mbetet te Allahu, e kush e përsërit (pas ndalimit), ata janë banues të zjarrit, ku do të mbesin përgjithmonë”. (El-Bekare: 275)
6.    Tolerant në raporte të ndërsjella. Thotë Allahu i Lartësuar: “E ti robve të Mi thuaju: “Le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli nxit konflikt mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut”. (El-Isra: 53)
7.    Tolerant në fushën e arsimimit dhe edukimit. Thotë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos i largoni të tjerët (me kërcënime)”. (Buhariu dhe Muslimi)
Tekstet e Kur’anit dhe Sunetit përmes anës praktike, ftojnë në rrënjosjen e metodologjisë së lehtësisë e tolerancës në shoqërinë islame në nivel individi, siç thotë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Nuk futet butësia diku vetëm se e zbukuron atë, dhe nuk mënjanohet nga aty, vetëm se e shëmton”. (Muslimi)
Gjithashtu thotë: “Fali (të tjerët), që të jesh i falur (nga Allahu)”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
Po ashtu thotë: “Me të vërtetë Allahu e do butësinë në çdo gjë”. (Buhariu dhe Muslimi)
Sa i përket tolerancës në nivelin kolektiv, i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, bëri lutje për atë prijës që ndaj besimtarëve sillet me butësi, tolerancë e lehtësi, ai tha: “O Allah, ai që caktohet prijës i umetit (besimtarëve) tim dhe i mundon ata, vështirësoja punët atij, ndërsa ai që caktohet udhëheqës dhe sillet me butësi, bëhu i butë ndaj tij”. (Muslimi)
Islami përmes metodave të ndryshme nxit për tolerancë, duke bërë shkak për t’u futur në Xhenet dhe për të shpëtuar nga Zjarri. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ai që është i qetë, i butë, i afërt (me sjellje), Allahu do ta amnistojë nga Zjarri”. (Hakimi, e saktësoi Albani)
Një gjë duhet ditur se parimi i tolerancës dhe lehtësisë - në veçanti çështjet rituale - nuk mendohet në asnjë mënyrë që ai (parimi) të përdoret për rrënimin e qëllimeve gjenerale të Islamit; gjegjësisht lejimin e gjërave të ndaluara apo ndalimin e gjërave të lejuara (në emër të tolerancës). Sikur që nuk nënkupton mosjetësimin e dispozitave të Islamit, mosrealizimin e urdhrave të tij apo rrënimin e botëkuptimeve të përgjithshme të Islamit e të etikës së përgjithshme.
Toleranca dhe lehtësia duhet të jenë larg çdo lloj dhune, vrazhdësie, e mëkati. Aisheja; bashkëshortja e të Dërguarit, Allahu qoftë e kënaqur me të, thotë: “Nuk është gjetur i Dërguari përballë dy opsioneve, vetëm se ka vepruar sipas atij më të lehtit, përderisa nuk ka qenë mëkat, e nëse ka qenë mëkat, atëherë ai ka qëndruar sa më larg tij. Sikur që i Dërguari nuk hakmerrej asnjëherë për vetveten, përveç kur tejkaloheshin kufijtë e Allahut, atëherë hakmerrej për këtë shkelje”. (Buhariu dhe Muslimi)
Nga kjo që u përmend, mund të përjashtohen disa raste specifike të jashtëzakonshme, për të cilat ekzistojnë dispozita të veçanta.
Në vazhdim do të përmendim disa rrafshe për të shtjelluar tolerancën e Islamit në to.


Toleranca islame në rrafshin e bindjeve (besimit)
Çështjet e besimit në Islam janë baza mbi të cilën ndërtohet e tërë feja, ato janë shtylla kryesore e fesë dhe që nuk ka zëvendësim për to, përderisa nuk mund të paramendohet një fe pa to. Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përveç këtij (mëkati) ia fal kujt të do”. (En-Nisa: 47)
Ndër format e tolerancës islame në çështje të besimit, veçojmë:
1.    Besimi islam është shumë i qartë, në të nuk ka mjegulli e as paqartësi. Ai është aq i lehtë saqë mund ta kuptojë i padituri para se atë ta kuptojë i dituri, e kupton i mituri para se ta kuptojë i rrituri. Ai urdhëron në besim në Allahun dhe adhurimin vetëm të Tij pa i përshkruar ortak dhe pa pasur nevojë për ndërmjetës.
Besimin islam e kuptojnë të gjithë, ngase ai nuk është vetëm për një shtresë të caktuar të njerëzve, sikur që nuk manipulon me mendjen njerëzore përmes urdhrit për të adhuruar krijesa apo gurë e dru të ndryshëm. Ky besim meqë është i thjeshtë për ta kuptuar, atë e kuptoi me lehtësi edhe beduini (malësori), i cili kur u pyet se si e njohu Zotin, me modestinë e tij u përgjigj: “Bajga tregon për ekzistimin e kafshës, gjurmët e këmbëve tregojnë për ecjen, ndërsa nata e errët, toka me shumë shtigje, qielli me shumë kate, a nuk tregojnë për ekzistimin e Atij që është i Butë dhe i Urtë (Allahu)?
2.    Islami i obligoi pjesëtarët e vet që të besojnë në të gjithë pejgamberët që u dërguan më herët dhe në të gjithë librat që u shpallën më herët. Thotë Allahu i Lartësuar: ”I Dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të Tij, si dhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, melekëve të Tij dhe të dërguarve të Tij. “Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të Dërguarit e Tij”, dhe thanë: “Dëgjuam dhe respektuam. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë, te Ti është ardhmëria (jonë)”. (El-Bekare: 285)
3.    Islami nuk e detyron asnjë njeri, kushdo që të jetë ai, që ta pranojë atë, vetëm se me bindje dhe vullnet. Allahu i Lartësuar thotë. “Në fe nuk ka dhunë”. (El-Bekare: 256)
Kjo për faktin që njerëzit i përkasin besimeve (feve) të ndryshme me dëshirën e Allahut, pra, nuk i takon askujt që t’i detyrojë njerëzit të futen në Islam, Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t’i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti di t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?”. (Junus: 99)
Pasi që njeriut t’i arrijë thirrja për të pranuar Islamin, dhe t’i jetë shpjeguar mirë, ai është i lirë të zgjedh besimin (fenë), ngase Islami e pranon lirinë e njeriut për të pranuar apo refuzuar atë që i ofrohet. Thotë Allahu i Lartësuar: “E ti thuaj: e vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai”. (El-Kehf: 29)
4.    Besimi islam gjykon anën e jashtme të veprave dhe fjalëve, duke mos u futur në qëllimet dhe zemrat e njerëzve. Njeriu nuk mund të gjykohet për atë që ka në zemrën e tij, ngase ajo është çështje sekrete mes tij dhe Zotit dhe atë nuk mund ta dijë askush.
5.    Sipas besimit islam njeriut i lejohet që në raste të dhunës që të shprehë atë që është në kundërshtim me bindjet e tij, me qëllim që të gjejë rrugëdalje nga situata e rëndë dhe të shpëtojë nga persekutimi. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai që pas besimit të tij e mohon Allahun, me përjashtim të atij që dhunohet (për të mohuar), e zemra e tij është e bindur plotësisht me besim...”. (En-Nahl: 106)
Ky përjashtim vjen në mënyrë që besimtari t’i shpëtojë torturës fizike. Kështu i ndodhi shokut të të Dërguarit, Amar bin Jasir, Allahu qoftë i kënaqur me të, e morën jobesimtarët për ta torturuar dhe nuk e lëshuan derisa foli mirë për idhujt e tyre dhe e përqeshi të Dërguarin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Pastaj erdhi tek i Dërguari, i cili e pyeti: Çfarë lajme kemi, o Amar? Lajme të këqija, nuk më liruan jobesimtarët derisa fola mirë për idhujt e tyre dhe të përqesha ty, tha. I Dërguari ia ktheu: E çfarë ndien në zemrën tënde? Zemra ime është shumë e kënaqur me besim (Iman). Atëherë i Dërguari i tha: nëse të ndodh prapë e njëjta gjë, vepro njëjtë”. (Hakimi, e saktësoi Dhehebiu)
Apo siç ndodhi me Bilalin, Allahu qoftë i kënaqur me të. Tregon Abdullah bin Mes’udi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se njerëzit e parë që e shfaqën Islamin haptas ishin shtatë: I Dërguari, Ebu Bekri, Amari, nëna e tij Sumeja, Suhejbi, Bilali dhe Mikdadi. Të Dërguarin e mbronte axha i tij Ebu Talibi, Ebu Bekrin e mbronin fisi i tij, ndërsa të tjerët, u morën nga jobesimtarët, iu veshën këmisha të hekurta dhe i nxorën në diell.
Të gjithë u detyruan të dëshmojnë me gjuhë (jo edhe me zemër) atë që kërkonin jobesimtarët, përveç Bilalit i cili sakrifikoi veten e tij. Ai vendosi të mos dëshmonte atë që kërkonin jobesimtarët dhe ashtu të lodhur ia dhanë fëmijëve të loznin me të nëpër rrugët e Mekës, ndërsa ai nuk ndalej së shqiptuari fjalën: Vetëm Një (Zot ka).
6.    Islami ndaloi njeriu të bëhet rob adhurues i çdokujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar, qoftë ai i dërguar apo engjëll. Në këtë mënyrë e rrënjosi besimin në zemrën e besimtarit se nuk duhet pasur frikë nga askush përveç Allahut. Nuk sjell dobi apo dëm askush tjetër pos Allahut, kështu që askush nuk mund të sjell dëm apo dobi, të jep apo të privojë, vetëm se më dëshirën dhe caktimin e Allahut. Thotë Allahu i Lartësuar: “Idhujtarët në vend të Tij adhuruan zota tjerë, të cilët nuk krijuan asgjë, sepse ata edhe vetë janë të krijuar. Ata nuk posedojnë për vetvete as dëm as dobi, ata nuk kanë në dorë as vdekje as jetë, e as ringjallje”. (El-Furkan: 3)
Gjithçka është në dorën e Allahut, i Cili është Zotërues i tërë pushtetit: “Nëse Allahu të sprovon me ndonjë të ligë, atë s’mund ta largojë askush tjetër pos Tij, po nëse dëshiron të japë ndonjë të mirë, s’ka kush që mund ta pengojë dhuntinë e Tij. E shpërblen me të atë që do nga robërit e Tij. Ai është Falës dhe Mëshirues”. (Junus: 17)
Për ta shpallur të pavlefshëm çdo tentim për shenjtërimin apo hyjnizimin e njerëzve, Islami tregoi se Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, edhe pse është njeriu me vlerën dhe pozitën më të lartë tek Allahu, ai prapë është njeri i rëndomtë në këtë aspekt. E nëse ai edhe përkundër vlerës që ka është i tillë, atëherë si qëndron puna me njerëzit e tjerë? Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: unë nuk kam në dorë për veten time as ndonjë dobi, as ndonjë dëm, pos çka do Allahu. Sikur ta dija të fshehtën, do të shumoja për vete të dobishmet, e nuk do të më prekte gjë e ligë. Unë nuk jam tjetër vetëm se qortues dhe përgëzues për njerëzit që besojnë”. (El-A’raf: 188)
7.    Islami kërkon nga muslimani që të besojë se Allahu urdhëroi për drejtësi ndërmjet njerëzve, pa dallim feje, ngjyre, nacionaliteti apo autoriteti. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu urdhëron për drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim”. (En-Nahl: 90)
Allahu urdhëroi të veprojmë me drejtësi me njerëzit e afërt dhe të largët: “Kur të flitni (të dëshmoni), duhet të jeni të drejtë edhe nëse çështja ndërlidhet me të afërmit, dhe zotimin e dhënë Allahut plotësonie. Këto janë me çka Ai ju porositë kështu që të përkujtoni”. (El-En’am: 152)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar kërkoi që të veprojmë me drejtësi kur jemi të relaksuar dhe kur jemi të mllefosur, të veprojmë me drejtësi karshi muslimanit dhe jomuslimanit: “... dhe të mos u shtyjë urrejtja ndaj një populli e t’i shmangeni drejtësisë; bëhuni të drejtë se ajo është më afër devotshmërisë”. (El-Maide: 8)
8.    Islami e urdhëroi muslimanin që të ketë bindje se Allahu i Lartësuar e nderoi njerëzimin pa dallim feje, ngjyre, nacionaliteti apo autoriteti me tepër se shumica e krijesave. Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë Ne i nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam”. (El-Isra: 70)
Gjithashtu tregon Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se një ditë disa njerëz me një kufomë kaluan pranë të Dërguarit dhe ai u ngrit në këmbë në shenjë respekti, ne i thamë: “Ajo është kufomë e çifutit. A nuk është edhe ai njeri, ia ktheu i Dërguari”. (Buhariu)

 

Toleranca islame në fushën e legjislacionit (dispozitave)
Legjislacioni është metodologjia në të cilën e ndjek njeriu për të realizuar qëllimet, e për të arritur suksesin që e synon. Njeriu për t’i realizuar qëllimet e veta, medoemos duhet të ndjekë metodologji të qartë, të planifikuar mirë, të lehtë dhe që është e realizueshme dhe korrespondon me mundësitë njerëzore. Këtë metodologji e hasim vetëm në fenë islame. Për të parë këtë më qartë, do të sjellim disa shembuj të tolerancës e lehtësisë që ndërlidhen me këtë fushë të Islamit:
1.    Toleranca islame në fushën e legjislacionit vërehet qartë në thjeshtësinë e teksteve (argumenteve) islame për t’i kuptuar ato. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për ta lexuar, a ka ndokush që merr mësim?” (El-Kamer: 17)
Ka tekste të qarta; pa mjegulli e as paqartësi në to. Çdo besimtar pa nguruar aspak, gëzon të drejtën për të pyetur gjithçka që i intereson për Islamin, mirëpo jo çdonjëri gëzon të drejtën për të dhënë përgjigje në pyetjet rreth Islamit. Përgjigjen për këto pyetje, Islami ua autorizoi studiuesve të mirëfilltë të tij, atyre që i mësuan, i kuptuan dimensionet dhe përmbajtjen e teksteve të Islamit. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ju pyetni pra dijetarët nëse ju nuk dini”. (En-Nahl: 43)
Ky autorizim nuk nënkupton cenimin e të drejtës së besimtarit, përkundrazi ai është realiteti, sikur shembulli i njeriut të sëmurë që shkon te mjeku dhe nuk shkon te inxhinieri apo te bujku. Të flasësh pa dije për Islamin, konsiderohet ndër mëkatet më të mëdha, ngase ai që flet për fe pa pasur dije, ai mund t’i lejojë gjërat e ndaluara, t’i ndalojë gjërat e lejuara ose t’i shkelë të drejtat e njerëzve, si dhe do t’i vë njerëzit në siklet e mundim.
Në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, qofshin të hapta ose të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë, ndaloi t’i mvishni Allahut shok pa pasur për të kurrfarë argumenti, dhe ndaloi të thoni për Allahun atë që nuk e dini se është e vërtetë”. (El-A’raf: 33)
Gjithashtu edhe i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, na bën me dije rrezikun e atyre që flasin për fe pa dije. Ai thotë: “Allahu nuk e largon dijen nga njerëzit duke ua hequr atë prej gjokseve, mirëpo atë e largon me vdekjen e dijetarëve, derisa të mos mbetet asnjë dijetar, e njerëzit të kërkojnë përgjigje te kokat e injorancës, të cilët me përgjigjet e tyre i devijojnë ata, sikurse e devijojnë vetveten”. (Buhariu dhe Muslimi)
Islami lejoi që për çdo paqartësi të pyesim, pos çështjeve që i përkasin botës sekrete, të cilat nuk na i tregoi Zoti i gjithësisë, ngase dija për to nuk është në interes të njeriut, sikur që mendja njerëzore nuk ka kapacitet për t’i kapur ato. Thotë Allahu i Lartësuar: “Të pyesin ty për shpirtin, thuaj: shpirti është çështje që i përket vetëm Zoti tim, e juve ju është dhënë vetëm pak nga dija”. (El-Isra: 85)
Gjithashtu thotë: “Të pyesin ty për Kijametin; kur do të ndodhë ai?! Po, në çfarë gjendje je ti t’ua përkujtosh atë? Vetëm te Zoti yt është dija për të. Ti je vetëm qortues i atij që ia ka frikën atij. Ditën kur ta përjetojnë atë, atyre (idhujtarëve) do t’u duket sikur nuk kanë jetuar më tepër se një mbrëmje ose një mëngjes të saj”. (En-Naziat: 42-46)
Përderisa çështjet sekrete të cilat janë në interes të njeriut, na tregoi për to Allahu i Lartësuar përmes të Dërguarit, si për: Xhenetin, Xhehenemin, llogarinë në Ditën e Gjykimit, lajmet për popujt e mëhershëm dhe për pejgamberët që u dërguan tek ta, në mënyrë që të marrin mësim dhe të shtojmë veprat e mira. Allahu i Lartësuar thotë: “Unë ua kam tërhequr vërejtjen për zjarrin të ndezur fort. Që aty nuk hyn tjetërkush, pos atij që është më i prishuri. I cili përgënjeshtroi dhe u zmbraps. Ndërsa ai që është më i devotshëm do të jetë larg tij. Ai që e jep pasurinë e vet e pastrohet. E jo për ta shpërblyer atë që i ka bërë mirë më parë. Por vetëm për të fituar kënaqësinë e Zotit të vet, më të lartit. Për Zotin, ai do të gëzojë atë kënaqësi”. (El-Lejl: 14-21)
2.    Tekstet (argumentet) e Islamit janë hyjnore, ato i caktoi Krijuesi i gjithësisë. Të gjithë janë të barabartë para tyre, si udhëheqësi ashtu edhe populli, si i pasuri edhe i varfri, si i gjori, ashtu edhe ai që ka popullaritet, si i bardhi ashtu edhe i ziu, asnjërit, pavarësisht pozitës që gëzon, nuk i lejohet të veprojë në kundërshtim me to. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur thirren besimtarët për gjykim ndërmjet tyre te Allahu dhe te i Dërguari i Tij, e vetmja fjalë e tyre është të thonë: dëgjuam dhe respektuam! Të tillët janë ata të shpëtuarit”. (En-Nur: 51)
Në Islam nuk ka vend për pushtet absolut njerëzor, madje edhe prijësi kryesor, pushteti i tij është i sanksionuar me vijat të cilat i vendosi Islami. Nuk ka dyshim së kjo është tolerancë reale ku nuk gjen vend tirania dhe autoritarizmi. Aty ku udhëheqësi i thyen ligjet hyjnore, atëherë nuk duhet të dëgjohet fjala e tij dhe nuk respektohet. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Respektimi dhe bindja ndaj udhëheqësit është obligim përderisa ai nuk urdhëron në diçka që është mëkat, e nëse ndodh kjo, atëherë s’ka respektim dhe s’ka as bindje ndaj tij”. (Buhariu)
Në këtë mënyrë Islami i ruajti të drejtat dhe liritë individuale e kolektive. Njëkohësisht përjashtoi burimet e tjera të legjislacionit, të cilat rrjedhin nga qejfet dhe pasionet e ligjvënësve shkurtpamëse, ngase ato ligje do të jenë rezultat i pasioneve të lokale të tyre.
Islami nuk i sanksionoi gjërat sekondare, por e la derën e hapur që muslimanët t’i rregullojnë ato në atë mënyrë që ua ruan interesin e përgjithshëm dhe që korrespondojnë me nevojat e tyre sipas vendit dhe kohës në të cilën jetojnë, me kusht që ato rregulla të mos ndeshen me parimet dhe rregullat e përgjithshme të Islamit.
3.    Mësimet e Islamit janë mësime statike të pandryshuara dhe që nuk tjetërsohen. Këto mësime nuk janë prodhim i mendjes njerëzore, e cila ka mangësi dhe nuk mund t’i rezistojë ndikimit të faktorëve që e rrethojnë, siç janë: mjedisi, kultura dhe veset e trashëguara dhe si e tillë nuk mund t’u shmanget gabimeve.
Mësimet e Islamit i vendosi Krijuesi i çdo gjëje, i Cili me dijen dhe urtësinë absolute që ka, i bëri ato të përshtatshme për gjendjet e njerëzve, ku përmes tyre përmbushin nevojat që kanë. Përderisa këto mësime janë hyjnore, atëherë nuk i takon askujt, kushdo që të jetë ai, që t’i kundërshtojë ato apo të mangësojë ose të shtojë diçka më shumë, për arsye se këto mësime i ruajnë të drejtat e çdo njeriu dhe promovojnë tolerancë e lehtësi. Allahu i Lartësuar thotë: “A thua mos po kërkojnë gjykimin e kohës së injorancës, po për një popull që me bindje beson, s’ka gjykim më të mirë se ai i Allahut”. (El-Maide: 50)
4.    Islami nuk i jep askujt pushtet shpirtëror absolut, përderisa fetë e tjera u japin klerikëve të tyre fetarë. Kjo për faktin se Islami erdhi që të çrrënjosë ndërmjetësit mes Zotit dhe njerëzve, për çka edhe i qortoi idhujtarët të cilët kishin vendosur ndërmjetës të tillë, njëkohësisht edhe i adhuronin.
Në lidhje me gjendjen e tyre thotë Allahu i Lartësuar: “Vini re! Adhurim i sinqertë është vetëm ai për Allahun, ndërsa ata që në vend të tij adhurojnë miq të tjerë (duke thënë): Ne nuk i adhurojmë ata për tjetër, vetëm që të na afrojnë sa më afër Allahut, s’ka dyshim se Allahu do të gjykojë mes tyre për atë që ata ishin në kundërshtim (në mes vete)...” (Ez-Zumer: 3)
Allahu i Lartësuar tregoi realitetin e këtyre ndërmjetësve; se ata nuk mund të sjellin as dëm dhe as dobi, gjegjësisht nuk kanë aspak dorë në atë për çka supozohet, ngase edhe ata janë krijesa, ku thotë: “S’ka dyshim se ata që po i adhuroni ju pos Allahut, janë të krijuar sikur ju, thirrni pra ata, e le t’ju përgjigjen juve nëse thoni të vërtetën”. (El-A’raf: 194)
Islami e rrënjosi idenë e zhvillimit të raporteve të drejtpërdrejta ndërmjet Allahut dhe njerëzve. Këto raporte janë të ngritura mbi besimin vetëm në Allahun Një, mbështetja vetëm në të në përmbushjen e nevojave, kërkimin e faljes dhe ndihmës drejtpërdrejt nga Ai. Secili që bën mëkat, i duhet vetëm t’i ngritë duart lartë, duke e lutur vetëm Allahun, të kërkojë falje prej Tij, në çfarëdo vendi, kohe apo situate. Thotë Allahu i Lartësuar: “Kush bën ndonjë të keqe apo ngarkon veten me mëkate, pastaj kërkon falje te Allahu, ai e gjen Allahun Falës dhe Mëshirues”. (En-Nisa: 110)
Gjithashtu thotë: “Zoti juaj ka thënë: më thirrni Mua (kërkoni falje), Unë ju përgjigjem”. (El-Gafir: 60)
Në Islam nuk ekzistojnë klerikë, të cilët (sipas pasioneve të tyre) vendosin për gjërat e lejuara dhe ato të ndaluara, e konsiderojnë veten zëvendës të Allahut në tokë dhe si të tillë ua falin mëkatet njerëzve, e fusin në Xhenet atë që duan dhe e fusin në Zjarr atë që duan.
E drejta për të vënë ligje e dispozita i takon vetëm Allahut. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të në lidhje më domethënien e ajetit kur’anor: “Ata (Ithtarët e Librit) i konsideruan prijësit e tyre fetar, për zota pos Allahut...” (Et-Teube: 31), thotë: “Ata nuk i adhuruan prijësit e tyre, mirëpo kur prijësit u thonin atyre (sipas pasioneve), për një gjë se është e lejuar, ata e konsideronin të tillë, sikurse kur u thonin për një gjë se është e ndaluar, ata e konsideronin të tillë”. (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
5.    Islami e pranon fuqishëm sistemin e konsultimit të parisë ndërmjet vete për të vendosur në interes të përgjithshëm, dhe që mos të mbetet vend që dikush duke shkelur interesin (dobinë) kolektive, të vendos në interes të tij personal.
Fjala e urtë thotë: “Më mirë mendojnë disa mendje se sa një mendje”. Allahu i Lartësuar thotë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase Allahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do iknin prej teje, andaj ti falju atyre dhe kërko ndjesë për ta, e konsultohu me ta në të gjitha çështjet”. (Ali Imran: 159)
6.    Islami e ka mbyll përfundimisht derën e ekstremizmit dhe të vështirësuarit e tepruarit në çështje të fesë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju...”. (El-Bekare: 184)
Gjithashtu i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Largohuni nga vështirësimi në çështje të fesë (ekstremizmi në to), ngase pikërisht kjo i shkatërroi popujt që ishin para jush”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
Këtë formë të praktikimit të fesë, i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, e cilësoi dalje nga mësimet (Suneti) e tij. Tregon Enes bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të se: “Tre burra shkuan te shtëpia e të Dërguarit për t’u njoftuar me formën e adhurimit të të Dërguarit. Kur u tregoi atyre gruaja e të Dërguarit për adhurimin që bënte ai, ata thanë: Ku jemi ne me adhurimin e të Dërguarit, të cilit i janë falur të gjitha mëkatet?! Njëri nga ta tha: Unë do të falem tërë natën, i dyti tha: Unë do të agjëroj për çdo ditë, ndërsa i treti tha: Unë kurrë s’do të martohem. Kur erdhi i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, u tha: Ju jeni ata që keni thënë kështu e kështu? Për Allahun, unë edhe pse me së tepërmi i kam frikërespekt Allahut dhe më së tepërmi i ruaj kufijtë e Tij, unë edhe falem edhe fle, edhe agjëroj edhe ha e pi, sikur që edhe jam i martuar. E ai që largohet nga mësimet (Suneti) e mia, nuk më përket mua”. (Buhariu dhe Muslimi)
I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, gjithnjë i këshillonte shokët e tij që të mos i afrohen shtrëngimit dhe teprimit në çështje të fesë. Thotë Amër bin el-A’s, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, më tha: “O Amar, më treguan se po agjëron për çdo ditë dhe po falësh tërë natën? Ashtu është, o i Dërguari i Allahut, i thashë. Atëherë mos vepro kështu! Herë-herë agjëro, e herë-herë ha dhe pi, falu gjatë natës, por edhe flej! Ngase ti ke obligime ndaj trupit tënd, ndaj syrit tënd, ndaj gruas sate, por edhe ndaj mysafirëve. Të mjafton agjërimi i tri ditëve nga çdo muaj, ngase e mira shpërblehet me dhjetë dhe kështu është sikur të agjërosh tërë jetën. E unë, zgjodha formën më të vështirën dhe ia vështirësova vetës; Thashë: O i Dërguari i Allahut, unë mundem edhe më shumë se kaq. Ai më tha: Atëherë agjëro ashtu siç agjëronte i Dërguari Davud, paqja qoftë mbi të. E si agjëronte ai? E pyeta. Ai agjëroi gjysmën e jetës (një ditë po, një ditë jo). Kur Abdullahu u plak thoshte: Ah sikur ta pranoja lehtësimin që ma ofroi i Dërguari!”. (Buhariu dhe Muslimi)
Kjo nuk nënkupton që Islami është fe e dhënë vetëm pas jetës në këtë botë, kënaqësive dhe qejfeve të saj pa korniza e kufij, përkundrazi Islami edhe këtu e ruan vijën mesatare e të drejtë, me të cilën çiftëzon anën fetare dhe jetën e kësaj bote, pa e favorizuar njërën në kurriz të tjetrës. Islami kërkon që muslimani të mbajë drejtpeshimin ndërmjet trupit dhe shpirtit.     Në momentet kur ai është i angazhuar së tepërmi me punët e kësaj bote, kërkoi nga ai që t’i kujtojë nevojat e tij shpirtërore, që artikulohen në adhurimet me të cilat është i obliguar. Thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, nxitoni për aty ku përmendet Allahu (dëgjojeni hutben, falnie namazin), e linie shitblerjen, kjo është më e dobishme për ju nëse jeni që e dini”. (El-Xhumua: 9)
Po ashtu kërkoi nga ai që në momentet kur është dhënë së tepërmi pas adhurimit, t’i kujtojë nevojat e tij materiale, gjegjësisht të angazhohet për të siguruar furnizim. Thotë Allahu i Lartësuar: “E kur të mbaron namazi, atëherë shpërndanu në tokë dhe kërkoni begatitë e Allahut”. (El-Xhumua: 10)
Njëkohësisht ndaloi që të shkapërdahen të mirat. Thotë Allahu i Lartësuar: “Hani dhe pini e mos teproni, sepse Ai (Allahu) nuk i do ata që e teprojnë (shkapërderdhin)”. (El-A’raf: 31)
Gjithashtu Islami tregoi shumë qartë se obligimet fetare dhe obligimet e jetës së përditshme nuk ndeshen në mes vete. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk është mëkat për ju të kërkoni begati nga Zoti juaj (të bëni ndonjë tregti gjatë haxhit). E kur të largoheni prej Arafatit, përmendeni Allahun në vend të shenjtë (Muzdelife), përmendeni Atë, ashtu si u ka udhëzuar Ai, sepse më parë ishit të humbur”. (El-Bekare: 197)
7.    Islami lejon kur muslimanit i rrezikohet jeta, për aq sa ka nevojë ta shpëtojë jetën, të ha dhe të pi edhe nga gjërat e ndaluara, si: kafsha e ngordhur, pirja e gjakut, mishi i derrit, alkooli. Thotë Allahu i Lartësuar: “(Allahu) Ua ndaloi juve vetëm ngordhësirat, gjakun, mishin e derrit dhe atë që theret jo në emër të Allahut. E kush detyrohet (të hajë nga këto) duke mos e tejkaluar (vetëm aq sa ka nevojë), për të nuk është mëkat. Vërtetë Allahu është Falës dhe Mëshirues”. (El-Bekare: 173)
Sejid Kutb, Allahu e mëshiroftë, në lidhje me komentimin e këtij ajeti kur’anor thotë: “Ky është besimi (feja), e cila njeriun e konsideron njeri dhe jo kafshë, melaqe apo shejtan. E vlerëson njeriun realisht; anët e dobëta dhe përparësitë që ka. E trajton atë si një njësi e përbërë nga trupi që ka dëshira, mendja me të cilën i vlerëson gjërat dhe shpirtin që ka nevoja dhe dëshira. Islami caktoi obligime të cilat përputhen plotësisht me mundësitë njerëzore, duke e pasur parasysh gjithnjë korrespondimin ndërmjet obligimeve dhe mundësive, pa shkaktuar lodhje e mundime të tepërta”.
8.    Ndër format e tolerancës islame është edhe shumëfishimi i shpërblimit për punët e mira, ndërsa dënimi për punët e liga është aq sa janë të ligat dhe jo me tepër. Thotë Allahu i Lartësuar: “Kush vjen (bën) me një (punë) të mirë, ai (në Ditën e Gjykimit) shpërblehet dhjetë fish, e kush vjen me (vepër) të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të”. (El-En’am: 160)


Toleranca islame në ftesën e jomuslimanëve për të hyrë në të
Përderisa Islami është fe internacionale, e cila i drejtohet të gjithë njerëzve në çdo vend e në çdo kohë, që ai të pranohet më lehtë nga pala që i ofrohet, do të duhej patjetër që ftesa për ta përqafuar atë, të karakterizohet me butësi, lehtësi e tolerancë, si dhe ofrimin e gjërave të mira atyre që thirren në të. Pikërisht kjo është metoda e Islamit në thirrjet e të tjerëve për ta përqafuar atë, me urtësi dhe këshillë të mirë. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ti (Muhamed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) në mënyrën më të mirë”. (El-En’am: 160)
Në vazhdim do të përmendim disa nga aspektet e tolerancës së Islamit në fushën e ftesës në të:
1.    Toleranca në hapjen e dyerve për pjesëtarët e besimeve tjera që të futen në Islam, madje mirëpritjen me hare të tyre. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu i gëzohet pendimit të robit më tepër se njeriu i cili me kafshën në të cilën ka ushqimin dhe ujin, udhëton nëpër shkretëtirë vrasëse. Për një moment zbret nga kafsha dhe e zë gjumi. Kur zgjohet sheh se kafsha ka ikur. Duke e kërkuar atë, e kaplon etja, dhe në vete thotë: të kthehem në vendin ku isha, të fle aty derisa të më arrijë vdekja. E vendosi kokën mbi krah që të flejë deri në vdekje. Kur u zgjua, para vetës pa kafshën e cila bashkë me ushqimin dhe ujin, ishte kthyer. Me të vërtetë Allahu i gëzohet pendimit të robit më tepër sesa ky njeri që i gëzohet kafshës dhe furnizimit që është me të, madje nga gëzimi i madh tha: O Zot, ti je robi im e unë jam zoti yt, e tha gabimisht nga gëzimi i tepërt”. (Muslimi)
2.    Islami i urdhëroi besimtarët që sferën e thirrjes ta zhvillojnë sipas metodologjisë së përgëzimit me të mira dhe futjes së dashurisë tek të tjerët për të. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kur i dërgoi dy të deleguarit e tij; Muadh bin Xhebel dhe Ebu Musa el-Esh’arij për t’i ftuar banorët e Jemenit në Islam, u tha: “Lehtësoni e mos vështirësoni, përgëzoni e mos i largoni të tjerët (me kërcënime), respektonie njëri-tjetrin dhe mos hyni në kundërthënie me njëri-tjetrin”. (Buhariu dhe Muslimi)
3.    Islami i urdhëroi muslimanët që me kujdes të shtuar për gjendjen e jomuslimanëve të dialogojnë me ta, njëkohësisht duke i vlerësuar mendjet e tyre, larg çdo përçmimi e përbuzje. Allahu i Lartësuar thotë: “Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i ftoni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: “Ne i besuam asaj që na u zbrit dhe që u zbrit juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij”. (El-Ankebut: 46)
Në Islam nuk ka vend për imponim të mendimit, as detyrim të orientimit dhe as injorim të palës tjetër, por të dëgjohen me vëmendje argumentet, të debatohet rreth tyre dhe të kundërshtohen me fakte dhe edukatë. Islami në dialog me të tjerët ndjek metodën e të bindurit tjetrin, metodën e përgjigjes logjike të përshtatshme për mentalitetin e atij që e ftohet të hyn në Islam.
Tregon Abdullah bin Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se njëri nga idhujtarët e Mekes i quajtur me emrin el-As bin Vail, erdhi te i Dërguari, në dorë kishte një asht të vjetër të cilin e theu, dhe pastaj iu drejtua me këtë fjalë: O Muhamed, a do ta ringjall Allahu yt këtë pasi që është bërë pluhur?! Po, e ringjallë Allahu këtë, Ai të vdes edhe ty, të ringjallë dhe të fut në Zjarr. Si përgjigje për fjalën e tij Allahu i Lartësuar zbriti këtë pjesë nga Kurani: “A nuk mendon njeriu se si Ne e krijuam atë prej një pike uji (fare), kur qe, ai kundërshtar i rreptë. Ai na solli Neve shembull, e harroi krijimin e vet e tha: kush i ngjall eshtrat duke qenë ata të kalbur? Thuaj: i ngjall Ai që i krijoi për herë të parë, e Ai është shumë i dijshëm për çdo krijim. Ai që prej drurit të njomë ju bëri zjarrin, e ju prej tij ndizni. A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata? Po Ai është Krijuesi, i Dijshmi” (Ja Sin: 77-81)”. (Hakimi)
Këto metoda të dialogut, duke përdorur përgjigje logjike, argumente të qarta e bindëse, nuk lënë vend për dyshim te mendjendriturit që kërkojnë të vërtetën se Islami është feja e vërtetë, se ajo është më meritorja për t’u ndjekur dhe përfundimi i lumtur i takon asaj.
Allahu i Lartësuar na e ofron dialogun ndërmjet të Dërguarit Ibrahim, paqja e Allahut qoftë mbi të dhe mbretit Nemrud të Babilonisë: “A nuk ke arritur të dish për atë që përse Allahu i kishte dhënë pushtet, ai (Nemrudi) polemizoi me Ibrahimin rreth Zotit të tij. Kur Ibrahimi tha: Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje! Ai tha: Edhe unë jap jetë dhe vdekje! Ibrahimi tha: Zoti im e sjell diellin nga lindja, sille pra ti atë nga perëndimi? Atëherë ai që nuk besoi mbeti i hutuar. Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë popullin mizor”. (El-Bekare: 258)
4.    Islami është larg metodës së të sulmuarit, akuzuarit, përçmimit e formave të ndryshme të provokimit. Allahu i Lartësuar thotë: “E ti thuaju robërve të Mi le ta thonë atë që është më e mira, pse djalli nxit përçarje mes tyre, e është e ditur se djalli është armik i hapët i njeriut”. (El-Isra: 53)
5.    Islami porosit që gjatë thirrjes së jomuslimanëve të përdoret metoda e futjes së dashurisë për të, të shprehet dhembshuri e keqardhje për ata që ftohen në Islam. Pra, metodën që magjeps zemrat dhe fjalët që i do zemra. Thotë Allahu i Lartësuar: “O ithtarë të librit, pse polemizoni me ne rreth Ibrahimit? E, nuk janë shpallur as Tevrati as Inxhilli, vetëm se pas tij?! A nuk e kuptoni?”. (Ali Imran: 65)
6.    Islami t’u ofrohet jomuslimanëve me fjalë të buta dhe mirësjellje dhe assesi me vrazhdësi. Allahu i Lartësuar kur e dërgoi Musain dhe Harunin, paqja e Allahut qoftë mbi të, për ta ftuar Faraonin në fenë e Allahut, I cili pretendonte se është zot ju tha: “Shkoni që të dy te Faraoni, se ai vërtet e ka tepruar. Atij i thoni fjalë të buta, ndoshta ai mendohet a frikësohet”. (Ta Ha: 43-44)
7.    Islami ua mundëson, madje i thërret ata që ftohen për të hyrë në të, që të paraqesin argumentet dhe faktet e tyre, sikurse u jep mundësinë që të ngrehin tërë atë çka iu intereson. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: nëse Allahu ua merr të dëgjuarit, të pamurit dhe ua mbyll zemrat, pos Allahut cili zot tjetër do t’ju sjellë atë?. Shih sesi ua sqarojmë faktet e megjithëkëtë ata nuk ua vënë veshin”! (Ta Ha: 43-44)
8.    Islami me zërin e dashurisë e të dëshiruarit të mirën tjetrit, i fton të gjithë jomuslimanët për dialog të qetë e produktiv, i cili shpie në përafrim të mendimeve sipas metodologjisë hyjnore dhe largon përçarjet. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju (o Muhamed): O ithtarë të librit (Tevrat e Inxhil), ejani (të bashkohemi) te një fjalë që është e njëjtë (e drejtë) mes nesh dhe mes jush: të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos i bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zotër pos Allahut! E nëse ata refuzojnë, ju thoni: dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë (besuam një Zot)”! (Ali Imran 64)
9.    Islami gjithnjë i ka dyert e hapura për të gjithë ata që duan të futen në të, pa lodhje e vështirësi, si dhe pa pasur nevojë për rituale të caktuara në forma e vende dhe para njerëzve të caktuar. Kjo, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë ndërmjet njeriut dhe Zotit, pa fare ndërmjetësimi. Dëshmia e Islamit është e përbërë nga fjalë të lehta në shqiptim, të mëdha në domethënie, ato i thotë ai që ka vendosur të bëhet musliman e të hyjë në Islam. “ESH’HEDU EN LA ILAHE IL-LALLAH UE ESH’HEDU EN-NE MUHAMEDEN ABDUHU UE RESULUHU”, “Deklaroj se nuk ka hyjni tjetër pos Allahut dhe deklaroj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij”, kjo fjalë është çelësi për të kaluar në Islam, ai që e thotë këtë fjalë, distancohet nga çdo fe dhe besim tjetër dhe do të ndajë të mirën dhe të ligën me muslimanët.
10.    Kur jomuslimani kalon në Islam, atij i falen të gjitha mëkatet që i ka bërë para se të bëhet musliman. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju atyre që nuk besuan nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara”. (El-Enfal: 38) Gjithashtu i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur jomuslimani futet në Islam, atij i falën mëkatet që i ka bërë më herët”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
11.    Kur jomuslimani kalon në Islam, atij i llogariten punët e mira që i ka vepruar para se të bëhet musliman dhe shpërblehet për to. Hakim bin Hizami, Allahu qoftë i kënaqur më të, pasi pranoi Islamin tha: “O i Dërguari i Allahut, unë para se të bëhem musliman kam bërë disa punë të mira si: kam dhënë lëmoshë, kam liruar skllevër, kam mbajtur lidhjet farefisnore, a do të shpërblehem për to”? I Dërguari ia ktheu: “Kur ke hyrë në Islam me vete ke marr të gjitha punët e mira që ke bërë më herët”. (Buhariu dhe Muslimi)
12.    Jomuslimanët që hyjnë në Islam, do t’u jepet shpërblim i dyfishtë, një që besuan të Dërguarit e Allahut të mëparshëm, dhe tjetri që besuan pejgamberinë e Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të. Allahu i Lartësuar thotë: “E atyre që Ne ua dhamë librin përpara këtij, disa prej tyre i besojnë këtij (Kur’anit). Dhe kur u lexohet atyre, thonë: ne i kemi besuar atij, ajo është e vërtetë prej Zotit tonë, ne edhe para tij kemi qenë myslimanë! Atyre u jepet shpërblim i dyfishtë për arsye se bënë durim, dhe ata të keqen e largojnë me të mirën, e nga ajo që Ne e furnizuam, ata japin”. (El-Kasas: 52-54)

 

Toleranca islame në sjelljen me jomuslimanët
Para se të flasim për tolerancën e Islamit në sjelljen me jomuslimanët, po sjellim dëshminë e orientalistit anglez Lewis Young, që të shërbejë si hyrje në format e tolerancës islame në sjelljen me jomuslimanët, i cili thotë: “Perëndimit i mbeten shumë gjëra për t’i mësuar nga civilizimi islam, ndër to: pikëpamjen e arabëve për tolerancën”.
1.    Toleranca islame në sjelljen me jomuslimanët shprehet përmes lejimit të transaksioneve financiare me ta, në përputhshmëri me kriteret sheriatike, të cilat nuk sjellin dëm për asnjërën palë dhe garantojnë të drejtat e secilit. Ndër këto kritere veçojmë: pëlqimi i të dyja palëve, që artikulli të jetë i njohur dhe i caktuar, të dihet përmbajtja dhe kushtet e tij. Tregon Aisheja, Allahu qoftë e kënaqur me të, se “i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, bleu nga një çifut ushqim veresie, ndërsa si garanci e la këmishën e hekurt”. (Buhariu dhe Muslimi)
Islami i ndaloi vetëm transaksionet të cilat sjellin dëm e padrejtësi, si: kamata, bixhozi, kumari. Këto janë të ndaluara edhe për muslimanët ndërmjet vete. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju të cilët besuat, mos e hani kamatën që po e shumëfishoni dhe kini frikë (dënimin e) Allahut ashtu që të gjeni shpëtim”. (Aali ‘Imran: 130)
Gjithashtu thotë: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër, përveç se nëpërmjet verës dhe bixhozit të hedh armiqësi mes jush, t’ju pengojë nga të përmendurit Zotit dhe t’ju largojë nga namazi. Pra, a po i jepni fund (alkoolit e bixhozit)”. (El-Maide: 90-91)
2.    Islami e lejoi faljen e namazit në vendadhurimet e jomuslimanëve, vetëm se një gjë e tillë nuk është e preferuar nëse në ato vende ka figura. Tregohet se shoku i të Dërguarit, Ebu Musa el-Esh’ariju kishte falur namazin në një kishë në Damask që quhej “Nahja”.
3.    Islami lejon, kur është e nevojshme apo me interes, hyrjen e jomuslimanit në xhami, me përjashtim të Qabes. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, i priste delegacionet nga jomuslimanët në xhaminë e tij në Medinë, madje në xhami e burgosi për disa ditë Thumame bin Athal në kohën kur ishte jomusliman.
4.    Islami lejon, madje inkurajon në vizitimin e të sëmurëve jomuslimanë dhe lutjet për shërimin e tyre. Tregon Enes bin Maliku, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ishte një djalosh çifut që i shërbente të Dërguarit. Një ditë u sëmur dhe i Dërguari shkoi për vizitë tek ai. U ul afër kokës së djaloshit dhe i tha: “bëhu musliman”! Djaloshi e shikonte babanë e vet që ishte pranë, i cili i tha: Vepro ashtu siç të mëson Muhamedi! Djaloshi e pranoi Islamin, ndërsa i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, doli nga shtëpia e tij dhe i ngazëlluar tha: “Falënderimi i qoftë Allahut, i Cili e shpëtoi (këtë djalosh) nga Zjarri”. (Buhariu)
5.    Islami lejon të ngushëllohen jomuslimanët kur u vdes ndonjë i afërm. I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të thotë: “I kam kërkuar leje Allahut të kërkoj falje për nënën time (që vdiq jomuslimane), nuk më dha leje. I kërkova leje ta vizitoj varrin e saj, më lejoi”. (Muslimi)
6.    Islami lejon që t’i jepet lëmosha dhe dhuratat e ndryshme jomuslimanit, përveç atyre që janë në luftë me muslimanët. Kur familjarët e Abdullah bin Amër, Allahu qoftë i kënaqur me ta, kishin therur një dele, ai u tha: “A i keni dërguar mish edhe fqinjit tonë çifut, a i keni dërguar mish edhe fqinjit tonë çifut? Kam dëgjuar të Dërguarin duke thënë: “Vazhdimisht më këshillonte meleku Xhibril të sillem mirë ndaj fqinjit, derisa mendova se do të sjell dispozitën me të cilën e bën fqinjësinë shkak të trashëgimisë”. (Buhariu dhe Muslimi)
Madje Islami i bëri jomuslimanët ndër tetë kategoritë që ju jepet zekati, që t’u zbuten zemrat dhe që muslimanët të kursehen nga dëmi që mund t’u sjellin. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj. ) t’ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (e dobëta në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet”. (Et-Teube: 60)
Omer bin Abdulazizi thotë: “Më është përcjellë se Omer bin Hattabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, kur pa një jomusliman, i cili kërkonte lëmoshë nëpër shtëpitë e muslimanëve, tha nuk qemë të drejtë me ty, kur ishe i ri paguaje xhizjen, ndërsa sot të braktisëm. Omeri dha urdhër që shpenzimet për nevoja ditore t’i paguhen nga arka e shtetit”.
7.    Islami inkurajon mbajtjen e lidhjeve farefisnore me jomuslimanët. Tregon Esma e bija e Ebu Bekrit, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se nëna e saj që ishte idhujtare erdhi për ta vizituar. Ajo e pyeti të Dërguarin: “Nëna ime është idhujtare dhe vjen te unë, a duhet unë të mbaj lidhjet me të? I Dërguari ia ktheu: po, gjithsesi mbaj lidhjet më të”. (Buhariu dhe Muslimi)
8.    Islami lejon ngrënien në enët e jomuslimanëve, përveç atëherë kur përdorimi i tyre në esencë është i ndaluar apo përdoren për ushqime e pirje të ndaluara, si: ngrënia në enët nga ari dhe argjendi, gatimi i mishit të derrit, shërbimi i alkoolit. Sikurse lejon përdorimin e rrobave të tyre, përderisa nuk janë nga materiali që është i ndaluar, si: lëkura e derrit, e qenit.
Rrobat dhe enët nga ari e argjendi, nuk lejohet të përdoren edhe nëse ato janë të muslimanëve. Ebu Tha’lebe el-Khusheni, Allahu qoftë i kënaqur me të, e kishte pyetur të Dërguarin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “O i Dërguari i Allahut, jemi në vendin e ithtarëve të librit (çifut dhe të krishterë), a bën që të hamë në enët e tyre”? Ai i kishte thënë: “Nëse gjeni enë të tjera, mos hani në enët e tyre, e nëse nuk gjeni, atëherë pastroni dhe hani në to”. (Buhariu)
9.    Islami lejon martesën me gratë e ithtarëve të librit (çifutët dhe të krishterët). Allahu i Lartësuar thotë: “Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore.” (El-Maide: 5)
10.    Kur jomuslimanët pranojnë Islamin, martesat e tyre para Islamit, konsiderohen valide. Kështu veproi i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, me martesat që ishin bërë para Islamit. “Gajlan Thekafiu kishte dhjetë gra kur e pranoi Islamin, i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, i tha mbaj vetëm katër prej tyre” (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
11.    Islami lejon ngrënien e mishit të kafshëve të therura nga ithtarët e librit, nëse përmendin emrin e Allahut, Allahu i Lartësuar thotë: “Mos hani asnjë mish që nuk është therur me emrin e Allahut, sepse kjo është gjynah!” (El-En’am: 121)
12.    Islami ofron mbrojtje dhe siguri për jomuslimanët. Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse ndokush prej idhujtarëve të kërkon ta mbrosh, ti mbroje në mënyrë që t’i dëgjojë fjalët e Allahut (Kur’anin), e mandej dërgoje në vendin e tij të sigurt”. (Et-Teube: 6)
13.    Islami ndalon fyerjen dhe përçmimin e feve të tjera: “Ju mos i fyeni ata (zota) që u luten (idhujtarët), pos Allahut, e (si hakmarrje) të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për madhërinë e Tij)”. (El-En’am: 108)
14.    Islami obligon që t’u përmbahemi kontratave, marrëveshjeve e pakteve me jomuslimanët dhe nuk lejohet thyerja e tyre. Thotë Allahu i Lartësuar: “O ju që besuat! Zbatoni marrëveshjet”. (El-Maide: 1)
Gjithashtu thotë: “Përmbahuni marrëveshjeve, pse për marrëveshjet ka përgjegjësi”. (El-Isra: 34)
15.    Në Islam, jeta, nderi dhe pasuria e jomuslimanëve janë të mbrojtura. Ai ndalon padrejtësinë dhe agresionin ndaj tyre, sikurse që ndalon shkeljen e drejtave të tyre, si dhe sjelljen e keqe me ta. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë”. (El-Mumtehine: 8)
Gjithashtu i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nëse dikush i bën padrejtësi jobesimtarit (që është nga populli me të cilin keni marrëveshje), e përçmon atë apo e obligon me punët që nuk mund t’i kryejë ose atij i merr diçka pa dëshirën e tij, unë do të jem kundërshtari i tij në Ditën e Gjykimit”. (Ebu Davudi, e saktësoi Albani)
Gjithashtu thotë: “Kush e vret një jobesimtar (që është nga populli me të cilin keni marrëveshje), nuk do ta shijojë as aromën e Xhenetin, edhe pse aroma e tij shijohet në distancë dyzet vjeçare”. (Buhariu)
16.    Islami u garanton përkujdesje sociale të gjithë jomuslimanëve që jetojnë në shtetin islam. Kështu veproi kalifi i dytë i muslimanëve Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili kur pa një jomusliman i cili kërkonte lëmoshë nëpër shtëpitë e muslimanëve, tha nuk qemë të drejtë me ty, kur ishe i ri paguaje xhizjen, ndërsa sot të braktisëm. Omeri dha urdhër që shpenzimet për nevoja ditore t’i paguhen nga arka e shtetit”.
17.    Islami porosit në faljen e armiqve ndaj të cilëve mund të hakmerremi, që t’u tregohet atyre se Islami është fe e tolerancës dhe butësisë, e assesi fe që përfiton nga rasti për të bërë padrejtësi e sjellje arrogante. Në këtë mënyrë Islami do të depërtojë thellë në zemrat e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Për shkak se ata e thyen zotimin e tyre, Ne i mallkuam ata, dhe zemrat e tyre i bëmë të forta (të shtangura). Ata i ndryshojnë fjalët (në Tevrat) nga domethënia e tyre dhe braktisën një pjesë me të cilën ishin urdhëruar. Ti vazhdimisht do të vëresh tradhtinë e një pjese të tyre, përpos një pakice nga ata. Pra fali ata dhe hiqu tyre. Allahu i do ata që bëjnë mirë”. (El-Maide 13)
Gjithashtu thotë: “Shumë nga ithtarët e librit (jehudi, krishterë), edhe pasi që iu është bërë e qartë e vërteta, nga vetë zilia e tyre personale dëshiruan që pas besimit tuaj t’iu kthejnë në mosbesimtarë, pra ju falni dhe largohuni prej tyre derisa Allahu ta sjellë urdhrin e vet. Allahu ka mundësi për çdo send”. (El-Bekare 109)
Gjithashtu thotë: “Thuaju besimtarëve, që t’i falin ata që nuk shpresojnë në ditët e Allahut, kështu që Ai të shpërblejë çdo popull sipas veprave të veta”. (El-Xhathije: 14)
18.    Islami urdhëron që thirrja e jomuslimanëve për të hyrë në Islam të bëhet në mënyrën më të mirë, t’u hapet dera e shpresës, të përkujtohen me kërkim falje dhe mos t’u humbet shpresa nga mëshira dhe falja e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju atyre që nuk besuan nëse heqin dorë (nga rruga e tyre e gabuar dhe besojnë) do t’u falet e kaluara, po nëse vazhdojnë, ligji (i Zotit), i zbatuar ndaj të parëve është i ditur (edhe juve do t’ju zë)”. (El-Enfal: 38)
19.    Të duash të mirën të tjerëve është shenjë e besimit të mirëfilltë, ngase Islami është fe e paqes dhe dashurisë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, shokut të tij Ebu Hurerje, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha: “Bëhu i devotshëm, do të jesh robi më adhurues ndaj Allahut, pajtohu me atë që ke, do të jesh robi më falënderues ndaj Allahut, duaja njerëzve atë që e do për veten, do të jesh besimtarë i mirë, sillu mirë me fqinjët do të jesh musliman i mirë, mos qesh shumë, se të qeshurit e tepërt e vdes zemrën”. (Ibën Maxhe, e saktësoi Albani)


Toleranca islame në fushën e adhurimeve
Të gjitha adhurimet në Islam, qofshin ato obligative apo vullnetare, janë të ngritura mbi parimin e tolerancës dhe lehtësisë. Allahu i Lartësuar e dalloi Islamin me këto karakteristika, në mënyrë që besimtari, varësisht nga situata dhe mundësitë, ta shijojë adhurimin. Pra, mos të privohet nga kënaqësia e të luturit Allahun, nga ndjenja e qetësisë shpirtërore si dhe nga lumturia e kryerjes së adhurimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besuan dhe me të përmendur Allahun, zemrat e tyre qetësohen; pra ta dini se me të përmendur Allahun zemrat stabilizohen”. (Er-Rra’d: 28)
Në Islam nuk ka vend për obligime që i tejkalojnë mundësitë njerëzore. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Angazhohuni me ato punë (adhurime) që janë në mundësitë tuaja, se Allahu nuk heq dorë (nuk ua ndërpret shpërblimin) nga ju, përderisa ju nuk hiqni dorë nga ato punë”. (Buhariu)
Të gjitha urdhrat, me të cilat erdhi Islami, përkojnë me natyrshmërinë dhe mundësitë njerëzorë, gjegjësisht këto urdhra nuk i tejkalojnë mundësitë njerëzore dhe nuk bien ndesh me natyrshmërinë e pastër njerëzore. Madje Islami ndalon që njeriu vullnetarisht ta ngarkojë veten me një punë që nuk ka mundësi për të, edhe nëse ajo është adhurim. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, pa një plak i cili ecte duke u mbajtur për dy djemtë e tij. “Ç’është halli i tij”? - pyeti i Dërguari. Ata i thanë: “Ky njeri është zotuar që për hir të Allahut të ecën në këmbë”. I Dërguari tha: “Vërtetë Allahu nuk dëshiron që njeriu ta torturojë vetveten në këtë mënyrë”, dhe e urdhëroi që të hip mbi kafshë. (Buhariu dhe Muslimi)
Islami është aq tolerant në fushën e adhurimeve, saqë kur besimtari për shkak të sëmundjes, udhëtimit apo ndonjë arsye tjetër, nuk mund t’i kryen adhurimet e plota, Allahu i Lartësuar shpërblimin për to ia shënon të plotë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur besimtari nga sëmundja apo udhëtimi, nuk mund t’i kryejë adhurimet të plota, shpërblimin për to e ka njëjtë sikur kur i ka kryer të plota (në vendbanimin e tij dhe derisa ka qenë i shëndoshë)”. (Buhariu)
Madje në raste specifike Islami ka paraparë lehtësime shtesë në adhurime, që besimtari për ta arritur shpërblimin e plotë, duhet të veprojë sipas tyre. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Vërtetë Allahu dëshiron që robi (në situata të caktuara) të veprojë sipas lehtësimeve specifike, ashtu sikurse dëshiron nga ai që (në situata normale) të veprojë në përputhje me urdhrat e Tij”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
Nga toleranca islame në fushën e adhurimeve është se realizimi i këtyre adhurimeve e urdhrave në disa raste bëhet në formë të reduktuar apo edhe lëshohen në tërësi.

1.    Toleranca islame në fushën e pastërtisë
Pastërtia është kusht i realizimit të shumë adhurimeve. Meqë përdorimi i ujit për shumë adhurime si: marrja avdes për pesë kohët e namazit dhe namazet e tjera, pastrimi i tërë trupit, qoftë ky pastrim obligativ apo vetëm i preferuar, nëse nuk do të kishte lehtësi e tolerim në përdorimin e tij, besimtarët do të viheshin në siklet, çka do të lodheshin e të hiqnin dorë nga pastërtia, por edhe nga vetë adhurimet.
Ndër format e tolerancës në fushën e pastërtisë, veçojmë:
1.    Islami parimisht të gjitha ujërat i konsideron të pastër, përderisa një ujë nuk ndryshon ngjyrën, aromën apo shijen. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Uji (në esencë) është i pastër, atë nuk e ndot asgjë (përderisa nuk vërtetohet ndotja)”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
2.    Në Islam, uji i mbetur pas pirjes së kafshëve të pastra, është i pastër. Transmetohet se Ebu Katade, Allahu qoftë i kënaqur me të, “Përderisa merrte avdes, iu afrua një mace, të cilës i dha të pijë nga ena prej të cilës merrte avdes. Atë me habi e shikonte bashkëshortja e djalit të vet; Kebsheja, e cila i ndihmonte për avdes. “Po habitesh”? i tha asaj. “Po”, ia ktheu ajo. Ai i tha: ka thënë i Dërguari: “Macja nuk është e papastër, ngase ajo vazhdimisht sillet nëpër këmbët tuaja”. (Ebu Davudi, e saktësoi Albani)
3.    Islami lejon kur s’ka ujë, apo ka, mirëpo përdorimi i tij është i pamundur ose shkakton vështirësi të mëdha, si: për shkak të sëmundjes, plagëve e ndryshme, ose për shkak të të ftohtit të madh apo kur uji mjafton vetëm për pirje, e arsye të ngjashme, të merret tejemum pastrim i pjesshëm me dhe të pastër, lehtësim nga Allahu i Lartësuar, i Cili thotë: “Nëse jeni të sëmurë, ose në ndonjë udhëtim ose ndonjëri prej jush vjen prej vendit të nevojës, ose keni kontaktuar (kontakt intim) me gratë dhe nuk gjeni ujë, atëherë mësyne (merrni tejemum) dheun e pastër dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja. Allahu nuk dëshiron (me obligim për avdes e larje) t’iu sjellë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë (prej mëkateve), t’ju plotësojë të mirën e Tij ndaj jush e që t’i falënderoheni”. (El-Maide: 6)
4.    Islami e lejon, sipas kushteve të caktuara, fërkimin (mes-hun) e mesteve (mbathjeve), mes-hin mbi fashë dhe mbi çallmë (e mbulesë të femrave të cilat me vështirësi hiqen dhe vendosen prapë) gjatë marrjes avdes, në mënyrë që besimtari të mos hasë në vështirësi të mëdha gjatë avdesit, sidomos në ditët e ftohta. “I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë me të, kur mori avdes, fërkoi mestet dhe çallmën e tij”. (Buhariu dhe Muslimi)
Islami assesi nuk e pranon metodën e vështirësimit, shtrëngimit e ngushtimit ndaj njerëzve. Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të thotë: “Ishim në udhëtim dhe njëri nga ne u godit me një gur në kokë dhe i shkaktoi plagë të madhe. Kishte ejakuluar në gjumë dhe kur u zgjua u tha shokëve të udhëtimit: a dini të ketë lehtësim për mua që mos të pastrohem me ujë, por të marr tejemum shkaku i plagës? Ata i thanë: Jo nuk bënë të marrësh tejemum përderisa ka ujë. U pastrua me ujë dhe vdiq. Kur erdhën te i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ia treguan ndodhinë, ndërsa ai u tha: E paskan vra, Zoti i vraftë! Kur nuk dinin (t’i tregonin të plagosurit se si duhet të vepronte), pse nuk pyesnin të tjerët?! Ilaçi i mosdijes është të pyeturit (ata që dinë). Atij do t’i mjaftonte tejemumi; të merrte një leckë e ta vendoste mbi plagë, ta fërkonte me dorë leckën dhe të pastronte pjesët e tjera të trupit”. (Ebu Davudi, e saktësoi Albani)
5.    Sipas mësimeve islame, e tërë toka në parim është e pastër, dhe adhurimet mund të kryhen në çdo pjesë të saj, përderisa nuk vërtetohet e kundërta pra papastërtia e saj, përveç varrezave dhe banjove. Pra, nuk kërkohet që adhurimet të bëhen vetëm në vende të caktuara, në mënyrë që kryerja e tyre të jetë më e lehtë për besimtarin. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “E tërë toka më është bërë (nga Allahu) e pastër, pastruese dhe e lejuar për faljen e namazit kudo në të, pra, kur të vijë koha e namazit, faluni kudo që t’u arrijë ai...”. (Muslimi)
6.    Nëse vendin ku jemi e godet papastërtia, atëherë ajo largohet pa ndonjë lodhje e mundim të madh. Këtë e tregon më së mirë rasti i beduinit i cili erdhi në xhami (e dyshemeja e saj ishte tokë) dhe urinoi në të. Të pranishmit e qortuan ashpër dhe deshën ta rrahin, ndërsa i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, tha: “Derdheni një kovë me ujë në vendin e urinimit dhe mos e qortoni, ngase ju jeni të urdhëruar të silleni me butësi e tolerancë e jo me vrazhdësi”! (Buhariu)
7.    Sipas mësimeve islame bajgat dhe urina e kafshëve, mishi i të cilave është i lejuar, janë të pastra dhe si të tilla nuk e bëjnë të papastër (fetarisht) vendin e rrobën që bien në të, përveç gjakut që del me vrull gjatë therjes. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, u pyet: a lejohet të falemi në stallën dhe vathën e deleve? “Po”, tha ai. (Muslimi)

2.    Toleranca islame në adhurime - namazi
Namazi është lidhja ndërmjet njeriut dhe Allahut. Gjatë kryerjes së tij besimtari, i përulur duke u lutur, veçohet me Allahun. Sa herë që besimtarit i dobësohet drita e besimit, thërret muezini për namaz, e besimtarit i rikthehet forca e dritës së besimit. Meqë falja e namazit bëhet pesë herë në ditë, kjo e mban të freskët lidhjen e besimtarit me Allahun e Lartësuar.
Gjatë faljes së namazit në xhami, aty besimtarët takohen e njoftohen me njëri-tjetrin, ndërmjet tyre shtohet dashuria dhe nga afër njoftohen për hallet e njëri-tjetrit. Në xhami sistemi i shtresave sociale të njerëzve eliminohet, përderisa të gjithë; i pasuri dhe i varfri, i vogli dhe i madhi, ai që ka autoritet dhe i gjori rreshtohen në të njëjtin rresht (saf) pranë njëri-tjetrit. Të gjithë janë të barabartë në faljen dhe lutjet e tyre para Allahut, të gjithë të kthyer nga i njëjti drejtim (kibla), bëjnë lëvizjet e njëjta, që e përbëjnë shtyllën më të rëndësishme pas dëshmisë së Islamit.
I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Gjëja e parë për të cilën do të llogaritet besimtari në Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse atë e ka në rregull, atëherë ky besimtar do të jetë i shpëtuar, e nëse namazin nuk e ka në rregull, atëherë ai do të jetë i dëshpëruar”. (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
Përderisa namazi kryhet pesë herë në ditë, atëherë lehtësia dhe toleranca në të është mjaft e pranishme, që besimtari ta kryejë atë me vullnet dhe pa ndier lodhje e vështirësi të mëdha.
Ndër format e lehtësisë dhe tolerancës në namaz, veçojmë:
1.    Mënyra e kryerjes së namazit është e lidhur me kushtet dhe mundësinë e besimtarit. Sikur që dihet se nga kushtet e namazit është edhe qëndrimi në këmbë, mirëpo nëse besimtari këtë nuk mund ta bëjë, atëherë falet ulur. Nëse edhe ulur nuk mundet, falet i shtrirë, e nëse as kështu nuk mundet, atëherë falet përmes shenjave të gjymtyrëve që mund t’i lëvizë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Falu në këmbë! Nëse nuk mundesh, falu ulur! E nëse as kështu nuk mundesh, falu i shtrirë”! (Buhariu)
2.    Varësisht nga gjendja e frikës apo e sigurisë së besimtarit, Islami parasheh forma të ndryshme të namazit. Allahu i Lartësuar thotë: “E nëse keni frikë (nga armiku), atëherë faluni duke ecur ose duke kalëruar, por kur të jeni të siguruar, përkujtoni (me namaz) Allahun ashtu si u mësoi Ai për atë që ju nuk dinit”. (El-Bekare: 239)
3.    Udhëtarit (sipas rregullave dhe kushteve të caktuara) i lejohet shkurtimi i namazeve që kanë nga katër rekate, në dy, sikur dhe i lejohet falja e namazeve të drekës dhe ikindisë së bashku në kohën e njërit prej tyre, si dhe falja e namazeve të akshamit dhe jacisë së bashku në kohën e njërit prej tyre. Omerit, Allahu qoftë i kënaqur me të, në lidhje me ajetin kur’anor: “Kur të jeni në udhëtim, nuk është mëkat për ju të shkurtoni namazin, nëse frikoheni se jobesimtarët do t’ju sjellin ndonjë të keqe”. (En-Nisa: 101), i është thënë: Si të veprojmë tani pasi nuk kemi frikë më? Ai është përgjigjur: edhe mua më ka nxitur kureshtjen ky ajet sikur se ty dhe e pyeta të Dërguarin, e ai më tha: “Kjo është lëmoshë (lehtësim) nga Allahu për ju, pra, pranojeni lëmoshën e Tij”. (Muslimi)
4.    Islami lejon që për shkak të shiut dhe të ftohtit të madh, sikurse i lejon, të sëmurit edhe kur nuk është në udhëtim faljen e dy namazeve së bashku në kohën e njërit prej tyre. Transmeton Sein bin Xhubejri nga Abdullah bin Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me ta, se i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, e fali namazin e drekës dhe të ikindisë së bashku edhe pse nuk kishte frikë nga armiku dhe nuk binte shi. Seidi e pyeti Abdullahun se përse veproi kështu i Dërguari? Ai i tha: “E bëri këtë për të mos rënë në siklet (me faljen e namazit) muslimanët”. (Muslimi)
5.    Koha jo e ngushtë për ta falur namazin, është një tjetër formë e tolerancës islame në namaz. Tregon Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se meleku Xhibril erdhi te i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, pasi që dielli kaloi zenitin dhe i tha: Ngrihu, o Muhamed, dhe fale namazin e drekës! Pastaj kaloi një kohë derisa hija e njeriut u zgjat sa vet njeriu, erdhi prapë Xhibrili për kohë të namazit të ikindisë dhe i tha: Ngrihu, o Muhamed, dhe fale ikindinë! Pasi përëndoi dielli erdhi prapë dhe i tha: Ngrihu, o Muhamed, dhe fale namazin e akshamit! I Dërguari u ngrit dhe e fali akshamin. Pastaj erdhi pasi humbi kuqërremja nga horizonti dhe i tha: Ngrihu dhe fale namazin e jacisë! I Dërguari u ngrit dhe e fali. Pastaj erdhi posa doli agimi i mëngjesit dhe i tha: Ngrihu, o Muhamed, dhe fale namazin e sabahut! U ngrit dhe e fali. Të nesërmen erdhi Xhibrili pasi që hija e njeriut u zgjat sa vet njeriu dhe i tha: Ngrihu, o Muhamed, dhe fale namazin e drekës! Pastaj erdhi prapë në kohën kur hija e njeriu u zgjat sa dy herë gjatësia e tij dhe i tha: Ngrihu, o Muhamed, dhe falu! Ai u ngrit dhe e fali namazin e ikindisë. Ndërsa për namazin e akshamit erdhi në të njëjtën kohë prapë pasi perëndoi dielli dhe i tha: Ngrihu dhe falu! U ngrit dhe e fali akshamin. Pastaj erdhi për namazin e jacisë pasi që kaloi një e treta e natës dhe i tha: Ngrihu dhe falu! U ngrit dhe e fali jacinë. Krejt në fund erdhi pasi që u përhap drita mirë në mëngjes dhe i tha: Ngrihu dhe falu! U ngrit dhe e fali sabahun. Para së të shkonte Xhibrili i tha: Koha e faljes së çdo namazi është ndërmjet këtyre dy kohëve”. (Nesaiu)
6.    Nëse besimtari gjatë namazit harron, shton apo mangëson diçka prej tij, nuk ka nevojë që ta përsërit namazin, mirëpo atij i mjafton t’i bëjë dy sexhde (sehv) të harresës në fund, lehtësim për të, kundërvënie ndaj djallit i cili vazhdimisht insiston në prishjen e adhurimeve të besimtarit, njëkohësisht ta kënaqë Allahu e Lartësuar.
I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nëse dikush gjatë namazit dyshon dhe nuk di se i ka mbaruar tre apo katër rekate, le ta hedh dyshimin dhe lë të vazhdojë prej aty ku është i sigurt, e në fund të namazit të bëjë dy sexhde para se të japë selam. Nëse ka falë rekate tek (pesë), atëherë dy sexhdet e fundit ia shndërrojnë ato në çift (gjashtë), e nëse i ka falë katër rekate, atëherë dy sexhdet do ta përçmojnë djallin”. (Muslimi)
7.    Nëse besimtari nuk mund ta gjejë anën e kibles për t’u falur drejt saj dhe nuk është dikush që mund ta pyes për të, atëherë falet nga ai drejtim që mendon se është drejtimi i kibles. Allahu i Lartësuar thotë: “Të Allahut janë edhe Lindja edhe Perëndimi, dhe kah do që të ktheheni, aty është anë e Allahut. Vërtetë, Allahu është i Gjerë (në bujari) e i Dijshëm”. (El-Bekare: 115)
8.    Ndalohet që imami ta zgjasë namazin kur falet me xhemat, i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur dikush falet imam i njerëzve, të mos e gjasë shumë namazin, sepse pas tij falet i dobëti, i sëmuri e plaku. E kur falet vetëm, atëherë le ta zgjasë sa të dojë”. (Buhariu)

3.    Toleranca islame në adhurime – zekati
Me zekatin synohet zhdukja e varfërisë apo zbutja e saj në shoqëritë muslimane, njëkohësisht eliminimi i rreziqeve që i kanosen shoqërisë si: vjedhja, vrasja, dhunimi, ku ndër shkaktarët e tyre pa dyshim është edhe varfëria. Sikurse synohet mbajtja gjallë e solidaritetit ndër muslimanë duke u dalë në ndihmë të varfërve, skamnorëve, të paaftëve, që të kursehen nga turpi i shtrirjes së dorës tjerëve.
Ndër format e tolerancës dhe lehtësisë në kapitullin e zekatit mund të veçohen:
1.    Nuk lejohet që zekati t’i merret nga pjesa më e mirë, më vitale e pasurisë, porse ajo merret nga pjesa e mesme (në cilësi) e saj. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, grumbulluesit të zekatit i tha: “Kujdes mos ua merr pasurinë më të mirë për zekat”. (Buhariu)
2.    Sasia që duhet dhënë zekat është shumë pak përballë pasurisë prej të cilës jepet, njëkohësisht dhënia e zekatit nuk obligohet pa i mbushur pasuria një vit të plotë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nuk jepet zekati për pasurinë, vetëm pasi ajo të mbush një vit të plotë”. (Ebu Davudi)
3.    Kur jepet zekati i të mbjellave, këtu vlerësohet mundi dhe lodhja e bujkut për to. Nëse ato janë ujitur nga bujku, atëherë 5% e tyre jepet zekat, e nëse ato janë ujitur me të reshura, atëherë 10% e tyre jepet zekat. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “(Të mbjellat) që janë ujitur me të reshura apo lumenj (të cilët kalojnë pranë tyre) zekati për to jepet 10%, e nëse janë ujitur me mundin dhe punën e pronarit, jepet 5%”. (Buhariu)
4.    Nëse personi që posedon pasuri sa për të dhënë zekatin e saj, por ajo pasuri i nevojitet për nevoja të tij dhe familjes apo me atë pasuri duhet t’i kthej borxhet, atëherë për këtë person bie obligueshmëria e dhënies së zekatit. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nuk ka zekat, përveç për pasurinë e cila është më tepër se nevojat elementare”. (Ahmedi)
Jo vetëm kaq, madje nëse nuk mbulohen këto nevoja, atëherë këtij i jepet nga zekati, meqë e meriton. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu caktoi obligim që zekati t’ju takoj vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që duhet përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së vet”. (Et-Teube: 60)
5.    Zekati konsiderohet përfitim për dhënësin e tij dhe jo shpenzim. Allahu i Lartësuar thotë: “Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’ua shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. Allahu është Dëgjues dhe sheh (çdo gjë)”. (Et-Teube: 103)

4.    Toleranca islame në adhurime – agjërimi
Ndër urtësitë e obligueshmërisë së agjërimit është edhe ajo, që përmes tij besimtari t’i kujtojë vëllezërit e tij të varfër e me nevoja, të interesohet për gjendjen dhe hallet e tyre, të shpreh solidaritet dhe mirësi ndaj tyre si dhe t’i përmbushë obligimet ndaj tyre. Agjërimi njëkohësisht është edhe luftë ndërmjet besimtarit dhe epsheve e dëshirave të tij, ai e pastron egon e besimtarit nga fjalët dhe veprat e liga.
Në vazhdim të sjellim disa forma të tolerancës në kapitullin e agjërimit:
1.    Në Islam nuk ka agjërim obligativ, pos agjërimit të muajit Ramazan. Allahu i Lartësuar thotë: “Muaji i Ramazanit, në të (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni”. (El-Bekare: 185)
2.    Që besimtari të mos ndihet i sikletosur me fillim dhe mbarimin e kohës së agjërimit, koha e tij është e caktuar dhe nuk lejohet që ajo të pakësohet apo të shtohet. Koha e agjërimit fillon me agimin dhe mbaron me perëndimin e diellit. Allahu i Lartësuar thotë: “Natën e agjërimit u është lejuar afrimi te gratë tuaja, ato janë prehje për ju dhe ju jeni prehje për ato. Allahu e di se ju e keni mashtruar vetveten, andaj ua pranoi pendimin tuaj dhe ua fali gabimin. Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar Allahu dhe hani e pini derisa qartë të dallohet peri i bardhë nga peri i zi në agim, e pastaj agjërimin plotësojeni deri në mbrëmje. E kur jeni të izoluar (në i’tikaf) në xhamia, mos t’u afroheni atyre (për marrëdhënie intime). Këto janë dispozitat e Allahut, pra mos i kundërshtoni. Ja kështu, në këtë mënyrë Allahu ua sqaron njerëzve argumentet e veta që ata të ruhen”. (El-Bekare: 187)
3.    Është e ndaluar që të agjërohet disa ditë pandërprerë (por çdo ditë duhet të ndahet nga tjera me iftar), ngase shkakton lodhje të tepërt, njëkohësisht është ngarkesë më dispozita të cilat nuk qëndrojnë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Mos agjëroni disa ditë pa ndërprerë agjërimin (me iftar)”. (Ibën Hibani, e saktësoi Albani)
4.    Shpërblimi për agjërimin është shumë i madh, madje ai është i pakufizuar në shifra, ngase është adhurim jo i lehtë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: çdo punë e njeriut i përket atij (sipas nijetit që bën), pos agjërimit i cili behet për Mua dhe Unë shpërblej (shumë) për të. Agjërimi është mburojë. Kur dikush është agjërueshëm, mos të flasë fjalë të liga dhe mos të bërtasë, e nëse dikush e fyen apo e sulmon atë, le të thotë: Unë jam agjërueshëm. Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu se aroma e parfumit. Agjëruesi ka dy gëzime, që i gëzohet agjërimit të tij, njërin kur ha iftarin dhe tjetrin kur e takon Allahun”. (Buhariu dhe Muslimi)
5.    I sëmuri dhe udhëtari janë të liruar nga agjërimi, ndërsa ditët që i lëshojnë pa agjëruar, i kompensojnë kur të kenë mundësi. Allahu i Lartësuar thotë: “E kush e përjeton prej jush këtë muaj, le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. Allahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni”. (El-Bekare: 185)
Në Islam është e ndaluar që besimtari ta ngarkojë veten me punë që i tejkalojnë mundësitë e tij, qofshin ato edhe adhurime. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, derisa ishte në udhëtim me shokët e tij, pa një grumbull të njerëzve të cilit mbledhur rreth një burri dhe po i bënin hije. “Çka është puna e tij”? pyeti i Dërguari. Ai është agjërueshëm, i thanë. I Dërguari tha: “Nuk është mirësi agjërimi në udhëtim”. (Buhariu dhe Muslimi) Në një tjetër transmetim thotë: “Veproni sipas lehtësisë (ndërprerja e agjërimit në udhëtim) që ua dhuroi Allahu”. (Muslimi)
6.    Gjithashtu femra shtatzënë dhe gjidhënëse nëse frikësohen për shëndetin e vetës apo të fëmijës, lirohen nga agjërimi, që ta kompensojnë kur të kenë mundësi, njëkohësisht edhe plaku i shtyrë në moshë lirohet nga agjërimi dhe për çdo ditë e ushqen nga një të varfër. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ngarkon askënd përtej mundësive të veta...” (El-Bekare: 286)
7.    Nëse agjëruesi nga harresa apo detyrimi ha ose pi, nuk i ndërpritet agjërimi. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur agjëruesi ha ose pi me harresë, le ta vazhdojë agjërimin, ngase Allahu ka dashur që (me harresë) ta ushqejë e ti japë me pi”. (Buhariu dhe Muslimi)

5.    Toleranca islamë në adhurime – haxhi
Ndër qëllimet e obligueshmërisë së haxhit është: njësimi i Allahut, madhërimi i Tij, që manifestohen në fjalët: “LEB-BEJK ALLAHUM-ME LEB-BEJK, LEB-BEJKE LA SHERIKE LEKE LEB-BEJK, IN-NEL-HAMDE VEN-NIAMETE LEKE VEL-MULK LA SHERIKE LEKE” – Të përgjigjem, O Allah, të përgjigjem, të përgjigjem Ty që nuk ke ortak, të përgjigjem. Falënderimi, dhuntitë dhe pushteti të përkasin vetëm Ty, Ti nuk ke asnjë ortak.
Me fjalë të tjera: O Allah, i jemi përgjigjur urdhrit tënd dhe kemi ardhë në këtë vend, duke shpresuar në arritjen e kënaqësisë Tënde, dëshmojmë se Ti je i Vetmi hyjni dhe i Vetmi që meriton adhurimin.
Në haxh nuk dallohet i pasuri nga i varfri, arabi nga joarabi, ai me autoritet nga i përbuzuri, të gjithë janë të barabartë para Allahut, nuk ka dallim ndërmjet tyre pos me devotshmëri. Në këtë mënyrë realizohet vëllazëria ndërmjet muslimanëve, unifikohen ndjenjat dhe shpresat e tyre.
Këto janë disa nga format e lehtësisë dhe tolerancës në haxh:
1.    Haxhi është obligim vetëm një herë në jetë. Sikur ai të ishte obligim për çdo vit, besimtarët do të ballafaqoheshin me mundime e vështirësi shumë të mëdha, sikurse do të ishte e pamundur që Meka çdo vit të pranonte numër kaq të madh të muslimanëve në të njëjtën kohë.
Kjo, njëherit e dëshmon edhe vërtetësinë e shpalljes së Muhamedit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, se në të nuk ka obligime absurde.
Tregon Ebu Hurejre, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, na mbajti një fjalim, ku tha: “O njerëz, Allahu ua obligoi kryerjen e haxhit, pra, kryejeni atë”. Një burrë e pyeti: A për çdo vit është obligim kryerja e tij? I Dërguari heshti derisa ky burrë e përsëriti pyetjen tri herë, atëherë i Dërguari tha: “Sikur të thoja po, do të bëhej obligim çdo vit dhe nuk do të mund ta kryenit. Mjaftohuni me atë që ua komunikoj (nga adhurimet) dhe mos pyesni shumë, sepse ajo që i shkatërroi popujt e mëhershëm ishte pikërisht pyetjet e shumta (të panevojshme) dhe kundërshtimi i pejgamberëve. Nëse ju urdhëroj për diçka, kryeni atë sipas mundësisë, e nëse ju ndaloj nga diçka, mos e veproni”. (Muslimi)
2.    Haxhi edhe pse është shtylla e pestë e Islamit, ai nuk është obligim për atë që nuk ka mundësi materiale dhe fizike. Nëse dikush vuan nga sëmundja që nuk pritet shërimi prej saj, njëherit kjo sëmundje e pengon nga shkuarja në haxh, mirëpo i njëjti ka mundësi materiale, atëherë e paguan atë që mund të kryejë haxhin për të. Ai që është i shëndoshë fizikisht, mirëpo nuk ka mundësi materiale, për të tillin bie obligueshmëria e haxhit. Allahu i Lartësuar thotë: “Për hir të Allahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo”. (Ali Imran: 97)
3.    Kryerja e haxhit mund të bëhet në tri forma, ndërsa besimtari mund të zgjedhë cilëndo prej tyre që i përshtatet më shumë. Pa dyshim se kjo është një lehtësim dhe tolerancë e madhe në haxh.
4.    Për lëshimet që mund të ndodhin nga haxhiu, janë shpagimet e ndryshme, që nënkupton se haxhi nuk i prishet me ato lëshime. Allahu i Lartësuar thotë: “E kryeni haxhin dhe umren për hir të Allahut, po në qoftë se pengoheni, atëherë (therni për kurban) çka t’ju vijë më lehtë prej kurbaneve, e mos i rruani kokat tuaja derisa të arrijë kurbani vendin e caktuar. Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensim është: agjërim, sadaka ose kurban. E kur jeni të sigurt, ai që bënë umren para haxhit (duhet therë) një kurban që i vjen më lehtë, mirëpo nëse nuk ka, le të agjërojë tri ditë gjatë haxhit e shtatë ditë kur të ktheheni, këto janë dhjetë ditë të plota. Ky është rregull për ata që nuk kanë familjen pranë xhamisë së shenjtë. Pra kinie dro Allahun dhe dine se Allahu është ndëshkues i rreptë”. (El-Bekare: 196)
5.    Nëse haxhiu ka frikë se mund të pengohet nga kryerja e haxhit, lejohet që kryerjen e tij ta kushtëzojë me mundësi. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, shkoi te Duba’ah bint Zubejr, Allahu qoftë i kënaqur me ta, dhe i tha: dëshiron të bësh haxhin me ne”? Ajo tha: Po, por ndiej dhembje në trup. I Dërguari i tha: “Nisu për haxh dhe kushtëzoje atë me mundësi (nëse mundem), thuaj: O Allah, në momentin që pengohem për ta vazhduar haxhin, do ta ndërpres atë (pa pasur nevojë për kompensim a shpagim)”. (Buhariu dhe Muslimi)
6.    Haxhi ia fshin mëkatet haxhiut. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush bën haxhin duke mos pasur kontakt intim me gruan dhe duke mos folur fjalë të liga, kthehet nga në shtëpi (i liruar nga mëkatet) sikur ditën që ka lindur”. (Buhariu)


Toleranca islame dhe femra
Në Islam femra gëzon pozitë të lartë. Islami asaj ia garanton të drejtat, e ngriti lart çështjen e saj, njëkohësisht respektimin e saj e bëri shenjë të personalitetit të shëndoshë e të kompletuar, ashtu siç thotë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Sa më i moralshëm që të jetë besimtari, aq më të kompletuar e ka besimin, dhe më i miri nga ju është ai që ka sjellje më të mirë me gruan e tij”. (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
Obligimi për mirësi dhe respekt ndaj femrës vjen para obligimit për mirësi e respekt ndaj mashkullit. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Këshilloni njëri-tjetrin që të sillet mirë me gruan e tij”. (Buhariu dhe Muslimi)
Ndër format e tolerancës ndaj femrës janë si vijon:
1.    Islami, femrës, qoftë grua, qoftë e shkurorëzuar që ka fëmijë, i siguroi përkujdesje financiare. Thotë Allahu i Lartësuar: “Ai që është i pasur, le të shpenzojë sipas mundësisë së vet, e ai që është ngushtë nga pasuria, le të japë nga ajo që i ka dhënë Allahu, e Allahu nuk ngarkon askënd, vetëm aq sa i ka dhënë; mirëpo pas vështirësisë Allahu sjell çlirim (begati)”. (Et-Talak: 7)
2.    Edhe pse femra në Islam nuk ka kurrfarë përgjegjësie financiare, ai i dha asaj të drejtën në trashëgimi, e që para Islamit nuk trashëgonte fare. Allahu i Lartësuar thotë: “Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon pjesë e caktuar (nga Zoti)”. (En-Nisa: 7)
3.    Islami e liroi femrën nga disa obligime në periudha të caktuara. Ajo gjatë periudhës së ciklit menstrual dhe lehonisë, është e liruar nga namazi dhe agjërimi. Agjërimin e kompenson më pas, ndërsa namazin nuk e kompenson fare. Një grua e pyeti gruan e të Dërguarit Aishen, Allahu qoftë i kënaqur me të: pse femra nuk e kompenson namazin e lëshuar gjatë kohës së ciklit, ndërsa agjërimin po? Aisheja ia tha: Ti mos je nga havarixhët (ata që e trajtonin fenë sipas modelit më të vështirë)? Jo, vetëm po pyes, ia ktheu. Edhe neve kur lëshonin namazin dhe agjërimin për shkak të ciklit, urdhëroheshim (nga i Dërguari) që ta kompensojmë agjërimin, por jo edhe namazin”. (Muslimi)
4.    Gjithashtu femra me cikël lirohet nga tavafi lamtumirës (rituali i fundit që bëhet) në haxh. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “I urdhëroi haxhinjtë që vepra e fundit e tyre të jetë tavafi lamtumirës, ndërsa femra me cikël u lirua nga ky adhurim”. (Buhariu dhe Muslimi)
5.    Islami ua lejoi bashkëshortëve të gjitha mënyrat e kënaqësisë ndërmjet vete, vetëm që ndaloi marrëdhëniet intime kur gruaja është në periudhën e ciklit. Tregon Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se kur gruaja ishte në periudhën e ciklit te çifutët, ata nuk hanin ushqim së bashku me to dhe nuk qëndronin as nuk flinin me to në të njëjtën shtëpi.
Shokët e pyetën të Dërguarin se çfarë të veprojnë, dhe përgjigje për ta zbriti ajeti kur’anor: “Të pyesin ty për menstruacionin. Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen, dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme”. (El-Bekare: 222) Pas kësaj i Dërguari ju tha: “Bëni çfarë të doni, përveç aktit seksual”. (Muslimi)
6.    Islami e obligoi burrin që në martesë t’i japë gruas mehrin (prikën). Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe jepuni me gjithë zemër grave tuaja dhuratën e kurorëzimit e, nëse ato u falin me dëshirën e vet diçka prej atyre dhuratave, pranojeni atë pa frikë dhe me kënaqësi!” (En-Nisa: 4)
7.    Mehri i takon gruas pas shkurorëzimit, qoftë edhe para martesës (pas fejesës). Allahu i Lartësuar thotë: “Në qoftë se i ndani gratë para se të keni marrëdhënie me to, por ia keni caktuar shumën e dhuratës martesore, atëherë atyre u përket gjysma e dhuratës, veç nëse ua falin ato ose ua falin ata që kanë në dorë lidhjen e martesës. Por që të falni është më pranë devotshmërisë. Mos harroni që të bëheni bamirës midis jush! Vërtet, Allahu e sheh mirë se çfarë bëni”. (El-Bekare: 237)
8.    Burrit nuk i lejohet që ta largojë gruan e shkurorëzuar nga shtëpia gjatë periudhës së pritjes pas shkurorëzimit, në mënyrë që kjo të ndikojë që ata dy t’i rikthehen njëri-tjetrit. Allahu i Lartësuar thotë: “ O Profet! Nëse i ndani gratë, ndajini ato para kohës së tyre të pritjes. Llogaritni kohën e tyre të pritjes dhe frikësojuni Allahut, Zotit tuaj. Mos i dëboni ato prej shtëpive të tyre, por edhe ato të mos dalin, me përjashtim të rastit kur shkelin martesën haptazi. Këto janë urdhërimet e Allahut; kushdo që i kapërcen kufijtë e Allahut, i ka bërë dëm vetvetes. Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër”. (Et-Talak: 1)
9.    Burri është i obliguar të përkujdeset financiarisht për gruan që e ka shkurorëzuar, të mos ia mohojë të drejtat e saj, të sillet mirë me të dhe të mos e pengojë në punët e saj, përderisa ajo është në periudhën e pritjes pas shkurorëzimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Gratë e ndara në periudhën e pritjes, le të banojnë aty ku banoni edhe ju, sipas mundësive tuaja dhe mos u bini në qafë për t’i detyruar (të largohen). Nëse janë shtatzëna, shpenzoni për ato deri sa të lindin. Nëse fëmija ushqehet me gjirin e nënës, paguajuni atyre shpërblimin dhe merruni vesh me të mirë. Por, nëse keni vështirësi të merreni vesh, atëherë le ta ushqejë me gji një (mëndeshë) tjetër.” (Et-Talak: 6)
10.    Islami i dha gruas të drejtën e përkujdesjes për fëmijët pas shkurorëzimit, gjithnjë nëse ajo e kërkon këtë. Allahu i Lartësuar thotë: “Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit. Babai i fëmijës ka për detyrë, sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë si duhet ushqim dhe veshmbathje. Nuk ngarkohet askush përtej mundësisë që ka: nëna le të mos dëmtohet për shkak të fëmijës së saj e as babai të mos dëmtohet për shkak të tij. Edhe trashëgimtari ka të njëjtat detyrime për të gjitha këto. Por, nëse pas këshillimit, ata vendosin me pëlqim të ndërsjellë që ta ndajnë fëmijën nga gjiri, kjo nuk është gjynah për ata. Po ashtu, nuk është gjynah për ju nëse doni t’i gjeni fëmijës suaj ndonjë mëndeshë, me kusht që t’ia jepni atë që e keni menduar, sipas rregullave. Ta keni frikë Allahun dhe dijeni se Allahu i sheh mirë të gjitha punët që bëni ju”. (El-Bekare: 233)
11.    Gruaja nuk është e obliguar të marrë pjesë aktive në luftë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kur u pyet se a duhet gruaja të marrë pjesë në luftë? Ai u përgjigj: “Po, për to ka luftë pa konfrontim, ajo është haxhi dhe umreja”. (Ahmedi)
12.    Në Islam femra nuk është e detyruar të punojë, sikurse nuk është e obliguar të kujdeset financiarisht për askënd.

 

Toleranca islame në rrafshin e transaksioneve financiare
Pasuria është shtyllë e jetës. Në transaksionet financiare shpeshherë vërehet prania e mashtrimit e padrejtësisë, madje edhe uzurpimi i të drejtave të ndonjërës palë apo mosinteresimi vetëm se për interes personal, i cili e dëmton interesin e tjetrit.
Si rrjedhojë, është më se e nevojshme që toleranca dhe lehtësia të jenë pjesë e këtyre transaksioneve.
Në vazhdim do t’i cekim disa nga format e tolerancës islame në këtë fushë:
1.    Islami porosit që gjatë shitblerjes të mbizotërojë toleranca dhe lehtësimi. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu e mëshiroftë njeriun i cili është tolerant e lehtësues kur shet, kur blen dhe kur kërkon të drejtën e vet”. (Buhariu)
2.    Islami inkurajon që borxhliut t’i shtyhet afati i kthimit të borxhit nëse ai nuk mund ta bëjë kthimin e tij në kohë, e nëse i falet borxhi, kjo është edhe më e mirë. Allahu i Lartësuar thotë: “Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje deri sa të vijë në një çlirim. E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës është shumë më e mirë për ju, nëse dini”. (El-Bekare: 280)
Gjithashtu i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush ia shtyn afatin borxhliut që është në gjendje të vështirë, për çdo ditë do të arrijë shpërblimin e lëmoshës, e pasi t’ia shtyj afatin gjithashtu do të arrijë shpërblimin e lëmoshës për çdo ditë”. (Ibën Maxheh, e saktësoi Albani)
3.    Islami gjithnjë thërret në tolerancë dhe lehtësi në kërkimin e kthimit të borxhit. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Njëri nga popujt që ishin para jush, që kishte shumë pasuri, pas vdekjes kur i erdhi llogaria, ai nuk kishte ndonjë punë të mirë që kishte bërë, pos që punëtorëve të vet ju thoshte: borxhliut që është në gjendje të vështirë ekonomike, faljani borxhin. E Allahu tha (melaqeve): Ne jemi më meritor për t’i falur njerëzit, faljani atij (mëkatet)”. (Muslimi)
4.    Toleranca islame është e shprehur edhe në kthimin e borxhit. Erdhi një njeri tek i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe me fjalë të ashpra po e kërkonte devenë që ia kishte dhënë borxh. Të pranishmit gati sa nuk iu vërsulën, ndërsa i Dërguari u tha: Lëreni njeriun rehat, sepse ai që kërkon të drejtën e vet duhet t’i jepet mundësia ta kërkojë atë dhe të ofrojë argumentet. T’i jepni devenë ashtu siç ishte deveja e tij! tha i Dërguari. Shokët i thanë: O i Dërguari i Allahut, të gjitha devetë janë më të mira (më të shtrenjta në çmim) seç ishte deveja e tij. Jepjani nga ato që janë, ngase më i miri prej jush është ai që e kthen borxhin në mënyrën më të mirë.” (Buhariu dhe Muslimi)
5.    Nëse njëra palë e transaksionit dëshiron ta shfuqizojë kontratën, Islami e nxit palën tjetër që ta pranojë këtë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush ia revokon shitblerjen muslimanit që e kërkon një gjë të tillë, atij Allahu do të ia falë mëkatet në Ditën e Gjykimit”. (Ebu Davudi, e saktësoi Albani)
6.    Islami i jep palëve të kontratës së shitblerjes të drejtën e anulimit të saj (sipas rregullave dhe kushteve të kontraktuesve). I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Dy kontraktuesit në shitblerje janë të lirë të zgjedhin realizimin e shitblerjes apo anulimin e saj përderisa nuk ndahen nga njëri-tjetri pas kontraktimit. Nëse i tregojnë drejtë njëri-tjetrit, do të begatohen në shitblerje, e nëse nuk e gënjejnë njëri-tjetrit dhe fshehin realitetin e artikujve, u tretet begatia e tregtisë së tyre”. (Buhariu dhe Muslimi)
7.    Sistemi i trashëgimisë e shpalos tolerancën e Islamit në transaksione financiare. Ky sistem i siguron qasje në trashëgimi të gjithë atyre që kanë të drejtë trashëgimie; i madhi i vogli, mashkulli e femra, sipas afërsisë ndaj ish-pronarit të pasurisë. Qasje të drejtë, të cilën e pranon çdo logjikë e shëndoshë. Askush nuk ka të drejtë që trashëgiminë ta ndajë sipas epshit e dëshirës së vet.
Shpërndarja e pasurisë tek sa më shumë njerëz, mos akumulimi i saj në dorë të vetëm një personi, është ndër të mirat e këtij sistemi. Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë sistem, thotë: “Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma; për prindërit, për secilin nga ata, iu takon një e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e nëse (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta; në qoftë se ai (i vdekuri) ka vëllezër, nënës së tij i takon vetëm një e gjashta, (kjo e drejtë në trashëgim bëhet) pasi të kryhet (vasijeti) që ka lënë dhe pasi të lahet borxhi; ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga Allahu. Vërtet Allahu është më i Dijshmi, më i Urti”. (En-Nisa: 11)
Këto dhe shumë detaje tjera rreth trashëgimisë të përmendura në Kur’an dhe Sunet, të cilat nuk mund t’i përmendim të gjitha, por ato mund të hasen në librat e trashëgimisë.
8.    Islami nxit në bamirësi ndaj atyre që janë të pranishëm gjatë ndarjes së trashëgimisë. Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë thotë: “E kur në ndarjen e trashëgimisë të jenë të pranishëm të afërmit, jetimët dhe të varfrit, u dhuroni edhe atyre diçka dhe thuajuni fjalë të mira”. (En-Nisa: 8)
9.    Ekzistimi i testamentit në legjislacionin islam, i jep atij edhe një dimension tjetër të tolerancës në rrafshin e transaksioneve financiare.
Çdo besimtar ka të drejtë që një pjesë së pasurisë së tij ta lë testament pas vdekjes, që të shfrytëzohet në punë të mira e të mbara, me kusht që vlera e testamentit të mos e kalojë një të tretën e pasurisë totale.     
Sad bin Ebi Vekkas, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: Më vizitoi i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, sa isha i sëmurë në Meke, ndërsa unë e pyeta: A ta lë testament tërë pasurinë që kam? Ai më tha: Jo. Ta lë gjysmën e saj? Prapë më tha: Jo. Ta lë një të tretën e saj? Një e treta, po, edhe pse edhe ajo është shumë, më tha i Dërguari. Më mirë është t’i lësh pasardhësit të pasur sesa t’i lësh të varfër e t’ua zgjasin dorën njerëzve. Çdo shpenzim që bën për nevoja familjare, ka shpërblimin e lëmoshës, madje edhe kafshatën e bukës që e vendos në gojën e bashkëshortes. Ndoshta Allahu do që të të ngrejë lartë dhe të përfitojnë nga ti njerëzit e mirë e të dëmtohen të këqijtë”. (Buhariu)
Sikurse për të qenë testamenti valid, është kusht që personi për të cilin lihet të mos ketë të drejtë trashëgimie në të njëjtën pasuri, në mënyrë që të mos nxitet urrejtje e armiqësi ndërmjet trashëgimtarëve. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë me të thotë: “Allahu i dha secilit pjesën që e meriton, e trashëgimtarit nuk i takon testamenti”. (Ebu Davudi, e saktësoi Albani)
Toleranca islame në kodin penal
Për të ofruar siguri e stabilitet dhe për të parandaluar përhapjen e krimeve në shoqëri, sikurse në çdo fe tjetër, Islami e bëri sistemin e ndëshkimeve pjesë përbërëse të legjislacionit.
Përmes këtij sistemi mbrohen jetët e njerëzve, nderi dhe pasuria e tyre, ndalohen keqbërësit dhe pengohet agresiviteti i njerëzve ndaj njëri-tjetrit, njëkohësisht parandalohen krimet apo zvogëlohet numri i tyre.
Islami për çdo krim parasheh ndëshkim që përkon me shkallën e krimit. Ai caktoi që vrasësi me paramendim të vritet. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Është caktuar për ju kisasi (ndëshkimi i njëjtë) për vrasje: I liri për të lirin, skllavi për skllavin dhe femra për femrën. Ai (vrasës) që falet nga farefisi i të vrarit, duhet të sillet njerëzishëm dhe le të zbatojë dëmshpërblimin me të mirë. Kjo (falje) është një lehtësi dhe mëshirë nga ana e Zotit. E kushdo që pas kësaj (faljes), e kapërcen kufirin, do të marrë një dënim të dhembshëm.” (El-Bekare: 178)
Për vjedhjen caktoi një dënim duke urdhëruar prerjen e dorës. Thotë Allahu në Kur’an: “Vjedhësit dhe vjedhëses ua pritni duart, si ndëshkim për atë që kanë bërë dhe si dënim nga ana e Allahut. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (El-Maide: 38)
Kur vjedhësi ta kuptojë se në qoftë se vjedh do t’i pritet dora do të ndalej nga vjedhja dhe me këtë do ta ruante dorën e tij nga prerja dhe do të ruhej pasuria e të tjerëve.
Ndërsa për të pamartuarin që kryen marrëdhënie seksuale jashtë kurorës, caktoi ndëshkimin me njëqind shkopinj, në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar thotë: “Laviren dhe lavirin rrihni, secilit prej tyre me nga njëqind të rëna...”. (En-Nur: 2)
E tërë kjo, për ta ruajtur sistemin e shëndoshë familjar, për të mos u përzier përkatësia, njëkohësisht për t’u ruajtur pasuria; të mos e trashëgon atë ai që nuk e meriton.
Për shpifjet që cenojnë nderin, Islami caktoi ndëshkimin rënie me shkop gjithashtu: “Edhe ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni ata me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos u pranoni dëshminë më kurrë, të tillët janë të pabesueshëm”. (En-Nur: 4)
Këto dhe ndëshkime të tjera të cilat përkojnë me nivelin dhe llojin e krimit si dhe rrezikun e tij për shoqërinë.
Islami caktoi rregulla të përgjithshme mbi të cilat ndërtohen ndëshkimet si:
-    “Nëse doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju...”. (En-Nahl: 126)
-    “Ndëshkimi i të keqes, bëhet në të njëjtën masë...”. (Esh-Shura: 40)
Sikur që dihet se për ekzekutimin e këtyre ndëshkimeve duhet plotësuar kushte e kondita.
Ndër format e tolerancës islame në kodin penal janë:
1.    Toleranca islame në rrafshin e ndëshkimeve që ndërlidhen me të drejtat e njerëzve, nuk caktoi që ato doemos të ekzekutohen, përkundrazi ai i hapi dyert e faljes dhe të pranimit të kompensimit (për ato ndëshkime që pranojnë kompensim). Allahu i Lartësuar thotë: “Ndëshkimi i të keqes, bëhet në të njëjtën masë, e kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është te Allahu. Vërtet, Ai nuk i do zullumqarët”. (Esh-Shura: 40)
2.    Ndëshkimet që rezultojnë si pasojë e mëkateve ndaj Allahut, dhe përderisa mëkatari nuk i kryen ato sheshazi, dhe çështja e tij nuk arrin në gjykatë, atëherë këto ndëshkime nuk ekzekutohen fare. Ato mbesin ndërmjet Allahut dhe mëkatarit. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Të gjithë mëkatarët nga umeti im do të jenë të falur pos ata që dalin sheshazi. Dalje sheshazi konsiderohet kur besimtari bën mëkat gjatë natës, e Allahu ia mbulon mëkatin, ndërsa si del e thotë: O filan, mbrëmë kam bërë këtë dhe këtë. Atij Allahu ia mbuloi mëkatin, ndërsa edhe pas kësaj ai e shkoqi mbulesën e Allahut për mëkatin e tij”. (Buhariu dhe Muslimi)
Përmes këtyre ndëshkimeve synohet mbrojtja e të drejtave të njerëzve, realizimi i sigurisë dhe stabilitetit në shoqëri si dhe të pengohet çdonjëri që tenton të cenojë sigurinë në vend.
Ai që mendon të kryejë vrasje me paramendim, kur e kujton se dënimi për këtë krim është vrasja, për vjedhje prehet dora, dhe ai që mendon të kryejë krimin e prostitucionit, kur e kujton se dënimi është njëqind shkopinj, sikurse ai që mendon të shpifë për njerëz të ndershëm, kur e kujton dënimin që është tetëdhjetë shkopinj, atëherë të gjithë këta ndalojnë nga krimet dhe kështu njerëzit janë të sigurt prej tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju të zotët e mendjes, kjo masë e dënimit kisasi është jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga mbytja e njëri tjetrit)”. (El-Bekare: 179)
Dikush mund të thotë që këto ndëshkime janë shumë të ashpra. Mirëpo çdo njeri i mençur e pranon se dëmi i këtyre krimeve është shumë i madh për shoqërinë, si rrjedhojë, me doemos duhet t’i kundërvihemi këtyre krimeve dhe të parandalohen ato përmes ndëshkimeve të tilla.
Mund të mos pajtohemi në llojin e ndëshkimeve, pasi që të jemi dakorduar për ndëshkimet në parim, mirëpo të bëhemi real dhe të pyesim vetveten: a më të suksesshme e më efektive në parandalimin e krimeve dhe zvogëlimin e tyre janë ndëshkimet që i caktoi Islami apo ato që i caktuan njerëzit, kur dihet se përmes këtyre të fundit vetëm sa është përhapur më shumë krimi, madje mbi bazën e tyre jo rrallë herë shpëton krimineli nga ndëshkimi, bile ndodh të dënohet ai mbi të cilin është kryer krimi?!
Që të shpëtojë trupi, gjymtyra e helmuar duhet të këputet.

 


Toleranca islame në luftë dhe me robërit e luftës
Pjesë e natyrshmërisë së shoqërive njerëzore janë edhe konfliktet dhe luftërat. Kjo, kur kihet parasysh llojshmëria racore e fetare në ato shoqëri. Gjithsesi se dëshira e shtrirjes së pushtetit, përfitimet ekomomike janë ndër shkaktarët e konflikteve dhe luftërave. Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur Allahu të mos i ndihmonte njerëzit e mirë kundër të këqijve, bota do të ishte shkatërruar. Por Allahu është shumë Bujar me krijesat e Veta.”. (El-Bekare: 251)
Lufta nga këndvështrimi Islam para së gjithash është humanizëm. Në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre (për luftë) nga mendjemadhësia (arroganca e vandalizmi) e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e Allahut. Allahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre”. (El-Enfal: 47)
Ndër shkaktarët e ndezjes së luftës në Islam është: t’i kundërvihet agresorit dhe t’i zgjatet dora e ndihmës viktimës. Allahu i Lartësuar thotë: “Ç’keni që nuk luftoni për Zotin dhe për (t’i shpëtuar) të pafuqishmit: nga burrat, nga gratë e nga fëmijët, të cilët luten: “Zoti ynë! nxirrna nga ky fshat (Meka), banorët e të cilit janë mizorë. Jepna nga ana Jote shpëtim e ndihmë”! (En-Nisa: 57)
Përderisa qëllimi i luftës në Islam para së gjithash është humanitar, patjetër se toleranca dhe lehtësia janë më se të theksuara në të. Ndër format e tolerancës islame në luftë, mund të veçojmë:
1.    Islami nuk është ashtu siç e paraqesin disa që mbajnë mllef për të për shkak të përhapjes së shpejtë të saj, të cilët thonë se Islami është fe terroriste, fe e padrejtësive dhe sulmeve ndaj të tjerëve si dhe fe që nxit luftëra. Allahu i Lartësuar në mënyrë të prerë ndalon të dhunohen të tjerët e të bëhet padrejtësi ndaj tyre: “Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)”. (El-Bekare: 190)
2.    Islami i urdhëron muslimanët që mund të jenë pjesë e luftës, që para çdo konfrontimi me armikun, atij t’i ofrohet opsioni i arritjes së marrëveshjes paqësore dhe shmangia luftës. Kjo, për t’i treguar armikut se Islami nuk është fe që vret dhe që me ëndje e derdh gjakun e të tjerëve. Allahu i lartësuar thotë: “Nëse ata (armiqtë) anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo, e mbështetu në Allahun. Ai është që dëgjon dhe di”. (El-Enfal: 61)
3.    Toleranca islame në luftë shprehet përmes urdhrit të prerë për të mos i luftuar ata që nuk marrin pjesë në luftë (pra, të luftohet vetëm kundër atyre që janë pjesëmarrës në luftë).
4.    Që lufta të mos zhvishet nga petku i humanizmit, Islami parasheh rregulla dhe etika:
Në asnjë mënyrë nuk lejohet vrasja e atyre që nuk janë pjesëmarrës në luftë, si:
-    Pleqtë,
-    Fëmijët,
-    Gratë,
-    Të sëmurët,
-    Ata që mjekojnë të sëmurët dhe të plagosurit,
-    Ata që i janë përkushtuar adhurimit dhe nuk iu intereson asgjë tjetër.
 Gjithashtu nuk lejohen as:
-    Ekzekutimi i të plagosurve në luftë,
-    Masakrimi i kufomave,
-    Vrasja e kafshëve,
-    Shkatërrimi i shtëpive,
-    Prerja e druve,
-    Ndotja e ujit të pijshëm, apo helmimi i tij,
-    Nuk ndiqet ai që ik nga fushëbeteja.
Këto ishin udhëzimet e të Dërguarit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe të kalifëve pas tij që ua jepnin komandantëve të ushtrisë.
Demonstrimi më i mirë i tolerancës islame në luftë bëhet përmes veprimeve të të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, kur e çliroi Mekën, ndërsa banorët e saj e dëbuan dhunshëm prej saj, i bënin tortura të ndryshme, ia vrisnin shokët dhe vazhdimisht bënin plane kundër tij, ai me atë rast ju tha: “Ai që futet në shtëpinë e Ebu Sufjanit është i falur, ai që lëshon armën (nuk lufton kundër nesh) është i falur, ai që futet në shtëpi të vet dhe e mbyll derën është i falur”. (Muslimi)
Këtë politikë tolerante në luftë e vazhduan edhe kalifët e drejtë (udhëheqësit e muslimanëve) pas vdekjes së të Dërguarit. Kalifi i parë, Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, eprorëve ushtarakë u thoshte: “Dëgjoni mirë; kam dhjetë këshilla për ju: mos e thyeni marrëveshjen që bëni me armikun, mos vidhni, mos tradhtoni, mos vrisni fëmijë, mos vrisni gra e pleq, mos i preni hurmat as mos i digjni ato, mos i preni pemët me fruta, mos vrisni lopë, dele as deve, vetëm sa për të ngrënë, sikurse kur të kaloni pranë njerëzve që u janë përkushtuar adhurimit, lëreni ata në atë që janë përkushtuar”. (Taberiu)
5.    Islami e obligon trajtimin njerëzor dhe respektimin e të drejtave të robërve të luftës. Nuk lejohet torturimi i tyre, as përbuzja e terrorizimi i tyre, sikurse nuk lejohet t’u ndërpritet ushqimi dhe pija derisa të vdesin, por ata duhet të trajtohen me fisnikëri dhe mirësjellje. Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë thotë: “Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. (thonë) Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të Allahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim”. (El-Insan: 8-9)
Muslimanët nxituan në jetësimin e këtyre porosive njerëzore karshi robërve të luftës.
Vëllai i Mus’ab bin Umejrit, Ebu Aziz bin Umejr, Allahu qoftë i kënaqur me ta, thotë: “Isha në mesin e të zënëve rob në luftën e Bedrit, kur i Dërguari paqja dhe lavdërimi i Allahut ju tha shokëve të tij: “Silluni mirë me të zënët rob”, disa nga ensarët që kujdeseshin për mua, drekonin dhe darkonin me hurma, ndërsa mua më sillnin bukë (që ishte ushqimi më i mirë).” (Taberaniu)
6.    Për lirimin e robërve të luftës, Islami ofron disa opsione: lirimi i tyre pa kusht, lirimi me pagesë apo lirimi i tyre me kusht që lirimit të njerëzve tanë të zënë robër nga armiku. Allahu i Lartësuar thotë: “(Robërit e zënë në luftë) Lidhni, (e pas mbarimit të luftës), ose lironi pa kusht, ose lironi me pagesë (kështu veproni) përderisa lufta të mos pushojë”. (Muhamed: 4)
7.    Islami i porosit muslimanët që të sillen mirë me njerëzit e vendit në të cilin hyjnë si çlirimtarë. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë me të, i porositi shokët e tij që kur ta çlirojnë Egjiptin (nga sunduesit tiranë), të sillen mirë me egjiptianët, ngase me ta jemi në besë dhe lidhje farefisi”. (Muslimi)
Nuk lejohet në asnjë mënyrë që banorëve të vendeve të çliruara t’u cenohet nderi, apo t’u plaçkitet pasuria, nuk lejohet përbuzja as nënçmimi i tyre, nuk u shkatërrohen vendbanimet as nuk lejohet hakmarrja kundër tyre, ngase qëllimi i çlirimit është rregullimi i atij vendi, urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja dhe realizimi i drejtësisë.
Argumenti më i mirë i jetësimit të urdhrave të të Dërguarit që ndërlidhen me luftën, është besa të cilën ua dha Omer bin Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, banorëve të Kudsit (Jerusalemit) pas çlirimit të tij, ku tha: “Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëbërësit, kjo është besa të cilën Omer bin Hatabi; udhëheqësi i muslimanëve, ua jep banorëve të Kudsit, me të u sigurohet jeta, pasuria, kishat dhe kryqet e tyre... askush nga ta nuk do të detyrohet që ta lë fenë e tij dhe askush nga ata nuk do të dëmtohet”.
A shënon historia bujari, drejtësi e tolerancë sikur kjo, e cila vjen nga pala triumfuese karshi palës disfatiste?!
Edhe pse Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, ishte në pozitë që ia mundësonte t’u vë atyre çfarëdo kushte, mirëpo ai synonte drejtësinë dhe tolerancën. Kjo sjellje e pashembullt, tregon se qëllimi i luftës sipas Islamit është njerëzor e humanitar dhe aspak material.

 

Toleranca islame dhe falja e mëkateve
Njeriu me natyrshmërinë që ka, bën shumë mëkate, qofshin ato ndërmjet tij dhe Allahut apo ndërmjet tij dhe njerëzve që e rrethojnë. Për këtë lajmëroi edhe i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ku tha: “Çdo bir i Ademit (njeri) është mëkatar, më i miri nga mëkatarët është ai që pendohet”. (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
Njeriu i bën këto mëkate në saje të luftës së vjetër dhe zotimit të shejtanit për t’i devijuar njerëzit. Allahu i Lartësuar në lidhje me këtë thotë: “Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim”. (El-Hixhr: 39)
Ndër mënyrat e toleranca islame në faljen e mëkateve janë edhe këto:
1.    Meqë rënia në mëkate është pjesë e natyrshmërisë njerëzore, Allahu i Lartësuar ia fal besimtarit mëkatin, edhe nëse ai e përsërit të njëjtin mëkat, përderisa sa herë që bie në të kërkon falje me sinqeritet. Pra, mëkatet falen dhe fshihen, përderisa besimtari insiston në kërkim falje nga Allahu. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Iblisi (djalli) ka thënë: O Zoti im, unë vazhdimisht do të mundohen t’i devijoj njerëzit përderisa të jenë gjallë. Allahu i Lartësuar i tha: Unë vazhdimisht do t’i fali ata përderisa më kërkojnë falje”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
Gjithashtu i Dërguari thotë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është jeta ime, sikur ju të mos bënit mëkate, Allahu do t’ju zhdukte nga sipërfaqja e tokës, e në vend tuajin do të sillte njerëz të cilët bëjnë mëkate, pastaj do të kërkonin falje dhe Allahu do t’i falte”. (Muslimi)
2.    Allahu i Lartësuar e la të hapur portën e pendimit për besimtarin në çdo vend dhe në çdo kohë. Allahu i Lartësuar thotë: “E kush pendohet pas punës së keqe dhe përmirësohet, s’ka dyshim, Allahu ia pranon pendimin, Allahu është që falë shumë, është Mëshirues”. (El-Maide: 39)
Gjithashtu i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Vërtetë Allahu shtrin dorën e Tij gjatë natës që t’ia pranojë pendimin atij që bën mëkat gjatë ditës dhe e shtrinë dorën gjatë ditës që t’ia pranojë pendimit atij që bën mëkat gjatë natës, kështu vepron derisa dielli të lindë në perëndim (deri në Ditën e Gjykimit)”. (Muslimi)
Porta e pendimit mbyllet vetëm në raste të rralla, sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm.” (En-Nisa: 17-18)
Si rrjedhojë, porta e pendimit gjithnjë është e hapur, përveçse në dy raste të cilat i tregoi i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të:
-    “Allahu ia pranon njeriut pendimin përderisa nuk arrin në gargarën e fundit të frymëmarrjes (agonia e vdekjes)”. (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
-    “Allahu ia pranon pendimit të gjithë atyre që pendohen para se dielli të lind nga perëndimi”. (Muslimi)
3.    Pendimi sipas mësimeve islame bëhet në mënyrën më të lehtë, me një fjalë ai është çështje ndërmjet njeriut dhe Allahut; nuk ka nevojë për ndërmjetësues, pa aspak lodhje dhe mundim mjafton që robi t’i ngrejë duart lartë dhe të kërkon amnisti e falje nga Allahu për mëkatin. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush bën ndonjë të keqe apo i bën padrejtësi vetës (me mëkate), pastaj kërkon falje te Allahu, ai e gjen Allahun Falës dhe Mëshirues”. (En-Nisa: 110)
4.    Ata që sinqerisht pendohen nga mëkatet, ndjejnë keqardhje për to dhe këmbëngulin në mospërsëritjen e tyre, mëkatet e tyre (të mëhershme) shndërrohen në vepra të mira, për çka Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë, dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë”. (El-Furkan: 68-70)
Islami përmes hapjes së portës së pendimit, i drejtohet mendjes së mëkatarit, njëkohësisht e kuron shpirtin e shastisur, në mënyrë që ai të largohet nga mëkati.
Sado që të jenë të mëdha mëkatet, Allahu i Lartësuar nuk ia humbi shpresat asnjë njeriu nga amnistia dhe falja e mëkateve. Në lidhje me këtë, thotë: “Thuaj: o robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është Mëshirues”. (Ez-Zumer: 53)
Këto janë procedurat e pendimit nga mëkatet që janë ndërmjet robit dhe Krijuesit, ndërsa sa i përket mëkateve ndaj njerëzve, medoemos duhet të zhdëmtohen ata të cilëve u është bërë padrejtësi, si dhe t’u kërkohet falje.
5.    Në Islam, besimtari shpërblehet edhe vetëm për qëllimin e mirë, edhe nëse atë nuk e shoqëron me vepër (të mirë). Nëse ai vendos ta bëjë një punë të mirë dhe nuk e bën, atij i llogaritet sikur ta ketë kryer atë.
Madje kur ai vendos për një punë të keqe dhe të njëjtën nuk e bën nga frika prej Allahut, ai do të merr nga Allahu shpërblim sikur po të ketë e vepruar një punë të mirë. Në lidhje me këtë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu i Lartësuar u thotë melekëve: nëse robi Im vendos për një punë të keqe, mos e shënoni atë (në librin e veprave të tij) përderisa nuk e vepron, e kur të njëjtën e vepron, atëherë shënojeni vetëm aq sa është vepra. Nëse për hir Timin heq dorë nga ajo vepër, shënojani një vepër të mirë. Kur ai vendos për një vepër të mirë dhe nuk e bën atë, shënojani vepër të mirë të plotë, (edhe nëse nuk e ka bërë) e nëse e bën atë vepër të mirë, atëherë shënojani sa dhjetë të mira e deri në shtatëqind fish”. (Buhariu)
6.    Mëkatet e besimtarit nuk janë pengesë për arritjen e mëshirës së Allahut të Lartësuar, madje kur ai sheh mëshirën dhe faljen e madhe të Allahut në ditën kur do të shpaloset regjistri i veprave të tij, i dëshiron mëkatet që ka bërë.
I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Më është treguar (përmes shpalljes) për njeriun e fundit që futet në Xhenet, njëkohësisht njeriun e fundit që del nga Xhehenemi. Ky njeri sillet në Ditën e Gjykimit, ndërsa ju thuhet (melekëve): Tregojani atij vetëm mëkatet e vogla që ka bërë, ndërsa ato të mëdhatë jo. I tregohen vetëm mëkatet e vogla dhe i thuhet: ke bërë këtë (mëkat) në këtë ditë, këtë në këtë ditë, dhe, ke bërë këtë në këtë ditë dhe këtë në këtë ditë. Ai, i frikësuar për mëkatet e mëdha që akoma nuk janë shpalosur, duke mos pasur mundësi ta mohojë, thotë: Po. Pastaj do t’i thuhet atij: Çdo mëkat do të të zëvendësohet më një vepër të mirë. Në këtë moment ai do të thotë: O Zoti im, unë kam bërë edhe disa vepra të tjera që nuk po i shoh tani”. Pas kësaj, aq shumë qeshi i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, saqë iu panë dhëmballët”. (Muslimi)
7.    Butësia e Allahut me mëkatarët, por edhe me jobesimtarët (në këtë botë) është një tjetër formë e tolerancës islame në fushën e mëkateve. Allahu i Lartësuar thotë: “E sikur Allahu t’i kapte njerëzit sipas veprave (të këqija) të tyre, nuk do të linte mbi faqen e dheut asnjë gjallesë, por Ai i afatizon deri në momentin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, s’ka dyshim se Allahu i ka parasysh robërit e vet”. (El-Fatir: 45)

 

Toleranca islame dhe pastrimi nga mëkatet (në këtë botë)
Shlyerja e mëkateve përmes disa veprave të mira, njëkohësisht arritja edhe e shpërblimit për ato vepra, pa dyshim se shpalos tolerancën islame me mëkatet. Kjo shlyerje e mëkateve ndodh me mëshirën e madhe të Allahut ndaj besimtarëve, si dhe për t’i qetësuar shpirtrat e tyre dhe për t’i liruar ata nga mëkatet e shumta.
Ndër veprat e mirë që i fshijnë mëkatet, janë edhe këto:
1.    Kryerja e adhurimeve obligative (farzet), krahas shpërblimit për to, Allahu i Lartësuar me mëshirën e Tij i shlyen mëkatet me to. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Falja e pesë kohëve të namazit, (falja) namazi i xhumasë deri në xhumanë tjetër, (agjërimi) ramazani deri në ramazanin tjetër, i shlyejnë mëkatet që bëhen ndërmjet tyre, nëse u shmanget mëkateve të mëdha”. (Muslimi)
2.    I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Pasi të kryeni haxhin, kryeni edhe umren dhe anasjellas, ngase këto dy adhurime i shlyejnë varfërinë dhe mëkatet, sikurse gjyryku i farkëtarit që e pastron hekurin, arin dhe argjendin nga elementet që nuk janë prej tyre. Për haxhin e pranuar nuk ka shpërblim tjetër pos Xhenetit”. (Tirmidhiu)
3.    Largimi nga mëkatet e mëdha është shkak për faljen e mëkateve të vogla. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse largoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat ju janë të ndaluara, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm”. (En-Nisa: 31)
4.    Përhapja sa më shumë e përshëndetjes me selam, përshëndetja për dore ndërmjet besimtarëve, gjithashtu i shlyejnë mëkatet. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur besimtari e përshëndet për dore vëllain e tij besimtar, të dyve ju bijnë mëkatet sikurse bijnë gjethet e pemës”. (Bezari, e saktësoi Albani)
5.    Të ligat që e godasin besimtarin; sëmundjet, fatkeqësitë, pikëllimet, me to Allahu i lartësuar e pastron atë nga mëkatet. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Nuk ndodh që besimtarin ta godasë dhimbje, lodhje, sëmundje, pikëllim, madje edhe preokupim, vetëm se me to iu shlyhen mëkatet”. (Muslimi)
Gjithashtu thotë: “Nuk e godet besimtarin ndonjë e fatkeqësi, madje nuk e godet as gjembi, vetëm se më të Allahu ia shlyen mëkatet”. (Buhariu dhe Muslimi)
6.    Mëkatet shlyhen edhe përmes realizimit të pastërtisë që e obligoi Islami, i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “A dëshironi t’u tregoj për gjërat me të cilat Allahu i Lartësuar i shlyen mëkatet dhe i ngrit (njerëzit në) shkallët (në Xhenet)? Të pranishmit thanë: Gjithsesi, o i Dërguari i Allahut. Abdesi në formë të kompletuar në kohë vështirësie (të ftoftë), shtimi i hapave për të shkuar në xhami dhe pas mbarimit të namazi të pritet namazi tjetër”. (Muslimi)
7.    Puna e lehtë, si: madhërimi i Allahut, mund të shpërblehet baras me dhënien e pasurisë për hir të Allahut. Tregon Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se të varfrit erdhën te i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe i thanë: “Të pasurit i morën pozitat e larta në Xhenet dhe kënaqësitë e përhershme në të. Ata falen sikurse edhe ne, agjërojnë sikurse ne, kurse na kalojnë me pasurinë që kanë; bëjnë haxh dhe umre, e japin pasurinë në rrugë të Allahut dhe japin lëmoshë. I Dërguari u tha: A doni t’ju tregoj për vepra, që nëse i bëni, i arrini (me shpërblim) edhe ata që ishin para jush, ndërsa askush pas që vjen pas jush nuk do të mund t’u arrijë dhe do të jeni njerëzit më të mirë mbi sipërfaqen e tokës, (do të mund t’ju arrijë) vetëm ai që vepron sikur ju? Të thoni: SUBHANALLAH, ELHAMDULILAH, ALLAHU EKBER nga tridhjetë e tri herë pas përfundimit të çdo namazi (farz). Më pas ne nuk u dakorduam rreth mënyrës së thënies së këtyre fjalëve. Dikush tha: Të themi: SUBHANALLAH tridhjetë e tri herë, ELHAMDULILAH tridhjetë e tri herë, ALLAHU EKBER tridhjetë e tri herë. Unë shkova dhe e pyeta edhe një herë të Dërguarin, e ai më tha, thuaj: SUBHANALLAH, ELHAMDULILAH, ALLAHU EKBER, të gjitha këto tridhjetë e tri herë”. (Buhariu)
8.    Në Islam shtimi i veprave të mira i fshin mëkatet. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Ke drojë Allahun kudo që je, veprën e keqe pasoje me vepër të mirë se ajo e fshin atë dhe sillu mirë me njerëz”! (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
9.    Në Islam mëkat e vogla shlyhen edhe përmes kryerjes së adhurimeve. Një njeri erdhi te i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut, kam bërë mëkat më jep dënimin që të pastrohen prej tij. I Dërguari i tha: pasi ke bërë këtë mëkat dhe para se të vish këtu a more avdes? Ai tha: po. A u fale së bashku me ne? Po, tha. Atëherë i Dërguari i tha: “Shko se Allahu i Lartësuar me këto (adhurime) të ka fal mëkatin”. (Buhariu dhe Muslimi)


Toleranca islame dhe shlyerja e mëkateve përmes shpagimit
Shlyerja e disa mëkateve përmes formave të ndryshme të shpagimit të tyre, gjithashtu flasim për lehtësinë dhe tolerancën e Islamit. Këto forma të shpagimit ia mundësojnë besimtarit ndjenjën e lirimit prej mëkatit, që ai të mos përjetojë ankth për shkak të atyre mëkateve.
Në vazhdim do të përmendim disa forma të shpagimit të mëkatit, të cilat qartë e tregojnë lehtësinë dhe tolerancën e Islamit në këtë fushë:
1.    Toleranca islame tregohet edhe përmes shpagimit për mëkatin e vrasjes së paqëllimshme, për të cilin mëkat Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk bën që besimtari të vrasë besimtarin, përveçse gabimisht. Kush vret një besimtar gabimisht, duhet të lirojë një besimtar të robëruar dhe t’u paguajë gjakun trashëgimtarëve të të vrarit, përpos rastit kur familja e të vrarit ia fal gjakun. Nëse i vrari është nga një popull që e keni armik e njëkohësisht është besimtar, duhet të lirohet një besimtar i robëruar. Nëse i vrari është nga një popull me të cilin ju keni lidhur marrëveshje, i duhet paguar gjaku familjes së tij, duke liruar edhe një besimtar të robëruar. Ai që s’mund të gjejë rob, duhet të agjërojë dy muaj rresht. (Kjo është bërë) në shenjë pendimi para Allahut. Se Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë”. (En-Nisa: 92)
2.    Mëkati i atij që zotohet se nuk do të flejë me gruan e vet, gjithashtu shlyhet përmes shpagimit, të cilin e tregon Allahu i Lartësuar në Kuran: “Ata që largojnë gratë (duke u thënë ti je si nëna ime) e pastaj duan të kthejnë mbrapsht atë që thanë, duhet të lirojnë një skllav (apo skllave), para se të preken përsëri. Kështu ju urdhërohet. Allahu i di të gjitha ato që bëni ju”. (El-Muxhadele: 3)
3.    Mëkati për thyerje të betimit gjithashtu shlyhet përmes shpagimit. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk ju ndëshkon për betimin që e bëni pa qëllim, por ju ndëshkon për betimin e bërë me qëllim. Larja e gjynahut për thyerjen e betimit është: ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të familjes suaj ose t’i vishni ata, ose të lironi një skllav. Ai që nuk gjen mundësi për këto, le të agjërojë tri ditë. Kjo është shlyerja për thyerjen e betimeve tuaja, nëse betoheni. Mbani betimet tuaja! Kështu jua shpjegon Allahu Fjalët dhe ligjet e Veta, që të jeni mirënjohës”. (El-Maide: 89)
4.    Toleranca islame në fushën e shpagimeve për mëkatet shkon edhe më tej; nëse personi që duhet të shpaguajë, nuk ka mundësi fizike a material për të, atëherë lirohet edhe nga shpagimi. Një njeri erdhe te i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut kam bërë mëkat shkatërrues. I Dërguari i tha: çfarë ke bërë? Kam kryer marrëdhënie seksuale me gruan time (gjatë ditës) duke qenë agjërueshëm (në Ramazan), tha ai. A ke mundësi ta lirosh një rob? I tha i Dërguari. Jo, tha. I Dërguari prapë e pyeti: A ke mundësi të agjërosh dy muaj pa ndërprerë? Jo, tha. A ke mundësi të ushqesh gjashtëdhjetë të varfër? Jo, tha. Për disa çaste heshti i Dërguari. Pas pak dikush solli pranë tij një enë me hurma, ndërsa ai pyeti: Ku është pyetësi? Këtu jam, tha. Merri këto hurma dhe ushqej të varfrit me të, i tha i Dërguari. Pyetësi tha: A ka më të varfër se unë, o i Dërguari i Allahut?! Pasha Allahun ndërmjet dy anëve shkëmbore të Medinës nuk ka familje më të varfër se e imja. I Dërguari qeshi, saqë iu panë dhëmbët dhe i tha: Ushqeje familjen tënde me të”. (Buhariu dhe Muslimi)


Toleranca islame dhe vazhdueshmëria e shpërblimeve
1.    Në Islam njeriu mund të shpërblehet edhe për vepra të cilat nuk i kryen, mirëpo ka qenë shkaktar për to.
I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush i orienton (mëson) njerëzit në udhëzim të drejtë (gjëra të mira), do të shpërblehet aq sa shpërblehen vepruesit e tyre pa i munguar asgjë nga shpërblimi i tyre. E kush i orienton (mëson) njerëzit në devijim (gjëra të këqija), do të ketë mëkat aq sa kanë vepruesit e tyre pa i munguar asgjë nga mëkati i tyre”. (Muslimi)
Kjo duhet ta nxisë besimtarin në përmirësimin e shoqërisë përmes veprës së mirë, mbështetjes së saj dhe thirrjes në të, njëkohësisht luftimin e të keqes dhe paralajmërimin për rreziqet e saj, si dhe mos publikimin e reklamimin e gjërave përmes së cilave mund të përhapet e keqja.
Ai në këtë mënyrë regjistrin e veprave të tij do ta mbajë larg veprave liga, si dhe do ta përmirësojë vetveten dhe te tjerët.
2.    Për edukim të shëndoshë dhe shpërndarje të dijes në shoqëri, besimtari shpërblehet sa të jetë gjallë, por edhe pas vdekjes. Në lidhje me këtë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur besimtari vdes, atij i ndërpriten (shpërblimi për) veprat e mira, përveç për tri: (shpërblimi për) lëmoshë rrjedhëse, dije prej të cilës njerëzit kanë dobi dhe pasardhës i mbarë i cili lutet për të”. (Muslimi)


Toleranca islame dhe epshi i njeriut
Islami, me lehtësinë dhe tolerancën që përmban, bën që punët e zakonshme të besimtarëve dhe përmbushja e epsheve, të shndërrohen në adhurime, nëse ato kryhen më qëllim të mirë dhe në përputhshmëri me rregullat e përgjithshme të fesë, ndër to:
1.    Kontakti intim i besimtarit me gruan e vet që bëhet me qëllim të ruajtjes së nderit të vet dhe të gruas, si dhe për të mos rënë në punë të ndaluara, shndërrohet në adhurim.
Disa njerëz erdhën te i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, dhe ai u tha: “Urdhërimi në të mirë është lëmoshë, ndalimi nga e keqja është lëmoshë, madje edhe marrëdhëniet intime me gratë tuaja janë lëmoshë. Të pranishmit i thanë: O i Dërguari i Allahut, a edhe kur dikush nga ne e përmbush epshin e vet ka shpërblim për të?! Ai i tha: Nëse do ta përmbushte përmes rrugëve të ndaluara a do të bënte mëkat? Kështu është edhe kur atë e përmbush përmes rrugëve të lejuara, ka shpërblim për të”. (Muslimi)
2.    Veprat e rëndomta (zakonet) të besimtarit, nëse shoqërohen me qëllim të shëndoshë dhe të mirë, shndërrohen në adhurime, për të cilat ai shpërblehet.
Ushqimi dhe pirja, nëse bëhen me qëllim të ruajtjes së shëndetit, që të jetë në gjendje të kryejë ato punë me të cilat e obligoi Allahu si: fitimi i furnizimit për vete, për familje dhe për të gjithë ata që janë nën kujdesin e tij financiar, si dhe që të jetë në gjendje ta adhurojë Allahun, këto vepra të tij shndërrohen në adhurime.
I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur besimtari shpenzon për familjen e tij duke shpresuar në shpërblim tek Allahu, kjo është sadaka për të”. (Buhariu)
Madje çdo vepër që bën besimtari, nëse shoqërohet me qëllim të mirë e të shëndoshë, do të fitojë me të shpërblimin e lëmoshës. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Çdo besimtar duhet të jep lëmoshë. Të pranishmit thanë: O i Dërguari i Allahut, po ai që nuk ka? Ai punon me dorën e vet, përfiton prej saj dhe jep lëmoshë, tha i Dërguari. Po ai që nuk ka mundësi për këtë? E pyetën prapë. Tha: i ndihmon atij që ka nevojë. Po ai që nuk ka mundësi? Le të punojë vepra të mira, ta ndalojë veten nga e keqja, kjo për të është lëmoshë, tha i Dërguari”. (Buhariu)


Toleranca islame në edukim
Metodologjia të cilën Islami e ndjek në fushën e edukimit është e ndërtuar mbi: butësinë dhe lehtësinë, njëkohësisht qëndron larg çdo forme të vrazhdësisë dhe dekurajimit. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Allahu nuk më dërgoi që të jem i vrazhdë dhe vështirësues për njerëzit, por më dërgoi të jem mësues i butë dhe lehtësues”. (Muslimi)
Toleranca islame në fushën e edukimit shprehet edhe përmes këtyre pikave:
1.    I Dërguari paqja dhe lavdërimi i Allahut qoftë me të, përmes praktikës së tij na e hartoi metodologjinë e këshillimit e cila ngrihet mbi bazën e: butësisë, lehtësisë, të bërit me dije tjetrit se ia duam të mirën, si dhe ofrimi në formën më të ëmbël të këshillës.
Ilustrimi më i mirë për këtë është tregimi i djaloshit i cili i kërkoi leje për prostitucion (marrëdhënie intime të jashtëligjshme) të Dërguarit paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ndërsa i Dërguari i tha: “A do ta dëshiroje një gjë të tillë për nënën tënde? Assesi për Allahun, u flijofsha për ty, me shpejtësi u përgjigj djaloshi. Askush nga njerëzit nuk e dëshiron një gjë të tillë për nënën e vet, i tha. Prapë e pyeti djaloshin: A do ta dëshiroje një gjë të tillë për vajzën tënde? Assesi për Allahun, u flijofsha për ty. Askush nga njerëzit nuk e dëshiron një gjë të tillë për vajzën e vet, i tha. Përsëri e pyeti: A do ta dëshiroje një gjë të tillë për motrën tënde? Assesi për Allahun, u flijofsha për ty. Askush nga njerëzit nuk e dëshiron një gjë të tillë për motrën e vet, i tha. A do ta dëshiroje një gjë të tillë për hallën tënde? Assesi për Allahun, u flijofsha për ty. Askush nga njerëzit nuk e dëshiron një gjë të tillë për hallën e vet, i tha. A do ta dëshiroje një gjë të tillë për tezen tënde? Assesi për Allahun, u flijofsha për ty. Askush nga njerëzit nuk e dëshiron një gjë të tillë për tezen e vet, i tha. Pas kësaj, i Dërguari ia vuri djaloshit dorën në gjoks dhe u lut më këto fjalë: O Allah! Falja mëkatin, pastroja zemrën dhe ruaja organin gjenital (nga harami). Pas kësaj lutje, djaloshit as që i shkonte mendja për një gjë të tillë”. (Ahmedi, e saktësoi Albani)
2.    Edhe në fushën e arsimimit, i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, na e hartoi metodologjinë e qartë, e cila fund e krye është butësi dhe lehtësi. Shembulli më i mirë për këtë është tregimi i beduinit i cili sapo hyri në xhami shkoi në një qoshe të saj dhe urinoi. Të pranishmit iu vërsulën, ndërsa i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ju tha: “Lëreni dhe mos e ngacmoni (mos ia ndërpritni urinimin)”! Pasi mbaroi beduini, e thirri i Dërguari dhe i tha: “xhamitë nuk janë ndërtuar për të vendosur ndyrësira e për të urinuar në to, ato janë ndërtuar që të madhërohet Allahu dhe të lexohet Kurani në to”. Dhe në fund tha silleni një kovë me ujë dhe hidheni në vendin e urinimit. (Buhariu dhe Muslimi)
I Dërguari, me tolerancën profetike, nuk e ndëshkoi djaloshin, madje as që u sill ashpër më të, edhe pse ai kërkonte leje për kryerjen e njërit ndër mëkatet më të mëdha, sikurse nuk u sill me vrazhdësi ndaj beduinit, i cili urinoi në vendin më të rëndësishëm; xhaminë e të Dërguarit. Me këtë dëshmoi metodologjinë e saktë të cilën dëshironte që ta ndjekin pasuesit e tij në stilin e edukimit dhe arsimimit.


Pasthënie
Gjatë shfletimit të këtij libri të është qartësuar kujdesi i vazhdueshëm i Islamit për tolerancë, si dhe për thirrje në të, madje përmes:
-    Mirësisë ndaj njerëzve dhe buzëqeshjes në fytyrat e tyre. A nuk thotë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të? “Mos përçmoni asnjë vepër të mirë, qoftë edhe buzëqeshje në fytyrën e vëllait kur e takon atë”. (Muslimi)
-    Të dëshiruarit të mirën për njerëzit. A nuk thotë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të? “Dëshiroja njerëzve atë që ia dëshiron vetvetes”. (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
-    Mosndërhyrjes në punët e të tjerëve, si dhe largimi i muslimanit nga ajo që nuk i përket atij. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Muslimani është i kapur mirë për fe përderisa largohet nga gjërat që nuk i përkasin atij”. (Tirmidhiu, e saktësoi Albani)
-    Thirrjes për t’u sjellë dobi njerëzve dhe për të futur hare në zemrat e tyre. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Njeriu më i dashur tek Allahu është ai që është më i dobishëm për njerëzit. Vepra më e mirë tek Allahu është shkaktimi i haresë tek muslimani, largimi i brengës, përmbushja e borxhit, apo shuarja e urisë tek muslimani. Për mua më e dashur është që t’i ndihmojë një besimtari sesa të qëndroj në Itikaf një muaj në këtë xhami. Ai që e ndal mllefin, Allahu atij do t’ia mbulojë të metat. Ai që e ndal tërbimin, edhe përkundër që ka mundësi ta zbraz atë, Allahu atij do t’ia mbush zemrën me siguri (qetësi) në Ditën e Gjykimit. Ai që i ndihmon vëllait në nevojën që ka, derisa ta përmbushë atë, Allahu atij do t’ia forcojë këmbët (për të kaluar) në Urën e Siratit, atë ditë kur mbi atë urë do të rrëshqasin shumë këmbë”. (Taberaniu, e saktësoi Albani)
Këto nuk janë fjalë njeriu, këto janë fjalë që burojnë nga burimet e legjislacionit Islam; Kur’anit dhe Sunetit të të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të.
Feja e cila ka këtë program dhe këtë metodologji, a nuk meriton të përqafohet e të mbështetet, apo së paku të mos luftohet, por t’i lehtësohen rrugët që kjo fe të përhapet sa më shumë!?
I lumtur është ai që ka këtë fe, përmes së cilës gëzon këtë tolerancë dhe lehtësi.
Dihet fare mirë se nga shkaqet pse disa jomuslimanë nuk dëshirojnë të dëgjojnë për Islamin, është pikërisht sjellja që shohim tek disa që shprehin përkatësinë e tyre islame, edhe pse Islami është i distancuar nga sjelljet e ulëta të tyre, madje ai është shumë larg identifikimit të tyre më të.
Shpresoj që sjelljet e pahijshme të disa muslimanëve të mos mbeten pengesë për ta kuptuar e mësuar Islamin e pastër burimor.
Kërkesa për ta mësuar Islamin e pastër mbetet në fuqi, mirëpo përmes burimeve të sakta që janë të shumta.
Në fund, e lus Allahun e Lartësuar që këtë libër ta bëjë të dobishëm dhe të arrihet qëllimi për të cilin u shkrua.
Të gjithë lexuesve të këtij libri u dhuroj dashuri.
Dëshira ime e flaktë është që paqja të mbretërojë në tërë botën, si dhe i ftoj të gjithë që ta kuptojnë të vërtetën.
Qofshi në përkujdesjen e Allahut dhe mbrojtjen e Tij!
 
www.islamland.com