Mjetet e qëndrueshmërisë në fenë e Allahut

Qëndrueshmëria në fenë e Allahut është qëllimi themelor i çdo muslimani të sinqertë që dëshiron ta ndjekë rrugën e drejtë me vendosmëri e udhëzim. Në ditët e sotme nevoja e muslimanit për mjetet e qëndrueshmërisë është më e madhe sesa në kohën e gjeneratave të para të muslimanëve. Rrjedhimisht, përpjekja që kërkohet për ta jetësuar këtë është më e madhe, për shkak të prishjeve në kohën që po jetojmë, vëllezërve të paktë dhe dobësisë e numrit të vogël të përkrahësve.
Në këtë libër pëmenden disa mjete të rëndësishme për të qenë i qëndrueshëm në fe.

Mjetet
e qëndrueshmërisë
në fenë e Allahut

 [ ألباني  Albanian – Shqip –]
    
Muhamed Salih El-Munexhid




Përkthyes: Jusuf Kastrati
Redaktor fetar: Almedin Ejupi
Redaktor gjuhësor: Jeton Koçinaj

 


وسائل الثبات
على دين الله

محمد صالح المنجد





الترجمة: يوسف كاستراتي
المراجعة: ألمدين أيوبي

 

Parathënie
Falënderimi i takon vetëm Allahut. Atë e falënderojmë dhe vetëm Atij ndihmë e falje i kërkojmë. I kërkojmë mbrojtje  Allahut kundrejt të këqijave të vetvetes e kundrejt të ligave të veprave tona! Atë që Allahu e udhëzon, s’ka kush e humb, kurse atë që Allahu e humb, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka zot që meriton të adhurohet përveç Allahut, të Vetmit, që nuk ka shok, dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Qëndrueshmëria në fenë e Allahut është qëllimi themelor i çdo muslimani të sinqertë që dëshiron ta ndjekë rrugën e drejtë me vendosmëri e udhëzim.
Rëndësia e kësaj tematike fshihet në disa çështje, ndër to:
-    Gjendja e rrethanat e shoqërive bashkëkohore në të cilat gjenden muslimanët dhe shumëllojshmëria e sprovave dhe tundimeve, në zjarrin e të cilave kanë rënë këto shoqëri, e dëshmojnë qartë rëndësinë e kësaj çështjeje. Pastaj, llojet e epsheve dhe dyshimeve, për shkak të të cilave është tëhuajtur feja, kanë ndikuar që kapjen pas fesë ta konsiderojnë veçori të çuditshme, e që është: “I përpikti në fe i ngjan atij që e mban gacën në dorë.”
Çdo njeri me mendje të shëndoshë e kupton se në ditët e sotme nevoja e muslimanit për mjetet e qëndrueshmërisë është më e madhe sesa në kohën e gjeneratave të para të muslimanëve. Rrjedhimisht, përpjekja që kërkohet për ta jetësuar këtë është më e madhe, për shkak të prishjeve në kohën që po jetojmë, vëllezërve të paktë dhe dobësisë e numrit të vogël të përkrahësve.
-    Rastet e rebelimit ndaj fesë dhe braktisjes së saj janë shtuar, madje edhe në mesin e atyre që punojnë për Islamin, gjë që na bën të kemi frikë nga përfundimet e tilla, si dhe të pajisemi me mjetet e qëndrueshmërisë, që kësisoj të arrijmë në vend të sigurt.
-    Rëndësinë e kësaj tematike e dëshmon edhe lidhshmëria që ka kjo çështje me zemrën, për të cilën i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Zemra e birit të Ademit ndryshon më shpejt se tenxherja kur është duke valuar fort.”  I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, lidhur me zemrën na e ka sjellë edhe një shembull tjetër, tek thotë: “Zemra është quajtur zemër (kalb) për shkak të ndryshimit të saj (arabisht: tekalub, që domethënë rrotullim, ndryshim). Me të vërtetë zemra i shëmbëllen gjethes në majë të pemës, të cilën e rrokullis era sa në njërën anë e sa në tjetrën.”  Pas këtij hadithi vjen fjala e një poeti:
Njeriu u quajt insan për shkak të nisjanit (harresës) së tij,
E zemra u quajt kalb për shkak të tekalubit (ndryshimit).
Qëndresa e kësaj gjëje të luhatshme kundrejt erës së tundimeve dhe dyshimeve është çështje shumë e rëndësishme, e cila ka nevojë për mjete gjigante, që do t’i bënin ballë këtyre rreziqeve e vështirësive vigane.

Mjetet e qëndrueshmërisë
Allahu i Lartësuar me mëshirën e Vet, në Librin e Tij, përmes gjuhës së të Dërguarit, na ka sqaruar shumë mjete që na ndihmojnë për të qenë të qëndrueshëm në fe.
Lexues i nderuar, po përmend disa prej tyre:

I – Kthimi te Kurani
Kurani fisnik është mjeti i parë i qëndrueshmërisë. Ai është litari i fortë dhe nuri i qartë i Allahut. Allahu do ta mbrojë atë që kapet pas tij, do ta shpëtojë atë që e ndjek Kuranin dhe do ta udhëzojë në rrugë të drejtë atë që i fton njerëzit tek ai.
Allahu tregoi qartazi se qëllimi i zbritjes së Kuranit pjesë-pjesë qe forcimi, ndaj, kur iu kundërpërgjigj jobesimtarëve lidhur me dyshimet e tyre, tha:
“Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu. Sapo ata të të sjellin çfarëdo argumenti, Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.”  
Përse Kurani është burim përforcimi?
-    Sepse Kurani mbjell imanin dhe pastron shpirtin duke e lidhur atë me Allahun.
-    Sepse këto ajete zbresin si freski e paqe për zemrën e besimtarit, rrjedhimisht nuk mund ta lëkundin erërat e sprovave, ngase me përmendjen e Allahut i qetësohet zemra.
-    Sepse Kurani ia dhuron muslimanit përfytyrimet dhe vlerat e vërteta, përmes të cilave i përballon të gjitha rrethanat, njëherazi ia dhuron edhe kriteret, me të cilat i gjykon gjërat, ngase gjykimi që del nga Kurani është i palëkundshëm dhe asnjëherë nuk mund të ketë kundërshti në fjalët e tij, pa marrë parasysh personat a ndodhitë.
-    Sepse Kurani u kundërpërgjigjet dyshimeve që i hedhin jobesimtarët dhe mynafikët (hipokritët), siç janë shembujt e gjallë që i përjetoi gjenerata e parë e muslimanëve. Në vijim po sjellim disa shembuj:
1.    Si ndikoi në shpirtin e të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, thënia e Allahut të Lartësuar: “Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o Muhamed)!”  kur idhujtarët thanë: “Muhamedin e la...”?!
2.    Si ndikoi thënia e Allahut: “Ai për të cilin flasin, flet në gjuhën e të huajve, kurse ky (Kurani) është në gjuhën e qartë arabe.”  kur jobesimtarët pretenduan se Muhamedin e mësuakësh një njeri, kinse e marrkësh Kuranin nga një zdrukthëtar romak, i cili ishte në Mekë?!
3.    Si ndikoi thënia e Allahut: “Ja, ata ranë pikërisht në sprovë.”  në zemrat e besimtarëve kur një mynafik tha: “Më liro, e mos më vër në sprovë?!”
A nuk ishin këto përforcime të njëpasnjëshme?! A nuk ishin forcim për zemrat besimtare, kundërpërgjigje kundrejt dyshimeve dhe stepje për jobesimtarët?!
Po, për Zotin!
Është interesante çështja kur besimtarët ishin duke u kthyer nga Hudejbija, ndërkohë Allahu u pat premtuar atyre se do të merrnin një plaçkë të madhe lufte (atë të Hajberit), gjë të cilën do ta gëzonin së shpejti vetëm ata (që ishin në Hudejbijë). Allahu i lajmëroi gjithashtu se mynafikët do të kërkojnë të shkojnë pas tyre dhe se muslimanët do t'u thonë: 'Kurrsesi nuk do të vini pas nesh', kurse ata do të këmbëngulin dhe do të donin t’i ndërronin fjalët e Allahut e do t'u thonë besimtarëve: 'Ju na e keni zili.' Ndërkaq, Allahu u përgjigjet atyre duke thënë: "Jo, por ata nuk kuptojnë, përveçse pak."
Më pas e tërë kjo bëhet realitet para syve të besimtarëve, fjalë për fjalë e hap pas hapi.
-    Nga kjo mund ta kuptojmë dallimin mes atyre që jetën e vet e lidhën me Kuranin dhe iu kthyen atij me lexim, mësim përmendsh, shpjegim e përsiatje, të cilët e kanë pikënisje e pikarritje dhe mes atyre që brengë kryesore i bënë fjalët e njerëzve, me të cilat merren pandërprerë.
-    Ah sikur ata që kërkojnë dituri t’ia kushtonin pjesën më të madhe të kohës mësimit dhe shpjegimit të Kuranit!

II – Zbatimi i fesë dhe veprat e mira
Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu i forcon besimtarët me fjalë të qëndrueshme në këtë botë dhe në botën tjetër, kurse keqbërësit i shpie në humbje; Allahu bën ç’të dojë.”
Katade, duke e komentuar këtë ajet, thotë: “Në këtë botë i forcon me hair e me vepra të mira, kurse në botën tjetër i forcon në varr.” Disa selefë kështu e kanë shpjeguar këtë ajet.  Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “E sikur të vepronin ata siç këshilloheshin, kjo për ata do të ishte më mirë dhe do të ishin më të fortë në besim.”  Domethënë, më të fortë në të Vërtetën.
Kjo është e qartë, sepse nuk pritet që dembelët, ata që nuk bëjnë vepra të mira, të jenë të qëndrueshëm kur sprovat dhe fatkeqësitë ta arrijnë kulmin. Ndërkaq, ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu i udhëzon, për shkak të imanit të tyre, në rrugë të drejtë. Për këtë arsye, i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, ngulmonte në punë të mira. E, veprat më të dashura për të ishin të vazhdueshmet, edhe po qenë të pakta. Shokët e të Dërguarit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, kur bënin ndonjë vepër, e bënin në mënyrë të vazhdueshme. Kështu, edhe Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të!, kur vepronte ndonjë punë, i përmbahej asaj (e bënte vazhdimisht).
I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, thoshte: “Xheneti është bërë i detyrueshëm për atë që vazhdimisht i fal dymbëdhjetë rekate.”  Domethënë, dymbëdhjetë rekate sunet.
Në një hadith kudsi, Allahu i Madhërishëm thotë: “Robi im vazhdon të më afrohet me vepra vullnetare derisa ta dua...”


III – Përsiatja e tregimeve të të dërguarve dhe pasimi i tyre
Argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar: “Ne po t’i tregojmë ty disa nga historitë e të dërguarve, për të ta forcuar zemrën. Në këtë sure të ka ardhur ty e vërteta. Ajo është këshillë dhe kujtesë për besimtarët.”
Këto ajete nuk kanë zbritur në kohën e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!, për argëtim e dëfrim, por për një qëllim madhor, e që është forcimi i zemrës së të Dërguarit të Allahut dhe i zemrave të besimtarëve që e shoqëronin.
Kundroje, vëlla i dashur, këtë fjalë të Allahut të Lartësuar: “Ata thirrën: “Digjeni atë dhe ndihmoni zotat tuaj, nëse doni të bëni ndonjë vepër!” Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” Ata deshën ta lëndonin, por Ne i bëmë të dështonin.”
Ibn Abasi thoshte: “Fjala e fundit e Ibrahimit, para se ta hidhnin në zjarr, qe: ‘Më mjafton Allahu! Eh, sa Mbrojtës i mirë është Ai!’”
A nuk e ndien se, ndërsa e sodit këtë ajet kuranor, në shpirtin tënd hyn domethënia e përforcimit kundër mizorisë dhe dënimit?

Meditoje fjalën e Allahut lidhur me tregimin e Musait:
Kur dy grupet panë njëri-tjetrin, shokët e Musait thirrën: “Me të vërtetë, na zunë!” Ai tha: “Kurrsesi! Në të vërtetë, me mua është Zoti im. Ai do të ma tregojë rrugën.”
A nuk e ndien, tek mediton këtë ndodhi, domethënien e përforcimit kur besimtari është i përndjekur dhe në vështirësi të madhe, ndërsa britmat e pesimistëve dëgjohen gjithandej?
Kur kujton tregimin e magjistarëve të Faraonit, atë ndodhi të çuditshme të atyre që qëndruan në të vërtetën kur iu bë e qartë, a nuk e vëren se si hyn në zemër një ndjenjë madhështore e përforcimit përballë kërcënimeve të atij tirani, i cili tha:
“Çfarë?! Ju e besuat atë, para se t’ju jap leje unë?! Në të vërtetë, ai është mjeshtri juaj, që ju ka mësuar magjitë. Unë do t’jua këpus duart dhe këmbët tuaja të këmbyera dhe do t’ju var në trungjet e hurmave. Ju do ta merrni vesh, me siguri, se cili prej nesh është më i ashpër dhe më ngulmues në ndëshkim.”
Besimtarët, edhe pse ishin të paktë në numër, qëndruan të patundur në të vërtetën dhe thanë:
“(Magjistarët) u përgjigjën: “Ne kurrë nuk do të të japim ty përparësi ndaj provave që na kanë ardhur neve dhe ndaj Atij që na ka krijuar ne. Prandaj, gjyko si të duash; ti gjykon vetëm në jetën e kësaj bote!”
Njëjtë është çështja edhe te shumë tregime të tjera në Kuran, siç janë tregimi i besimtarit në suren Jasin, tregimi i besimtarit nga populli i Faraonit, tregimi i njerëzve të Hendekut etj., ku mësimi më i madh nga këto tregime është përforcimi dhe qëndrueshmëria në të vërtetën.

IV – Duaja (lutja)
Një ndër veçoritë e besimtarëve është se ata i luten Allahut që t’i udhëzojë:
“O Zoti ynë! Mos lejo që zemrat tona të shmangen (nga e vërteta), pasi na ke udhëzuar në rrugën e drejtë...!”  
“Zoti ynë! Na pajis me durim, na forco këmbët tona...”  
Meqë “Zemrat e bijve të Ademit janë ndërmjet dy gishtërinjve të të Gjithëmëshirshmit, si të ishin një zemër e vetme, gjë të cilat i ndryshon si të dëshirojë” , i Dërguari i Allahut e shpeshtonte lutjen: “O Ndryshues i zemrave! Forcoma zemrën në fenë Tënde!”
V – Përmendja e Allahut (dhikri)
Përmendja e Allahut është një ndër shkaqet më kryesore për të qenë i qëndrueshëm në fe.
Kundroje lidhjen ndërmjet dy çështjeve vijuese të cilat i ka përmendur Allahu në këtë ajet:
“O besimtarë, kur të ndesheni me ndonjë forcë armike, qëndroni të patundur dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni.”  
Pra, Allahu e ka bërë përmendjen e Vet prej gjërave që më së shumti ndikojnë në të qenët i qëndrueshëm në xhihad.
“Në anën tjetër, kujtoje se si u tradhtuan persianët dhe bizantinët nga trupat e tyre, atëherë kur më së shumti kishin nevojë për ta.”,  edhe përkundër numrit të vogël të atyre që e përmendnin Allahun dhe përgatitjes së dobët.
Si kërkoi mbrojtje Jusufi, alejhi selam, për t’i bërë ballë sprovës së gruas së bukur dhe të autoritetshme, kur ajo e kishte joshur?! A nuk ishte mburoja “Allahu më ruajttë!”, shtyllat e së cilës i shpartalluan valët e ushtrisë së epsheve?!
Kështu pra ndikon përmendja e Allahut në qëndrueshmërinë e besimtarëve.

VI – Kujdesi i muslimanit që ta ndjekë rrugën e drejtë
Rruga e vetme e drejtë të cilën duhet ndjekur muslimani është rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit, rruga e grupit të ndihmuar dhe të shpëtuar, rruga e pasuesve të besimit të pastër dhe metodologjisë së shëndoshë, të cilët e pasojnë Sunetin e argumentin, që dallojnë nga armiqtë e Allahut dhe largohen nga pasuesit e së kotës...
Në qoftë se dëshiron ta njohësh vlerën e të qenit i kujdesshëm për të ndjekur rrugën e drejtë në çështjen e qëndrueshmërisë në fe, atëherë pyete veten dhe medito: Përse devijuan shumë të mëhershëm e të mëvonshëm duke mos arritur të jenë të qëndrueshëm në fe e as të vdesin në të apo e kishin gjetur fenë vetëm pasi u kishte kaluar pjesa më e madhe dhe koha më e çmuar e jetës së tyre?!
E sheh ndonjërin prej tyre se si sorollatet nëpër risi e lajthitje, nga filozofia në ilmul kelam (skolastikë), nga itizali (mutezilitë) në tahrif (devijim të kuptimit real të tekstit), nga tevili (komentimi i pabazë, keqinterpretimi) në tefuid dhe irxha, nga një tarikat sufist në tjetrin...
Kështu sorollaten ndjekësit e bidateve. Shih si janë privuar ndjekësit e ilmul kelamit (skolastikët) nga qëndrueshmëria në fe në çastet e vdekjes. Disa dijetarë të mëhershëm thoshin: "Skolastikët janë njerëzit që më së shumti kanë dyshime në çastet e vdekjes." Në anën tjetër, mendo dhe kundro se a është larguar ndokush nga rruga e Ehli Sunetit dhe Xhematit për shkak të urrejtjes ndaj saj pasi që e ka njohur, e ka kuptuar dhe e ka ndjekur atë?! Mund të shmanget nga kjo rrugë për shkak të epsheve a dyshimeve që i paraqiten trurit të tij të kufizuar, por asnjëherë nuk e lë atë se ka gjetur ndonjë rrugë më të drejtë a se i është bërë e qartë se kjo rrugë është e gabuar.
Këtë e vërtetojnë edhe pyetjet që ia kishte parashtruar Herakliu Ebu Sufjanit lidhur me ndjekësit e të dërguarit Muhamed, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!
Herakliu e pyeti Ebu Sufjanin: “A ka ndodhur që ndokush pasi të ketë hyrë në fe ta lëshojë atë duke qenë i pakënaqur me të?”
-Jo, - iu përgjigj Ebu Sufjani.
-Kështu është kur zemra shijon ëmbëlsinë e imanit, - shtoi Herakliu.
Shpeshherë kemi dëgjuar për njerëz të mëdhenj që kanë kaluar nëpër bidate të ndryshme, por, në anën tjetër, kemi dëgjuar edhe për të atillë që Allahu i ka udhëzuar, rrjedhimisht e kanë lënë të kotën, ngase qenë të pakënaqur me të, duke hyrë në rrugën e Ehli Sunetit dhe Xhematit. Vallë, mos kemi dëgjuar ndonjëherë të kundërtën?!
Pra, nëse dëshiron të jesh i qëndrueshëm, atëherë duhet ta ndjekësh rrugën e besimtarëve të vërtetë.
VII – Edukimi
Edukimi progresiv vetëdijesues në aspektin e imanit dhe dijes është një ndër faktorët kryesorë të qëndrueshmërisë në fe.
Edukim në aspektin e besimit është edukimi që e ngjall zemrën dhe ndërgjegjen përmes frikës, shpresës dhe dashurisë (ndaj Allahut) dhe e kundërshton ftohtësinë, që vjen si rrjedhojë e largimit nga tekstet e Kuranit e Sunetit, si dhe mbërthimit pas fjalëve të njerëzve.
Edukim në aspektin e dijes është edukimi i bazuar në argumente të sakta, që nuk e pranon pasimin e verbër dhe imitimin e përbuzur.
Edukim vetëdijesues është edukimi që e njeh rrugën e mëkatarëve dhe keqbërësve, i studion komplotet e armiqve të Islamit, e njeh mirë realitetin dhe i kupton e i vlerëson ngjarjet ashtu siç duhet. Ky edukim i mohon botëkuptimet e verbra dhe ngujimin në mjedise të ngushta e të kufizuara.
Edukim progresiv është edukimi që muslimanin e çon hap pas hapi drejt arritjes së përsosurisë nëpërmjet planifikimit të duhur, i cili nuk mund të jetë asnjëherë spontan dhe me hapa të nxituar e të pamatur.
Që ta kuptojmë mirë rëndësinë e faktorit të qenët i qëndrueshëm në fe, t’i kthehemi jetës së të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, dhe ta pyesim veten:
-    Cili qe burimi i qëndrimit të patundshëm të sahabëve në Mekë gjatë periudhës së persekutimit?
-    Si arritën Bilali, Hababi, Musabi, familja e Jasirit dhe muslimanët e tjerë të pafuqishëm të jenë të qëndrueshëm? Madje, si e arritën qëndrueshmërinë sahabët e mëdhenj kur u rrethuan e u bojkotuan nga populli i tyre?
-    A mund të ishin kaq të qëndrueshëm po të mos edukoheshin rrënjësisht nën mbikëqyrjen e Pejgamberit, sal-lallahu alejhi ue selem, e cila ua përsosi personalitetet?!
Ta marrim shembull Habab ibnul Eretin, Allahu qoftë i kënaqur me të!, pronarja e të cilit e skuqte shufrën e hekurit në zjarr e ia vendoste në shpinën e zhveshur, derisa fikej nga lëngu i dhjamit të shpinës së tij. Vallë, ç’e bëri të durojë gjithë këtë torturë?!
Kujtoje durimin e Bilalit nën shkëmbin e rëndë në përcëllimin e shkretëtirës dhe qëndrueshmërinë e Sumejës nën zinxhirë e pranga...
Analizoje betejën e Hunejnit në periudhën medinase. Cilët ishin ata që qëndruan të patundur me të Dërguarin e Allahut kur u mundën shumica e muslimanëve?! Mos ishin të sapoislamizuarit, gjegjësisht ata që ishin bërë muslimanë pas çlirimit të Mekës, të cilët nuk patën kohë të mjaftueshme të edukoheshin në shkollën profetike, një numër i madh i të cilëve kishte dalë vetëm për ta marrë prenë e luftës? Kurrsesi! Ata që arritën të jenë të qëndrueshëm përgjithësisht ishin të pajisurit me edukatë të mjaftueshme nga i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ue selem.
Vallë, do të mund të qëndronin këta po të mos pajiseshin me një edukatë të tillë?!

VIII – Bindja në rrugën e përzgjedhur
Sa më i bindur që të jetë muslimani në rrugën që ka përzgjedhur, aq më i qëndrueshëm do të jetë në këtë rrugë. Për ta arritur këtë, ka mënyra të ndryshme, ndër to:
-    Ta ndiesh se rruga e drejtë, të cilën je duke e ndjekur nuk është diçka e re e nisur në këtë shekull, porse është rrugë e moçme nëpër të cilën para teje kanë ecur të dërguarit, të drejtët, dijetarët, dëshmorët dhe të devotshmit. Kështu do të të largohet ndjenja e të qenit i huaj. Vetmia do të të shndërrohet në prehje, pikëllimi në gëzim e lumturi, sepse në këtë mënyrë e ndien se të gjithë ata janë vëllezërit e tu në këtë rrugë e metodologji.
-    Ta ndiesh se je nga të përzgjedhurit. Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaj (o Muhamed): “Lëvduar e falënderuar qoftë Allahu dhe shpëtimi qoftë për robërit e Tij të zgjedhur.”  Gjithashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj, Ne ua dhamë Librin robërve Tanë të zgjedhur (nga ndjekësit e Muhamedit).”  Dhe thotë: “Dhe kështu, Zoti yt të ka zgjedhur ty dhe të mëson shpjegimin e ëndrrave...”
-    Si do të ndiheshe po të të krijonte Allahu diç të pajetë, kafshë, jobesimtar, bidatçi, të shthurur, musliman që nuk thërret në fenë e tij a misionar që thërret në ndonjë rrugë përplot me gabime?!
-    A nuk e sheh se ndjenja e të qenit i përzgjedhur nga Allahu dhe thirrës në rrugën e Ehli Sunetit dhe Xhematit është faktor i rëndësishëm për të qenë i qëndrueshëm në këtë rrugë e në këtë metodologji?

IX – Thirrja në rrugën e Allahut
Shpirti që nuk është aktiv, ngec. Ndërkaq, njëra ndër fushat më të rëndësishme ku mund të veprojë shpirti, padyshim, është thirrja në rrugën e Allahut. Ajo është puna e të dërguarve të Allahut. Është shpëtuese nga dënimi. Aty gjendet fuqia dhe jetësohen punët e mëdha: “Andaj ti thirr dhe bëhu i qëndrueshëm, ashtu siç je urdhëruar.”  Fjalët si “Filani as nuk përparon e as nuk shkon mbrapa” nuk janë aspak të vërteta, sepse, nëse ti nuk e angazhon shpirtin me punë të mira, ai do të të angazhojë ty me mëkate, sakaq imani shtohet dhe pakësohet.
Thirrja në metodologjinë e vërtetë duke e shpenzuar kohën, duke e lodhur mendjen, duke e munduar trupin dhe duke e aktivizuar gjuhën aq sa të bëhet thirrja në rrugën e Allahut puna kryesore me të cilën merret muslimani, padyshim që ia pret rrugën përpjekjeve të shejtanit për ta sprovuar dhe për ta larguar nga rruga e drejtë.
Pos kësaj, sfida që thirrësi e ndien në rrugën e davetit kundrejt pengesave, armiqve e të humburve, ia shton imanin dhe e bën më të qëndrueshëm në fe.
Thirrja në rrugën e Allahut, krahas shpërblimit të shumtë, është mënyrë efikase për të qenë i qëndrueshëm në fe dhe i ruajtur nga kthimi prapa, sepse ai që sulmon, nuk ka nevojë të mbrohet. Njëherazi, Allahu është me ata që i thërrasin njerëzit në rrugën e Tij, i forcon dhe i drejton ata. Thirrësi është sikurse mjeku që e lufton sëmundjen me diturinë dhe me përvojën e tij: ndërsa e lufton sëmundjen te të tjerët, është më larg rënies në të.


X – Qëndrimi pranë njerëzve që të ndihmojnë të jesh i qëndrueshëm në fe
Njerëzit që të ndihmojnë të jesh i qëndrueshëm në fe janë ata, veçoritë e të cilëve i ka përmendur i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, kur ka thënë: “Prej njerëzve ka të atillë që janë çelësa të hairit e dryna të sherrit.”
Kërkimi i dijetarëve, të devotshmëve e thirrësve besimtarë dhe qëndrimi pranë tyre është faktor i rëndësishëm që të ndihmon të jesh i qëndrueshëm.
Në historinë islame kanë ndodhur sprova në të cilat Allahu i bëri të qëndrueshëm muslimanët përmes burrave. Këtë e dëshmon thënia e Ali ibnul Medinit: “Allahu e ndihmoi fenë e Tij përmes Sidikut (Ebu Bekrit), në kohën e renegatëve, dhe përmes Ahmedit, në kohën e sprovës.”
Kundroji fjalët e Ibn Kajimit për rolin e shejhut të Islamit (Ibn Tejemijes) në të qenët i qëndrueshëm në fe: “Kur na shtohej frika, kur na kaplonin paragjykimet dhe kur na ngushtohej Toka, shkonim tek ai. Posa e shihnim dhe i dëgjonim fjalët e tij, na largohej tërë ajo që ndienim, madje na shndërrohej në prehje, fuqi, bindje dhe qetësi. Lavdëruar qoftë Ai që ua mundësoi robërve të Vet ta përjetojnë Xhenetin para se të takohen me Të dhe ua hapi dyert e Xhenetit që në këtë botë, për ta ndier aromën e këndshme të tij, e cila i bën ata që tërë energjinë e tyre t’ia kushtojnë kërkimit të Xhenetit dhe garimit drejt tij.”
Këtu bëhet e qartë se vëllazëria islame është burim thelbësor i qëndrueshmërisë në fe. Vëllezërit e tu të devotshëm, liderët dhe edukatorët e vërtetë janë përkrahësit e tu në rrugën që ke zgjedhur, janë shtyllë e fortë në të cilën mbështetesh. Ata të bëjnë më të qëndrueshëm përmes ajeteve e urtësisë që ua ka dhënë Allahu. Kështu, shoqëroji, jeto në mesin e tyre dhe ruaju nga vetmia, që mos të të rrëmbejnë shejtanët, ngase ujku e ha delen që ikën nga kopeja.

XI – Të qenët i bindur në ndihmën e Allahut dhe se ardhmëria i takon Islamit
Nevoja për të qenë i qëndrueshëm në kohët kur vonohet ndihma është shumë e madhe, në mënyrë që të mos na rrëshqasin këmbët pasi që na janë forcuar. Allahu i Madhërishëm thotë:
“Sa e sa profetë bashkë me shumë besimtarë të vërtetë luftuan e megjithatë nuk u përkulën para goditjeve që morën në rrugën e Allahut, as nuk u dobësuan e as nuk u nënshtruan. Allahu i do të duruarit. Ata vetëm thoshin: “O Zoti ynë! Na i fal gjynahet tona dhe teprimin në punën tonë, na i forco këmbët (në istikam) dhe na ndihmo kundër popullit jobesimtar!” Dhe Allahu u dhuroi atyre shpërblimin e kësaj bote dhe shpërblimin më të mirë të jetës tjetër. Allahu i do punëmirët.”
Kur i Dërguari i Allahut donte t’i forconte pasuesit e tij gjatë kohës që sprovoheshin e torturoheshin, u tregonte se ardhmëria i takon Islamit. I Dërguari u thoshte atyre: “Me të vërtetë Allahu do ta plotësojë këtë çështje (Islamin), saqë udhëtari do të shtegtojë nga Sanaja në Hadrameut duke mos pasur frikë askënd tjetër përveç Allahut dhe ujkut, që mund t’ia hajë dhentë.”
Pra, përmendja e haditheve që përgëzojnë se ardhmëria i takon Islamit është faktor i rëndësishëm në edukimin e njerëzve për të qenë të qëndrueshëm.

XII – Njohja e realitetit të së kotës dhe mosmashtrimi me të
Thënia e Allahut (kuptimi i përafërt): “Ti mos u mashtro nga bredhja e jobesimtarëve nëpër botë!”  u ofron siguri besimtarëve dhe u ndihmon të jenë të qëndrueshëm.
Ndërkaq, fjala e Allahut “Ai e zbret shiun nga qielli, prandaj rrjedhin lumenjtë me masë dhe rrjedha bart mbeturinat mbi sipërfaqen e ujit. Edhe zgjyra, kur e shkrijnë njerëzit në zjarr që të bëjnë stoli ose vegla, është mbeturinë, si ajo. Kështu, Allahu jep shembullin e së vërtetës dhe të së pavërtetës: Mbeturinat hidhen, ndërsa ajo që u shërben njerëzve mbetet në tokë...”  është mësim për ata që mendojnë të mos kenë frikë nga e kota dhe të mos dorëzohen.
Ndër metodologjitë e Kuranit është t’i qesë në shesh dhe t’i zhveshë qëllimet dhe metodat e liga të jobesimtarëve, që të mos sulmohen muslimanët duke qenë të pakujdesshëm, si dhe në mënyrë që të bëhet e qartë prej nga i vijnë sulmet Islamit. I Madhërishmi thotë: “Ne kështu i shpjegojmë hollësisht shpalljet, në mënyrë që të qartësohet rruga e njerëzve të këqij.”
Sa herë kemi dëgjuar për lëvizje të shpartalluara e për thirrës që kanë rrëshqitur dhe nuk kanë arritur të jenë të qëndrueshëm. Kjo ngase janë sulmuar prej nga nuk e kanë pritur fare, për shkak të mosnjohjes së armiqve të tyre.

XIII – Pajisja me veti morale që të ndihmojnë në qëndrueshmëri
Në krye të vetive morale që e ndihmojnë muslimanin të jetë i qëndrueshëm në fe është durimi. I Dërguari i Allahut, Muhamedi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Askujt nuk i është dhënë diçka më e mirë a më e gjerë sesa durimi.”  Durimi më i madh është që në goditjen e parë të fatkeqësisë. Kur njeriun e godet ndonjë fatkeqësi e papritur, në qoftë se nuk bën durim, zmbrapset dhe bëhet i paqëndrueshëm.
Meditoje këtë ngjarje që e ka rrëfyer Ibn Xheuziu, Allahu e mëshiroftë!. “E kam parë një plak që pothuajse i kishte mbushur tetëdhjetë vjet. E falte rregullisht namazin me xhemat, porse, kur i vdiq një djalë i vajzës, thoshte: ‘Askush nuk duhet të lutet, sepse Allahu nuk përgjigjet.’ Po ashtu thoshte: ‘Allahu na i merr fëmijët për inat.’  I Lartësuar është Allahu nga shpifjet e këtij njeriu.
Kur muslimanët i goditi fatkeqësia në Uhud, e cila qe e papritur për ta, ngase Allahu ua kishte premtuar fitoren, Allahu ua dha një mësim të rëndë me gjak e me dëshmorë:
“Kur ju goditi fatkeqësia, ndërkohë ju i kishit goditur më parë armiqtë tuaj dyfish, ju thatë: “Prej nga na erdhi neve kjo?!” Thuaj (o Muhamed): “Kjo ndodhi prej jush.”
Çka ndodhi prej tyre?
“Ju u frikësuat, u grindët midis jush dhe kundërshtuat (Profetin), pasi Ai ju tregoi atë që pëlqenit. Disa nga ju dëshirojnë këtë botë...”


XIV – Këshillat e njerëzve të devotshëm
Kur muslimani ballafaqohet me diçka që Allahu e sprovon për ta pastruar, ndër faktorët e të qenit i qëndrueshëm, në raste të tilla, është që Allahu ia çon ndonjë njeri të devotshëm, i cili e këshillon dhe e përforcon. Allahu do t'i bëjë dobi me fjalët e tij dhe do t'ia rregullojë punët, ngaqë ai vazhdimisht do t'ia kujtojë Allahun, takimin me Të, si dhe Xhenetin e Zjarrin.
Ja një shembull nga jeta e imam Ahmedit, Allahu e mëshiroftë!, i cili është sprovuar për të dalë si ari i kulluar.
Atë, të lidhur më zinxhirë, e çuan te Memuni. Ky e kishte kërcënuar rëndë para se t’i vente, saqë një shërbëtor i kishte thënë imam Ahmedit: "Më vjen shumë keq, o Ebu Abdullah, sepse Memuni e ka mprehur shpatën si asnjëherë më parë dhe është betuar në afërsinë që ka me të Dërguarin, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, se, në qoftë se nuk i përgjigjesh kërkesës së tij për të pohuar se Kurani është i krijuar, do të të vrasë me atë shpatë."
Në këtë rast, njerëzit e mençur e shfrytëzuan shansin për t'i thënë imamit të tyre fjalë përforcuese, siç përcillet në librin "Sijer alam en nubela" të Dhehebiut (11/238), nga Ebu Xhafer el Enbari: "Kur më lajmëruan se imam Ahmedin po e çojnë te Memuni, e kapërceva lumin Eufrat, e gjeta ulur në një han dhe e përshëndeta. Më tha: “Qenke munduar (të vish), o Ebu Xhafer.” I thashë: “Dëgjo, o imam. Ti je prijës e njerëzit të ndjekin ty, kështu që, për Allahun, po qe se i përgjigjesh kërkesës për të pohuar se Kurani është i krijuar, këtë do ta bëjnë edhe shumë njerëz të tjerë e, nëse nuk i përgjigjesh, atëherë do të ndalen nga kjo edhe shumë të tjerë. Përveç kësaj, edhe nëse nuk të vret ky njeri, ti prapëseprapë do të vdesësh, ngase prej vdekjes nuk ka shpëtim. Ndaj, kije frikë Allahun dhe mos iu përgjigj kërkesës së tij.” Imam Ahmedi filloi të qajë nga këto fjalë dhe bëri mashalla, pastaj më tha: “O Ebu Xhafer! Përsëritma edhe një herë.” Ia përsërita, kurse ai vazhdoi të thotë: “Mashalla..."
Imam Ahmedi, lidhur me udhëtimin e tij për te Memuni, thoshte: "Kur arritëm në Rahbe, në mesnatë, na doli një njeri e na tha: 'Cili prej jush është Ahmed ibn Hanbeli.' I thanë: 'Ky këtu.' Ai i tha ngasësit të devesë: 'Lëshoje poshtë.' Pastaj tha: 'Dëgjo, o njeri! Ç'të keqe ka nëse vritesh këtu e hyn në Xhenet?!' Më tej tha: 'Allahu qoftë me ty!' dhe u largua. Kur pyeta për të, më thanë se është një arab nga fisi Rabia, se merret me punimin e leshit në shkretëtirë dhe quhet Xhabir ibn Amir. E përmendnin për të mirë."
Në librin "El Bidaje ue nihaje" tregohet se një beduin i kishte thënë imam Ahmedit: "Dëgjo, o njeri! Ti je përfaqësues i njerëzve, kështu që mos u bëj lajm i keq për ta! Ti je prijësi i njerëzve sot, ndaj kurrsesi mos iu përgjigj kërkesës së tyre e të përgjigjen pastaj edhe njerëzit e tjerë, se do të bartje mëkatet e tyre në Ditën e Gjykimit. Nëse e do Allahun, duro në atë që je, sepse mes teje dhe Xhenetit qëndron vetëm vdekja."
Imam Ahmedi thoshte: "Fjalët e tij ma forcuan vendosmërinë për të qëndruar në atë që qeshë dhe të mos i përgjigjesha kërkesës së tyre."
Në një transmetim përcillet se imam Ahmedi kishte thënë: "Nuk kam dëgjuar në atë rast fjalë që kanë ndikuar tek unë më tepër sesa fjalët e një beduini, të cilat m'i ka thënë në Rahbe Tauk, një vend ndërmjet Rikasë dhe Bagdadit, në shtratin e lumit Eufrat. Ai më tha: "Nëse të vret e vërteta, do të biesh dëshmor e, nëse mbetesh gjallë, jeton krenar...” Këto fjalë ma forcuan zemrën."
Ndërkaq, lidhur me djaloshin Muhamed ibn Nuh, i cili i qe bashkëngjitur në sprovë, imam Ahmedi thoshte: "Nuk kam parë njeri më të patundur në çështjen e Allahut sesa Muhamed ibn Nuhin, përkundër moshës së tij të re dhe dijes që kishte! Shpresoj se ka pasur përfundim të mirë. Një ditë më tha: 'O Ebu Abdullah! Kije ndërmend Allahun. Kije ndërmend Allahun! Ti nuk je sikurse unë. Ti je njeri që e pasojnë njerëzit. Sytë e njerëzve janë drejtuar kah ti, për të parë se si do të përgjigjesh, andaj kije frikë Allahun dhe qëndro në çështjen e Tij.' Kur vdiq, ia fala namazin e xhenazes dhe e varrosa."
Edhe të burgosurit që qenë me imam Ahmedin në burg, të cilëve ua falte namazin duke qenë i lidhur me zinxhirë, ndikuan në qëndrueshmërinë e tij. Kështu, njëherë derisa imam Ahmedi gjendej në burg, tha: "Nuk e kam dert burgun, ngase për mua burgu e shtëpia janë një, e as vdekjen nga shpata, por kam frikë nga sprova e kamxhikut." Kur e dëgjoi këtë njëri nga të burgosurit, i tha: "Mos ki merak, o Ebu Abdullah, do të të dhembin vetëm dy kamxhikët e parë, kurse të rënat e tjera nuk do t'i ndiesh.” Si duket kjo e kishte qetësuar atë.
Pra, vëlla i dashur! Kushtoji rëndësi të madhe kërkimit të këshillave nga njerëzit e mirë dhe kuptoji mirë ato. Kërko këshillën e tyre para se të nisesh për ndonjë udhëtim, po qe se ke frikë se mund të biesh në ndonjë sprovë. Kërkojua këshillën gjatë sprovimit ose para ndonjë sprove të mundshme. Kërko këshillimin e tyre kur të emërohesh në ndonjë pozitë ose kur trashëgon ndonjë pasuri. Ji i qëndrueshëm dhe këshilloji edhe të tjerët të jenë të tillë. Allahu është Mbrojtësi i besimtarëve.


XV – Meditimi i begative të Xhenetit, i dënimeve të Zjarrit dhe kujtimi i vdekjes
Xheneti është vendi i gëzimit, ngushëllimi i të pikëlluarve dhe caku përfundimtar i besimtarëve. Egoja është e tillë që nuk pranon të sakrifikojë, të punojë shumë a të qëndrojë e patundur, përveçse kur ka diçka që ia lehtëson vështirësitë dhe e ndihmon atë në tejkalimin e pengesave që i dalin në rrugë.
Atij që e njeh shpërblimin, vështirësitë e të punuarit do t'i duken të lehta. Andaj, i tilli ecën përpara duke e ditur se, në qoftë se nuk tregohet i qëndrueshëm, do ta humbasë Xhenetin, gjerësia e të cilit është sa qiejt e Toka. Egoja ka nevojë për diçka që e tërheq atë nga balta e kësaj toke në botën qiellore.
I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, për t'i përforcuar shokët e vet, ua kujtonte Xhenetin.
Një një hadith përcillet se, ndërsa i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, kaloi pranë Jasirit, Amarit dhe nënës së tij, të cilët torturoheshin, u tha: "Bëni durim, oj familja e Jasirit! Duroni, se me të vërtetë vendtakimi juaj është Xheneti."
I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, u thoshte ensarëve:
"Pas meje do të hasni njerëz egoistë, ndaj të duroni derisa të më takoni te Haudi (pellgu i të Dërguarit)."
Njësoj, njeriu duhet të mendojë rreth gjendjes së dy grupeve (besimtarëve dhe jobesimtarëve) në varr, gjatë ringjalljes, gjatë dhënies llogari, kur peshohen veprat, tek ura e Siratit dhe rreth të gjitha ngjarjeve të tjera të botës së amshuar.
Kujtimi i vdekjes e ruan muslimanin nga rebelimi dhe ndikon që t'i ruajë kufijtë e Allahut, rrjedhimisht të mos i tejkalojë ata. Sepse, kur njeriu e di se vdekjen e ka më afër se rripat e sandaleve të tij dhe se ajo mund t’i vijë në çdo çast, s’mund ta lërë veten të rrëshqasë a të ngulë këmbë në devijim.
Prandaj, i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, thoshte: "Kujtojeni sa më shpesh prishësen e kënaqësive (vdekjen)."


Rastet në të cilat kërkohet qëndrueshmëria
Rastet në të cilat kërkohet të jemi të qëndrueshëm janë të shumta, por ne do të përmendim përmbledhtas vetëm disa syresh:

Së pari: Qëndrueshmëria në sprova
Sprovat mund t’i ndryshojnë zemrat. Kur zemra goditet nga sprovat, qofshin ato të hidhura apo të gëzueshme, të vetmit që mbeten të qëndrueshëm janë syçelët, zemrat e të cilëve janë përplot iman.
Llojet e sprovave:
- Pasuria:
“Ka nga ata (hipokritë) që kanë bërë besëlidhjen me Allahun, duke thënë: “Nëse Ai na jep nga dhuntitë e Tij, sigurisht që do të japim lëmoshë dhe sigurisht që do të bëhemi njerëz të mirë!” Por kur Ai u dha atyre nga dhuntitë e Veta, ata u bënë koprracë dhe kthyen shpinën, duke u larguar.”
- Fama
“Dhe qëndro me ata që i luten Zotit të vet në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar Fytyrën (kënaqësinë) e Tij dhe mos i shmang sytë nga ata (te të tjerët), duke dëshiruar stolitë e shkëlqimin e kësaj jete. Mos dëgjo atë zemrën e të cilit ia kemi lënë mospërfillëse ndaj përmendjes Sonë e, që shkon pas dëshirave të veta, duke shkelur çdo kufi në veprimet e veta.”
Lidhur me rrezikun e sprovave të sipërpërmendura, i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “Dy ujqër të uritur lënë në mes delesh nuk i bëjnë dëm tufës (së deleve) më shumë sesa ç’e dëmton fenë e njeriut lakmia për pasuri e famë.”  Domethënë, dëshira e madhe e njeriut për pasuri e emër ia dëmton fenë më shumë sesa që mund të shkaktojnë dëm dy ujq të uritur në mesin e tufës së deleve.
- Gruaja:
“O besimtarë! Në të vërtetë, ju keni armiq në radhët e grave tuaja dhe të fëmijëve tuaj, andaj ruajuni prej tyre!”
- Fëmijët:
“Fëmija është shkak për frikë, koprraci dhe pikëllim.”
-Persekutimi, zullumi dhe padrejtësia:
Shembulli më i mirë për këtë është thënia e Allahut:
“Mallkuar qofshin njerëzit e Hendekut, zjarrit (të ushqyer) me lëndë djegëse, kur rrinin ulur rreth tij, duke dëshmuar atë që po i bënin besimtarëve! Ata i munduan besimtarët, vetëm pse këta i besuan Allahut, të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd, të Cilit i përket pushteti i qiejve dhe i Tokës dhe që është Dëshmitar i çdo gjëje.”
Po ashtu, Buhariu, përcjellë nga Hababi, Allahu qoftë i kënaqur me të!, shënon: “Iu ankuam të Dërguarit të Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, ndërsa qëndronte nën hijen e Qabesë, i mbështjellë me mantelin e tij, kurse ai na tha: “Në mesin e njerëzve që ishin para jush merrej njeriu, i hapej një gropë në tokë, në të cilën e fusnin. Pastaj, me sharrë, vendosur në kokë, sharrohej përgjysmë. Gjithashtu, njeriun e krihnin me krehra hekuri, të cilët ia ndanin mishin nga kockat, por as kjo nuk e sprapste nga feja e tij.”
- Dexhali:
Dexhali është sprova më e madhe në këtë botë. Lidhur me këtë, i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, ka thënë: “O njerëz! Që kur e ka krijuar Allahu Ademin s’është parë sprovë më e madhe sesa Dexhali... O robërit e Allahut! O ju njerëz! Qëndroni të patundur, sepse unë do t’jua përshkruaj atë aq sa nuk e ka përshkruar asnjë pejgamber më parë.”
Lidhur me fazat e qëndrueshmërisë dhe devijimit të zemrave përballë sprovave, i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, thoshte: “Sprovat u paraqiten zemrave siç janë (gjurmëlënëse) kallamat e hasrës (rrogozit), degë-degë. Zemrës që i thith ato, i bëhet një pikë e zezë, kurse asaj që i refuzon, një pikë e bardhë. Vazhdojnë në këtë mënyrë derisa të dalë në pah njëra prej dy zemrave: njëra zemër e bardhë dhe e kulluar, të cilën nuk e dëmtojnë sprovat derisa të jenë qiejt e Toka, kurse tjetra e zezë dhe e errët, sikurse ena e përmbysur, e cila nuk e njeh të mirën e as që ndalon nga e keqja, përveç asaj që përputhet me ëndjen (epshin) e vet."
Shembulli i hasrës nënkupton se sprovat ndikojnë në zemër sikurse degët e hasrës, që lënë gjurmë në trupin e atij që fle mbi to.

Së dyti: Qëndrueshmëria në xhihad
"O besimtarë, kur të ndesheni me ndonjë forcë armike, qëndroni të patundur dhe përmendni shumë Allahun që të fitoni."
Ndër mëkatet më të mëdha në fenë tonë është dezertimi (në fushëbetejë). I Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, ndërsa bartte dhé në shpinë në betejën e Hendekut, i përsëriste fjalët vijuese bashkë me besimtarët:
“Na i forco këmbët kur të takohemi me armikun.”

Së treti: Të qenët i qëndrueshëm në metodologji
“Midis besimtarëve ka të atillë, që e kanë mbajtur besëlidhjen me Allahun. Disa prej tyre kanë vdekur, kurse të tjerët presin pa ndryshuar asgjë nga besnikëria e tyre.”
Parimet e tyre qenë më të shtrenjta sesa jeta e tyre. Këmbëngulje e paluhatshme!

Së katërti: Qëndrueshmëria në çastet e vdekjes
Jobesimtarët dhe mëkatarët privohen nga të qenët i qëndrueshëm në çastet më të rënda, kështu që nuk mund ta shqiptojnë shehadetin në çastet e vdekjes, gjë që është prej shenjave të përfundimit të keq. Një njeriu në çastet e vdekjes i qe thënë: Thuaj "La ilahe il-lallah", kurse ai kishte kthyer kokën djathtas e majtas duke mos pranuar të bëjë një gjë të tillë. Ndërkaq, një tjetër në çastet e vdekjes kishte thënë: "Kjo cohë është e mirë e kjo tjetra e lirë." Vijuesi kishte përmendur figurat e shahut, tjetri melodinë a tekstin e një kënge. Ka edhe të atillë që përmendin emra dashnoresh.
Kjo ndodh ngase pikërisht këto gjëra janë ato që i kanë shmangur nga kujtimi i Allahut në këtë botë.
Kur janë duke dhënë shpirt, te të këtillët mund të vëresh nxirje në fytyrë, erë të keqe ose kthim në anën e kundërt të kibles. S'ka ndryshim gjendjeje e as fuqi pa lejen e Allahut.
Ndërkaq, të devotshmit, përkatësisht ndjekësit e Sunetit, Allahu do t'i përforcojë në çastet e vdekjes, kështu që ata do ta shqiptojnë shehadetin.
Te këta mund të vëresh shndritje në fytyrë, erë të këndshme ose ndonjë shenjë tjetër përgëzuese gjatë dorëzimit të shpirtit.
Në vijim po sjellim shembullin e njërit prej dijetarëve më të mëdhenj të hadithit, të cilin Allahu e kishte forcuar në çastet e vdekjes, Ebu Zura er Razin.
Ebu Xhafer Muhamed ibn Aliu, shkruesi i Ebu Zurait, tregon:
“Vajtëm tek Ebu Zurai në Mashehran, fshat i Rrijit, në çastet e fundit të jetës së tij. Aty qenë Ebu Hatimi, Ibn Uara, Mundhir ibn Shadhani e të tjerë.
Atyre iu kujtua hadithi, në të cilin thuhet:
"Kujtojani atyre që janë duke vdekur të thonë ‘La ilahe il-lallah’."
Mirëpo, atyre u vinte turp nga Ebu Zurai t'ia thoshin atë, kështu që thanë: "Ta ‘përsëritim’ hadithin."
Ibn Uara tha: “Na ka treguar Ebu Asimi, përcjellë nga Abdulhamid ibn Xhaferi, ky nga Salih ibn Ebu...”, por nuk mundi t’i dilte në fund.
Atëherë Ebu Hatimi mori fjalën: “Na ka treguar Bundari, përcjellë nga Ebu Asimi, ky nga Abdulhamid ibn Xhaferi, ky nga Salihu...”, por as ky nuk arriti ta përmbyllë, kurse të tjerët heshtën.
Në këtë rast Ebu Zurai, i cili ishte duke dhënë shpirt, hapi sytë dhe tha: “Na ka treguar Bundari, përcjellë nga Ebu Asimi, ky nga Abdulhamid ibn Xhaferi, ky nga Salih ibn Ebu Garibi, ky nga Kethir ibn Murra, e ky nga Muadh ibn Xhebeli se i Dërguari i Allahut, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të!, ka thënë:
"Ai, fjala e fundit e të cilit është ‘La ilahe il-lallah’, do të hyjë në Xhenet."
Menjëherë pas kësaj dha shpirt. Allahu e mëshiroftë!
Për të këtillët Allahu thotë:
“Me të vërtetë, atyre që thonë: “Zoti ynë është Allahu”, e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: “Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar.”
Allahu ynë, të lutemi të na bësh prej tyre!
Allahu ynë, na bëj të qëndrueshëm në këtë fe dhe na jep vendosmëri në udhëzim.
Lutja jonë e fundit është: Lavdërimet e plota i takojnë Allahut, Zotit të botëve.

 

Përmbajtja
Parathënie . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 3 Mjetet e qëndrueshmërisë . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 5 I-Kthimi te Kurani . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 5 II-Zbatimi i fesë dhe veprat e mira . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 8 III-Përsiatja e tregimeve të të dërguarve dhe pasimi i tyre . . . 10 IV-Duaja (lutja) . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 12 V-Përmendja e Allahut (dhikri) . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 13 VI-Kujdesi i muslimanit që ta ndjekë rrugën e drejtë . . . . . . . . 14 VII-Edukimi . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 16 VIII-Bindja në rrugën e përzgjedhur . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 18 IX-Thirrja në rrugën e Allahut . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 19 X-Qëndrimi pranë njerëzve që të ndihmojnë të jesh i qëndrueshëm në fe . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 21 XI-Të qenët i bindur në ndihmën e Allahut dhe se ardhmëria i takon Islamit . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 22 XII-Njohja e realitetit të së kotës dhe mosmashtrimi me të . . . 23 XIII-Pajisja me veti morale që të ndihmojnë në qëndrueshmëri . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 24 XIV-Këshillat e njerëzve të devotshëm . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 26 XV-Meditimi i begative të Xhenetit, i dënimeve të Zjarrit dhe kujtimi i vdekjes . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 30 Rastet në të cilat kërkohet qëndrueshmëria . . . . . . . . . . . . . . . 32 Së pari: Qëndrueshmëria në sprova . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 32 Së dyti: Qëndrueshmëria në xhihad . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 35 Së treti: Të qenët i qëndrueshëm në metodologji . . . . . . . . . . 36 Së katërti: Qëndrueshmëria në çastet e vdekjes . . . . . . . . . . . . 36 Përmbajtja . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . 41